Kosova dhe Shqipëria intensifikojnë koordinimin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka pritur në një takim pune drejtuesit e lartë të institucioneve olimpike ndërkombëtare dhe rajonale, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në takim kanë marrë pjesë presidenti i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” dhe njëherësh presidenti i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, zëvendëspresidenti Milaim Kelmendi dhe këshilltari i ministrit të Sportit të Kosovës, Drilon Brahimi.
Takimi është zhvilluar në kuadër të inspektimeve dhe koordinimit për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, event që konsiderohet historik për sportin në Kosovë dhe rajon. Në këtë organizim, Durrësi do të ketë një rol të rëndësishëm si qytet mbështetës për zhvillimin e të gjitha sporteve ujore.
Gjatë takimit, presidenti Fidel Ylli, ka prezantuar zhvillimet dhe arritjet e sportit shqiptar në vitet e fundit, duke u ndalur te transformimi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe investimet në infrastrukturë sportive, organizim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Ndërsa presidenti Julian Pace Bonello është shprehur i impresionuar nga mikpritja dhe progresi i sportit shqiptar, duke vlerësuar mbështetjen dhe bashkëpunimin strategjik për suksesin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, ka vlerësuar kontributin e Fidel Yllit në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve olimpike dhe në zhvillimin e sportit në rajon.
Edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka çmuar mbështetjen e vazhdueshme të Fidel Yllit ndaj Kosovës, duke theksuar se vizioni, energjia dhe përkushtimi i tij mbeten frymëzim për komunitetin sportiv shqiptar.
Takimi ka konfirmuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, me synimin që ky event të shndërrohet në një prej organizimeve më të rëndësishme sportive në rajon dhe në Mesdhe. /KP



