Kosova dhe EMCDDA arrijnë marrëveshje për luftimin dhe eliminimin e problemit me drogat
Ministria e Punëve të Brendshme, si bartëse e politikave për luftimin e narkotikëve, ka iniciuar në vitin 2019 kërkesën për nënshkrim të Marrëveshjes së Punës me Qendrën Evropiane për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA), e cila është një nga Agjencitë e Bashkimit Evropian.
Kjo marrëveshje u nënshkrua të hënën nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i EMCDDA, Alexis Goosdeel. Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme, si bartëse e Strategjisë kundër Narkotikëve dhe Planit të Veprimit 2018-2022, është e angazhuar maksimalisht për fuqizimin dhe zbatimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse për parandalimin dhe luftimin e narkotikëve.
Ministri Veliu u zotua se Ministria e Punëve të Brendshme është dhe do të vazhdojë të jetë partnere serioze për luftimin dhe eliminimin e problemit me drogat, si dhe për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të raportimit të problemeve dhe zgjidhjeve në fushën e drogave në nivel vendi. Sipas Veliut, EMCDDA është adresa kompetente dhe me kredibile mbi të dhënat e drogave në BE e që edhe ky fakt përbën një element shtesë për ta ngritur bashkëpunimin e Kosovës në një nivel edhe më të avancuar.
Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka theksuar se ndihet i kënaqur për finalizimin e një marrëveshje kaq të rëndësishme që i jep një dinamikë punës së përbashkët dhe punës për fuqizimin e politikave nga legjislacioni i BE-së për monitorimin e drogave.
Gjithashtu, drejtori i EMCDDA, Alexis Goosdeel, u shpreh i lumtur se tashmë ka një siguri të mirë të bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për luftimin dhe eliminimin e problemit me drogat.
Bashkëpunimi me EMCDDA zhvillohet tash e disa vite, e që është realizuar përmes pjesëmarrjes në takime të ndryshme rajonale, punëtori, trajnime dhe përgatitje të raporteve. Pikë kontakti e MPB-së është Sekretariati i Strategjive deri kur do të themelohet Observatori i Drogave, kërkesë kjo e EMCDDA, si dhe një nga kriteret për liberalizimin e vizave.



