Kosova e Shqipëria, ura më e fortë rajonale, Bosnja dhe Serbia mbeten “tokë e panjohur”

05 qershor 2026 | 08:03

Pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare për bashkëpunim rajonal dhe nismave për lëvizjen e lirë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbeten gjeografikisht të izoluar nga njëri-tjetri.

Të dhënat “Barometrit të Ballkanit 2025” nga Këshilli i Bashkimit Rajonal tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e banorëve të rajonit 22% nuk kanë vizituar kurrë asnjë nga ekonomitë fqinje për shkak të barrierave politike, mungesës së infrastrukturës etj.

Rezultatet e Anketës tregojnë se Bosnja dhe Hercegovina është vendi më pak i vizituar nga vendet e tjera të rajonit, ku mesatarisht 46% e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë shkelur kurrë atje. Ajo ndiqet nga Maqedonia e Veriut 38%, Shqipëria dhe Kosova me nga 37% secila.

Në kahun tjetër, Mali i Zi rezulton vendi më i eksploruar, me vetëm 21% të qytetarëve të rajonit që nuk e kanë vizituar asnjëherë.

Shqiptarët dhe Kosova: Një urë e fortë, por Bosnja dhe Serbia mbeten “tokë e panjohur”

Për qytetarët e Shqipërisë, Kosova mbetet destinacioni më i afërt dhe më i vizituar. Vetëm 20% e shqiptarëve të Shqipërisë thonë se nuk kanë qenë kurrë në Kosovë. Ky raport është edhe më i fortë në kahun e kundërt, ku vetëm 4% e qytetarëve të Kosovës nuk e kanë vizituar kurrë Shqipërinë, duke konfirmuar lidhjet e ngushta kulturore, etnike dhe turistike.

Megjithatë, lëvizshmëria e shqiptarëve zbehet ndjeshëm kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të rajonit:72% e shqiptarëve të Shqipërisë nuk kanë vizituar kurrë Serbinë. 66% e tyre nuk kanë qenë kurrë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Për Kosovën, izolimi me këto dy vende është edhe më ekstrem, kryesisht për shkak të barrierave politike dhe regjimit të vizave me Bosnjën. 79% e qytetarëve të Kosovës nuk kanë vizituar kurrë Bosnjën dhe 67% nuk kanë qenë kurrë në Serbi.

Fqinjësi pa komunikim

Të dhënat nxjerrin në dritë edhe hendeqe të tjera të thella ndërmjet vendeve që ndajnë kufij të përbashkët. Për shembull, 68% e qytetarëve të Serbisë nuk kanë vizituar kurrë Shqipërinë, ndërsa 60% e qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës nuk kanë shkelur kurrë në Shqipëri apo Kosovë.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shfaqen si vendet më neutrale dhe më të aksesueshme për të gjithë. Mali i Zi është veçanërisht i vizituar nga serbët (vetëm 7% nuk e kanë vizituar dhe nga boshnjakët, vetëm 8% nuk e kanë vizituar, kryesisht për shkak të turizmit bregdetar dhe lidhjeve historike.

Një e pesta e rajonit nuk lëviz fare

Një tjetër tregues negative për integrimin rajonal është se 22% e qytetarëve në nivel rajoni deklarojnë se nuk kanë vizituar asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo shifër shkon deri në 36% për qytetarët e Malit të Zi dhe 30% për ata të Maqedonisë së Veriut, duke dëshmuar se për një pjesë të madhe të popullsisë.

Anketa e Barometrit 2025 tregon se pa heqjen definitive të barrierave politike dhe pa përmirësimin e infrastrukturës rrugore e hekurudhore, integrimi i Ballkanit do të mbetet më shumë një projekt në letër sesa një realitet i jetuar nga qytetarët e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një studio televizive, të hënën, më 1 qershor, debati…