Kosova duhet të dalë prej kurthit populist të Kurtit
Shkruan: Muhamet Hamiti
Albin Kurti nuk është demokrat. Është demagog populist që ka qejf të instalojë një sistem totalitar në Kosovë. Në vitin 2021, motoja e tij dhe e LV-së me simotrat, Alternativën dhe Guxo-në, ishte #Krejtdhedrejt. Kërkonte qartësisht pushtet absolut. Këtë e synoi edhe sivjet, kur kërkoi 500 mijë vota, që fatmirësisht nuk i mori.
Siç bëjnë demagogët populistë, Albin Kurti ofronte zgjidhje të thjeshta për probleme të ndërlikuara. Siç e pamë, nuk mund të zgjidhë as probleme të thjeshta.
Tash e pesë vjet, megjithëse e kishte nën kontroll legjislativin dhe ekzekutivin, nuk ia doli t’i nënshtrojë gjyqësorin dhe median, të cilat i sulmon vazhdimisht. Albin Kurti me qeverinë e Vetëvendosjes nuk ia doli ta instalojë një sistem totalitar, sepse Kosova është vend me një traditë demokratike, sado të re.
Opozita e tij në zgjedhje nacionale doli me më shumë vota se Kurti me LV-në dhe simotrat. Prandaj, duke mos qenë demokrat, Albin Kurti nuk deshi as mundi ta ndajë pushtetin me të tjerët. Një pjesë pse s’i deshti ai, një pjesë pse s’e deshtën atë. Tash askush s’do të bashkëpunojë me Kurtin. Kështu e ka bërë punën Albin Kurti vetë, lideri i VV-së, deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës që e ushtron kundërligjshëm edhe detyrën e Kryeministrit.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve këtë të diel, më 9 nëntor, qytetarët e Kosovës e kanë rastin ta refuzojnë me votë Albin Kurtin, duke mos votuar për politika as për njerëz që promovon ai, sepse janë si ai vetë. Rezultatet e këtyre politikave janë Kosova e sanksionuar nga BE, në një mënyrë edhe nga ShBA-të. ShBA-të e pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën në shtator për shkak të sjelljes së papërgegjshme të Kurtit.
Albin Kurti ia humbi Kosovës sonë një vit, 2025-shin, duke e bllokuar funksionimin kushtetues të Kuvendit dhe të qeverisë së vendit tonë.
Në zgjedhjet e parakohshme nacionale, kurdo që të ndodhin, qytetarët e Kosovës duhet ta refuzojnë njeriun që e përbuz shtetin e Kosovës, i tall qytetarët e tij. Siç e kanë sjellë me votë në pushtet, me votë mund ta heqin prej pushteti. Kështu, do të nxjerrin një mësim të mirë prej pësimit të madh.
Kosova duhet të dalë më në fund prej kurthit populist të Kurtit.



