
Kosova dhe ShBA vazhdojnë themelimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral major Stephen Osborn.
Gjatë takimit, u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, duke ritheksuar gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta thelluar dhe zgjeruar këtë marrëdhënie.
Si pjesë e këtij partneriteti, po vazhdojnë përgatitjet për zbarkimin e përbashkët të njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ato të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu, në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror, të dy palët u pajtuan për të avancuar më tej bashkëpunimin përmes trajnimeve, shkollimeve, stërvitjeve dhe aktiviteteve të tjera ushtarake të përbashkëta.
Ministri Maqedonci shprehu mirënjohjen e tij ndaj gjeneral Osborn dhe përmes tij, falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer ndaj forcave të sigurisë së Kosovës.