Kosova dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur
Një delegacion i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, i përbërë edhe nga përfaqësues të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore ka qëndruar për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, ku zhvilloi takim me delegacionin kroat të Drejtorisë për të Burgosurit dhe të Zhdukurit nga Lufta Atdhetare në Kroaci, të kryesuar nga Ana Filko.
Takimi u mbajt në Vukovar dhe u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe përkushtimi të ndërsjellë, me fokus në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave në procesin e kërkimit, gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur nga lufta, si dhe në adresimin e sfidave të përbashkëta.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara, falënderoi palën kroate për mikpritjen dhe organizimin e takimit, duke theksuar simbolikën e Vukovarit si qytet i sakrificës dhe qëndresës gjatë Luftës Atdhetare, si dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur me forcë.
Gjatë diskutimeve, u prezantua metodologjia që Ministria e Veteranëve Kroatë aplikon në zbulimin e varrezave masive dhe individuale, përfshirë përdorimin e gjeoradarëve, qenve të trajnuar për kërkimin e kufomave, dronëve dhe pajisjeve të tjera bashkëkohore teknike. U diskutua gjithashtu mundësia e bashkëpunimit konkret dhe e ofrimit të mbështetjes profesionale në hulumtimin e lokacioneve të mundshme. Po ashtu me theks të veçantë u potencua edhe dimensioni ligjor i procesit, në garantimin dhe respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur.
Delegacioni kosovar realizoi gjithashtu një vizitë në lokacionin e varrezës masive “Petrovaçka Dola” në Vukovar, një nga lokacionet më komplekse dhe më afatgjata të hulumtuara nga autoritetet kroate, ku u prezantuan praktikat dhe përvojat konkrete në procesin e kërkimeve dhe identifikimeve.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Komisionit vizituan edhe Qendrën Memoriale të Luftës Atdhetare në Vukovar, Shtëpinë Përkujtimore në Ovçara, Memorialin e Varrit Masiv në Ovçara, si dhe Kompleksin Memorial të Varrezave të Viktimave nga Lufta Atdhetare, ku u theksua edhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe e nderimit e respektimit të dinjitetit të viktimave.
Përvoja e Kroacisë përbën një model të rëndësishëm në hulumtimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, përderisa në përmbyllje të vizitës u diskutua mundësia e formalizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe domosdoshmëria e intensifikimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.




