Kosova e gatshme për ndeshjen me Izraelin, ‘Dardanët’ optimistë për fitore

11 nëntor 2023 | 21:36

Përfaqësuesja Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e parë dhe të fundit para përballjes me Izraelin, në kuadër të grumbullimit të nëntorit, ku do t’i zhvillojë tri ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2024.

Përballja me Izraelin ka qenë e planifikuar për muajin tetor, por ajo u shty për shkak të situatës së krijuar në Lindjen e Mesme. Pavarësisht mungesave të rëndësishme për këtë ndeshje, Dardanët janë optimistë se para tifozëve të tyre do të jenë në gjendje të realizojnë fitoren e radhës në këtë cikël kualifikues. Para stërvitjes në konferencë për media, përzgjedhësi Primozh Gliha dhe sulmuesi Vedat Muriqi janë shprehur optimistë për rezultat pozitiv.

“Besoj se të gjithë pajtohemi se është një situatë goxha speciale dhe po luajmë në një termin të pazakonshëm dhe kjo ka sjellë shumë probleme te mënyra si janë qasur edhe klubet, pastaj ka pasur vendime personale të futbollistëve që kanë bërë të krijohet një situatë të tillë. Disa nga futbollistët e kanë pasur të pamundur të jenë këtu shkaku i arsyeve të ndryshme, por mungesat në futboll janë normale sepse ne pothuajse në çdo ndeshje jam përballur me mungesa. Nëse ju kujtohet ndaj Greqisë kanë munguar gjashtë futbollistë”, ka thënë Gliha.

Ndërkaq, Muriqii ka thënë se ka qenë këmbëngulës tek klubi që të vijë për këtë ndeshje, pavarësisht se është në një datë të pazakontë. Ai ka thënë se pavarësisht faktit se kanë pasur vetëm një stërvitje në dispozicion, besojnë në fitore. “Meqenëse është një lojë speciale që po ndodh jashtë datave të FIFA-s, nuk kemi shumë kohë për t’u përgatitur, por të luash me Kombëtaren është gjithmonë privilegj, dhe dëshira besoj që do ta kaplojë gjithë atë mungesën që e kemi ne për stërvitje. Kështu që, do ta përballojmë mirë këtë me dëshirën e madhe që kemi për të luajtur para tifozëve tanë, me dëshirën që e kemi për fitore”, ka thënë Muriqi.

Ndeshja Kosovë-Izrael zhvillohet të dielën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja e parë e zhvilluar në Tel-Aviv ishte mbyllur baras 1:1. Më pas Dardanët do të përballen me Zvicrën, më 18 nëntor në Bazel, si dhe në fund me Bjellorusinë, më 21 nëntor në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vëllaznimi ka shënuar fitoren e katërt radhazi, që ishte ndaj…