KOSOVA DUHET TË REAGOJË DHE TA SHPALOSË TË VËRTETËN REALE

20 gusht 2021 | 20:37

Shkruan: Hajdin Abazi

Portalet tona dhanë lajmin për vizitën e ministrit të jashtëm serb z. Nikolla Selaković në Zimbabve, për t’i dhuruar një kontingjent me vaksina anticovid 19. Me këtë rast, homologu zimbabvean, z. Frederick Shava, ka mbajtë një konferencë për media për t’i shprehë falënderim e mirënjohje Serbisë për këtë donacion.

Në atë konferencë, z. Shava po ashtu ka theksuar se Zimbabveja ka qëndruar krah Serbisë, sepse ajo qëndron me “faktet dhe të vërtetën”.

“Ne e dimë se, ka pohuar z. Shava, historikisht dhe kulturalisht Kosova është pjesë e Serbisë”. Mbështetur në këtë, ai deklaroi se Zimbabveja e ka mbështetur Serbinë në OKB, dhe se do të vazhdojë ta mbështesë atë.

Mediat tona e kryejtën punën e tyre, duke e publikuar tek ne këtë informacion, duke treguar se janë në krye të misionit të tyre.

Po të ishtë një konferencë e zakonshme shtypi, do të mjaftonte falënderimi, mirënjohja dhe zotimi për bashkëpunim.

Por jo, ministri zimbabvean zbuloi lakuriq prapaskenën e donacionit serb me vaksinat anticovid 19. Ajo është me motive politike. Për të siguruar vazhdimin e mbështetjes kundër Kosovës, dhe mund të supozohet edhe për të lobuar kundër Kosovës.

Lobimin anti-Kosovë, Serbia u mundua ta maskojë me donacion te vaksinave. Por ministri zimbabvean foli pa dorashka.

Po ne, ç’po bëjmë?

Përgjegjësit për politikën e jashtme nuk duhet të mjaftohen me leximin e lajmeve.

Ata duhet të reagojne. Shpejt. Bindshëm. Me fakte.

Por asnjë reagim zyrtar deri.më tash.

Shpërfillja e një lajmi të këtillë – nuk guxon të ndodhë.

Nuk duhet të ndodhë.

Sepse qëndrimi i z. Frederick Shava shpreh një qëndrim politik që trumbetohet si “i vërtetë”. Pasqyron një filozofi të gabuar. Apelon te një metafizikë të manipuluar.

Ky është artikulim i indoktrinimit serb ndaj Kosovës.

Një lajthitje të dizajnuar nga Beogradi.

Heshtja ndaj saj – është pajtim me të. Ose, të paktën, lënie e terrenit të hapur për veprim anti-Kosovë pa e shfaqur edhe pjesën tonë.

Duhet dikush nga institucionet tona të dal e t’i tregojë z. Shava se ai nuk di asgjë mbi Kosovën.

Ai nuk di aspak historinë e vërtetë të Kosovës, të ekzistencës sonë me mileniume para ardhjes së serbëve në Ballkan.

Ai nuk di asgjë për kulturën e Kosovës, sepse kultura shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën serbe: as gjuhën, as traditën, as kultet fetare.

Duhet t’i tregohet se faktet që ai i di janë pseudofakte, janë gënjeshtra dhe nuk janë aspak fakte, por fake-akte.

Duhet t’i tregohet se ai nuk e di aspak të vërtetën për Kosovën, sepse e vërteta e Kosovës është krejt ndryshe nga ajo që e thote rrejshëm Serbia, dhe se po ta dinte të vërtetën reale të Kosovës do t’i vinte turp ta mbështeste atë.

Pa dyshim, ajo që ai ka thënë dihet se nuk i ka thënë nga bindjet dhe nga se e ka studjuar historinë, kulturën, faktet dhe të vërtetën.

Ai i ka thënë ato me motive krejt të tjera, e më së pakut për të vërtetën.

Sidoqoftë, ky lajm duhet ta zgjojë nga letargji politikën tonë të jashtme. Ta bëjë të mobilizohet. Sepse, ka dhe të tjerë që “mendojnë” ngjashëm si z. Shava.

Defanziva diplomatike mund të ketë kosto të lartë për Kosovën.

Duhet strategji veprimi.

Duhet artikulim i fakteve, historisë, kulturës dhe të vërtetës sonë.

Natyrisht, nëse duam të bëjme diçka të dobishme për Kosovën.

Dhe, nga përvoja ime, e di se me angazhim, përkushtim dhe dashuri ndaj Kosovës – mund të gjenden mënyra për ta parandaluar dëmtimin diplomatik të Kosovës.

Kjo, sigurisht, nuk bëhet duke etiketuar armiq të paqënë dhe duke e vetëdobësuar diplomacinë kosovare.

Përkundrazi, kjo bëhet duke angazhuar secilin që mund të kontribuojë, pavarësisht a është i njërës apo tjetrës parti apo i pa parti. Sepse lobimi serb kundër Kosovës është luftë, natyrisht luftë diplomatike. Dhe në këtë luftë mund t’ia dalim vetëm së bashku.

Kjo për faktin se jemi me fat që në anën tonë e kemi ShBA dhe thuaja të gjitha vendet perëndimore. Përkrahja e tyre është fuqia jonë. Por ata nuk mund t’i kryejnë edhe detyrat tona. Këto duhet t’i kryejmë vet.

Dhe mundemi t’i kryejmë.

Vetëm se duhet të hiqet qasja diferencuese ndaj kuadrove të dëshmuar.

E për ta kryer si duhet këtë më së pakut ndihmon qasja partiake.

Për ta kryer me sukses këtë, përveç dijes, duhet atdhedashuri, ideal, të duhet liria dhe të mishërohemi me interesin jetik të Republikës së Kosovës.

Këtë nuk mundemi ta bëjmë nëse Republikën e konsiderojmë si të partisë, si pushtet, si forcë ndaj personaliteteve të dëshmuara.

Z. Shava duhet të merret si një alarm, për të kuptuar se ne nuk mundemi ta fusim kokën në zallë. Se ne duhet të mbledhim veten, të reagojmë e të artikulojmë realitetin tonë.

Nëse ne rrimë indiferentë – bëjmë gabim të pafalshëm.

Sepse kështu do t’i krijojmë Serbisë lehtësira veprimi.

Ne duhet ta themi para botës, dhe ta përsërisim sa herë të jetë nevoja, të vërtetën e Kosovës.

Ne nuk kemi nevojë të fabrikojmë asgjë.

Na mjafton e vërteta.

Vetëm se atë duhet të dimë ta shpalosim sa herë të jetë nevoja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka organizuar sot një…