Kosova duhet t’i përmbushë pritshmëritë e ShBA-së për procesin e dialogut

21 dhjetor 2018 | 14:19

Profesori i qeverisjes amerikane, Ilir Ibrahimi, ka thënë se letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, dërguar presidentit Hashim Thaçi, përveçse e rikonfirmon përkrahjen amerikane ndaj Kosovës, dërgon edhe mesazhe të qarta për lidershipin e Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përmbyllet me një marrëveshje e cila do të garantohet nga ShBA-ja dhe BE-ja prandaj, sipas Ibrahimit, nuk duhet të humbet ky shans.

“Nuk ndodh shpesh që lideri i botës së lirë, siç quhet ndryshe presidenti amerikan, t’i shkruajë një letër kaq të qartë një homologu, me pritshmëri të qarta si në përmbajtje, ashtu edhe në kohë. Ky mendoj është edhe një kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe rajonin drejt lëvizjes nga ky status që nuk ka mundur të tejkalohet deri tani pa një ndërhyrje amerikane”, është shprehur ai, duke shtuar se partitë politike e kanë kuptuar qartë këtë letër për t’i përmbushur pritshmëritë që ka ShBA-ja nga procesi i dialogut.

“Një nga kërkesat e kësaj letre është ndërtimi i një zëri unik dhe për të arritur atë të gjitha partitë politike duhet t’i lënë anash interesat dhe inatet personale dhe të ndërtojnë atë zë unik”, ka deklaruar Ibrahimi. Sipas tij, LDK-ja si partia më e madhe opozitare dhe si partia e cila ka kontribuar në çdo proces nuk duhet të rrijë anash. Ibrahimi ka theksuar se kjo nuk është e shëndoshë as për LDK-në e as për procesin. “Pra, në ditët në vijim besoj dhe inkurajoj që spektri politik, përfshirë LDK-në, të ulet dhe ta trajtojë këtë realitet të ri me gjakftohtësi, duke vënë interesin e vendit mbi çdo interes partiak”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se, duke pasur parasysh letrën e presidentit Trump dhe zhvillimet e fundit, konturat themelore të marrëveshjes Kosovë – Serbi tanimë janë vendosur.

“Shpresoj se klasa politike e ka kuptuar mesazhin dhe do të arrijë të krijojë një ekip i cili do të flasë me një zë. Kështu edhe do të arrijmë një marrëveshje më të mirë për Kosovën”, ka potencuar Ibrahimi, duke shtuar se arritja e kësaj marrëveshje është çështje muajsh. “Prandaj është imperative që Kosova dhe ekipi negociator ta fillojnë punën menjëherë. Tanimë kemi humbur shumë kohë dhe nuk mund t’ia lejojmë vetes që për arsye të interesave individuale të vihet në pikëpyetje e ardhmja e vendit”, ka thënë Ibrahimi.

“Epoka e re”: Z. Ibrahimi, letra e presidentit amerikan Donald Trump dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nxitur reagime të shumta në skenën politike. Si e keni parë dhe kuptuar këtë letër?
Ibrahimi: Letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, përveç që e rikonfirmon përkrahjen amerikane për Kosovën, dërgon edhe disa mesazhe të qarta se çfarë pritet nga lidershipi i Kosovës. Procesi i dialogut me Serbinë duhet të përmbyllet me një marrëveshje e cila do të garantohet nga ShBA dhe BE-ja, si dhe duhet të mos humbet ky shans. Nuk ndodh shpesh që lideri i botës së lirë, siç quhet ndryshe presidenti amerikan, t’i shkruajë një letër kaq të qartë një homologu, me pritshmëri të qarta si në përmbajtje, po ashtu edhe në kohë. Ky mendoj është edhe një kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe rajonin, drejt lëvizjes nga ky status që nuk ka mundur të tejkalohet deri tani pa një ndërhyrje amerikane.

“Epoka e re”: Janë duke e kuptuar drejt porosinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës partitë politike dhe drejtuesit e tyre?
Ibrahimi: Besoj se partitë politike e kanë kuptuar qartë këtë letër dhe po shpresoj se do t’i marrin hapat adekuatë për t’i përmbushur pritshmëritë që ka ShBA-ja nga procesi i dialogut. Një nga kërkesat e kësaj letre është ndërtimi i një zëri unik dhe për ta arritur atë, të gjitha partitë politike duhet t’i lënë anash interesat dhe inatet personale dhe të ndërtojnë atë zë unik.

“Epoka e re”: Sidoqoftë, as kjo letër dhe as garancia amerikane për procesin e dialogut nuk ka arritur t’i bindë Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje që të përkrahin këtë proces dhe të bëhen pjesë e ekipit negociator. Si e komentoni këtë dhe a prisni reflektim, të paktën nga LDK-ja?
Ibrahimi: Të mërkurën e kemi parë reagimin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas kësaj letre, por nuk mendoj se LDK-ja, si partia më e madhe opozitare dhe si partia e cila ka kontribuar në çdo proces, të rrijë anash. Kjo nuk është e shëndoshë as për LDK-në e as për procesin. Pra, në ditët në vijim besoj dhe inkurajoj që spektri politik, përfshirë LDK-në, të ulet dhe ta trajtojë këtë realitet të ri me gjakftohtësi, duke vënë interesin e vendit mbi çdo interes partiak. Gjithsecili duhet ta luajë rolin e vet në këtë proces bazuar në legjitimitetin politik, sepse e kanë edhe obligim që atë legjitimet të marrë nga votuesi ta çojnë përpara duke ruajtur më së miri interesat e qytetarëve.

“Epoka e re”: Z. Ibrahimi, pas porosisë amerikane dhe funksionalizimit të ekipit negociator, si e shihni  vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi?
Ibrahimi: Duke lexuar letrën e presidentit Trump, por edhe duke parë zhvillimet në muajt e fundit, mendoj se konturat themelore të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tanimë janë vendosur. Por, ne kemi aq shumë çështje të hapura me Serbinë, prandaj ekipi negociator duhet të plotësohet sa më shpejt dhe të përfshijë sa më shumë ekspertë nga fusha të ndryshme për të trajtuar dhe negociuar ato çështje. Përderisa ekipi do të udhëhiqet nga presidenti, do të ketë vend dhe mundësi për të kontribuar në këtë ekip për të gjithë. Shpresoj se klasa politike e ka kuptuar mesazhin dhe do të arrijë të krijojë një ekip i cili do të flasë me një zë. Kështu edhe do të arrijmë një marrëveshje më të mirë për Kosovën.

“Epoka e re”: Prisni që marrëveshja finale Kosovë – Serbi të arrihet në një të ardhme të afërt siç po thuhet dhe cili besoni se do të jetë kompromisi i saj?
Ibrahimi: Nga ajo që kemi mundur të shohim, marrëveshja është çështje muajsh, prandaj është imperative që Kosova dhe ekipi negociator ta fillojnë punën menjëherë. Tanimë kemi humbur shumë kohë dhe nuk mund t’ia lejojmë vetes që për arsye të interesave individuale të vihet në pikëpyetje e ardhmja e vendit.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea është gati për të bërë një lëvizje në janar…