
Kosova e para në Evropë për ligj dhe rend, e treta në botë sipas raportit të Gallup
Kosova vazhdon të jetë vend i sigurtë. Kjo bëhet e ditur në Raporton Global të Sigurisë 2025 të Institutit Amerikan Gallup.
Në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë, ku mori 94 pikë nga gjithsej 100.
Kjo sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti është tregues se qytetarët po gëzojnë të drejtën më të rëndësishme.
“Sipas Raportit Global të Sigurisë 2025 të Gallup, Kosova renditet e treta në botë dhe e para në Evropë për ligj dhe rend, si dhe në dhjetëshen e parë në botë për sigurinë gjatë ecjes vetëm natën. Kjo është një shenjë e shkëlqyer që qytetarët tanë po gëzojnë një nga të drejtat e tyre më të rëndësishme, dhe pasqyron forcën e institucioneve tona”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Këtë rezultat ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ia ka atribuuar me theks, institucioneve të sigurisë.
“Jemi të bindur se ky sukses është rezultat i profesionalizmit të institucioneve të sigurisë dhe etikës së lartë të qytetarëve tanë. Si ministër i brendshëm përfitoj nga rasti të falenderoj çdo pjesëtar të strukturave të sigurisë për përgjegjësinë e lartë dhe çdo qytetar për kontributin e përditshëm. Çdo sukses është për ne vetëm një shtysë e re për më shumë punë e përkushtim”, ka shkruar Sveçla.
E Agim Musliu nga “Octopus”, raporti që renditi Kosovën në majat e botës dëshmon, ndër të tjera profesionalizmin e institucioneve të sigurisë.
“Raporti i fundit i Gallup për Rendin dhe Ligjin e radhit Kosovën në majat e botës, duke dëshmuar:
✅ Profesionalizmin e institucioneve tona të sigurisë; ✅ Gatishmërinë për anëtarësim në INTERPOL, NATO dhe BE, si vend model për rajonin dhe Evropën; ✅ Kosovën si vend të sigurt për investime, biznes dhe turizëm; ✅ Deklasimin e propagandave të Serbisë e Rusisë për kinse shkelje të të drejtave të serbëve. Kosova është sot e para në Evropë dhe e treta në botë – një histori suksesi dhe shembull unik i përparimit demokratik, që garanton siguri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar Musliu në rrjetin e tij social “Facebook”.
Rezultatet si këto i ka vlerësuar si inkurajuese dhe mbresëlënëse avokati, Arbër Jashari.
“Në rangun botëror, vetëm qytetarët e Taxhikistanit dhe Singaporit ndihen më të sigurt se kosovarët, ndërsa në Evropë jemi të parët, duke lënë pas shtete të zhvilluara si Austria, Zvicra e Norvegjia. Laë and Order Index është një instrument që mat se sa të sigurta ndihen njerëzit në vendin ku jetojnë – pra, perceptimin e sigurisë personale dhe besimin ndaj institucioneve si policia. Indeksi bazohet në sondazhe globale që Gallup zhvillon në mbi 140 vende të botës.Publikimi dëshmon se, pavarësisht sfidave dhe lajmeve të zymta që dëgjojmë çdo ditë, qytetarët e Kosovës ndihen të sigurt në shtetin e tyre dhe ruajnë besim të palëkundur në organet e sigurisë”, ka shkruar avokati.
Indeksi i Gallup mat perceptimin e qytetarëve lidhur me sigurinë e tyre personale, besimin që kanë te policia dhe gjasat për të qenë viktimë e krimeve të dhunshme ose vjedhjeve. Pikërisht në këta tregues, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, duke tejkaluar shumicën e vendeve të Evropës dhe botës.