
Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për luftimin e krimit, korrupsionit dhe terrorizmit
Prokuroria e Shtetit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar të mërkurën një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale.
Memorandumi është nënshkruar nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja.
Ky memorandum është vlerësuar se do të kontribuojë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe integrimin evropian të të dyja shteteve.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se përmes këtij memorandumi synojnë të rrisin bashkëpunimin me Shqipërinë për të luftuar dukuritë negative si krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe forma të tjera të krimit.
“Ky bashkëpunim ka të bëjë kryesisht me shkëmbimin e informacioneve dhe dhënien e provave të rëndësishme për kryerësit e krimeve. Përveç kësaj, do të ketë edhe shkëmbim të dokumenteve. Ky bashkëpunim do të jetë një kontribut për liberalizimin e vizave por edhe në integrimin në Bashkimin Evropian edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë. Sot jemi mbledhur për të nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit për luftimin e dukurive negative në Kosovë dhe në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me vendet tjera të rajonit, pasi e kemi parë se krimi është duke u paraqitur në forma të ndryshme siç është pastrimi i parave, terrorizmi, investimet”, ka thënë ai.
Ndërsa kreu i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja, ka thënë se bashkëpunimi në mes të institucioneve përkatëse ka ekzistuar edhe më parë, porse me këtë memorandum do të thellohen shërbimi i informacioneve dhe luftimi i dukurive negative.