Kosova është në krizë politike

28 dhjetor 2019 | 15:32

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se vendi ka hyrë në krizë politike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo po ndodh për shkak se partnerët e koalicionit LV dhe LDK nuk kanë mirëbesim mes vete për ta formuar qeverinë e ardhshme.

Hoxhaj ka thënë se u takon LV-së dhe LDK-së t’i formojnë institucionet pasi ato janë deklaruar publikisht para qytetarëve për një gjë të tillë. Ai ka thënë se në 20 vjetët e fundit Kosova është dëmtuar me qeveri me mandat afatshkurtër. Hoxhaj ka thënë se vendi nuk duhet të shkojë sërish në zgjedhje të reja.

“Nuk mendoj se më 6 tetor qytetarët kanë dalë në zgjedhje për të mbajtur sërish zgjedhje të parakohshme. Qytetarët presin që të ketë institucione të reja dhe të mos blihet kohë”, është shprehur Hoxhaj

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe pas gati tre muajsh Kuvendi i Kosovës është konstituuar dhe tash po presim edhe formimin e qeverisë së re?
Hoxhaj: Të enjten është bërë një hap i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, të zbatimit të Kushtetutës dhe marrjes së mandatit nga qytetarët nga ana e Kuvendit të Kosovës. Mendoj se politikisht vendi është në krizë meqë duket se nuk ka besim dhe vullnet mes partnerëve të cilët do të duhej ta formojnë koalicionin qeverisës dhe si të lëvizet përpara. Do të thotë, e kam përshtypjen se vendi është në një lloj krize politike.

 “Epoka e re”: Kuvendi është konstituuar dhe tash po shkojmë drejt formimit të qeverisë. Pse po thoni krizë politike?
Hoxhaj: Partnerët e koalicionit nuk janë afër që të merren vesh për përbërjen e qeverisë dhe po shohim hapat e njëanshëm të një subjekti politik dhe deklarime shumë kundërthënëse të një subjekti tjetër politik, gjë që tregon se është një situatë e paqartë dhe më e komplikuar sesa e kanë pritur qytetarët e Kosovës. Të dy partitë kanë deklaruar publikisht se do të bëjnë koalicion paszgjedhor dhe u takon këtyre dy partive që t’u tregojnë qytetarëve se cilat janë problemet për mosunitetin e tyre politik.

“Epoka e re”: Si e komentoni refuzimin e Albin Kurtit për takim me presidentin Hashim Thaçi pas dy ftesave që mori për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit?
Hoxhaj: Nuk e di cili ka qenë komunikimi mes kandidatit për kryeministër dhe presidentit të vendit. Nuk e di se cilat janë situatat e brendshme politike te partitë politike, konkretisht te Lëvizja Vetëvendosje për shkuarje ose jo në takim. Por një gjë e di, se kanë kaluar më pak se 90 ditë pas 6 tetorit, ka kaluar një muaj pas certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe është një paqartësi e madhe se si do të mund të duket qeveria e ardhshme sa i takon komunikimit edhe publik që kanë partnerët e koalicionit. Natyrisht se vetëm shumica parlamentare dhe presidenti mund t’i japin drejtim një agjende kohore se kur mund të formohet qeveria e ardhshme.

“Epoka e re”: A besoni se do të formohet qeveria në mes të LV-së dhe të LDK-së duke i ditur raportet që kanë tashmë së fundmi?
Hoxhaj: U takon atyre që ta bëjnë qeverinë, por një gjë e di, se vullneti politik e tejkalon çdo pengesë dhe nuk mund të jetë një post apo ministri pengesë. Të dy partnerët duhet të kenë respekt reciprok me njëri-tjetrin. Ne si opozitë nuk duam të japim as këshilla dhe as t’ju shesim mend se si duhet ta bëjnë qeverinë e ardhshme. Pas shpalljes së zgjedhjeve qëndrimi i PDK-së ka qenë korrekt, se do të jemi opozitë. Kështu që ata duhet ta përmbushin mandatin kushtetues.

 “Epoka e re”: Sa janë gjasat që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të reja?
Hoxhaj: Nuk e di se cilët janë skenarët që i kanë partnerët e koalicionit që duan t’i formojnë institucionet e ardhshme, por mund t’ju them se vendi është dëmtuar në 20 vjetët e fundit me qeveri afatshkurtra. Unë nuk mendoj se më 6 tetor qytetarët kanë dalë në zgjedhje për të mbajtur sërish zgjedhje të parakohshme. Qytetarët presin që të ketë institucione të reja dhe të mos blihet kohë.

“Epoka e re”: Në rast se vendi shkon në zgjedhje, PDK-ja a është e gatshme?
Hoxhaj: Ne presim vendimet e atyre që pretendojnë se do ta formojnë qeverinë e ardhshme dhe mandej do të bëjmë një analizë se cilat janë interesat e vendit dhe të PDK-së. Nuk ma merr mendja se duhet hyrë në skenarë që aktualisht janë imagjinarë.

 “Epoka e re”: Cili do të jetë roli i PDK-së në opozitë, veçanërisht në temat e mëdha që e presin vendin siç është dialogu me Serbinë?
Hoxhaj: PDK-ja do të jetë një parti e cila do të ndjekë edhe një filozofi politike, një logjikë shtetërore për bërjen e opozitës. Se cilat mund të jenë qëndrimet tona për temat e caktuara dhe metodat politike është herët të thuhet. Ne nuk e dimë se si duket përbërja e qeverisë, ne nuk e dimë se cili do të jetë programi qeverisës dhe ne nuk e dimë se si do të sillet qeveria e ardhshme në raport me interesat shtetërore të vendit. Një gjë e di, se në një demokraci qeveris edhe ajo shumicë parlamentare e cila mund ta formojë qeverinë, por edhe opozita e ka pushtetin e saj. Pushteti i opozitës është beteja e ideve të reja dhe beteja e zgjidhjeve të reja. Ne si parti kemi përvojë më të gjatë duke qenë në qeveri dhe, po ashtu, kemi edhe një përvojë të mirë të opozitës 2004-2007.

 “Epoka e re”: A e keni pritur këtë rezultat të PDK-së më 6 tetor?
Hoxhaj: Jo, nuk e kemi pritur. Ne e kemi ditur që është një dallim jo i madh mes tri subjekteve të tjera politike. Kemi qenë të vendosur që ta japim maksimumin që t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve, veçanërisht të elektoratit të PDK-së. Mendoj se disponimi ka ndryshuar në dy-tre ditët e fundit dhe është bërë dallimi. Zgjedhjet që janë mbajtur më 6 tetor janë zgjedhje ku dallimi mes partisë së parë, të dytës dhe të tretës është 5-6 deputetë dhe nuk janë zgjedhje klasike të cilat i ka fituar PDK-ja në vitet 2010, 2014 dhe 2017, ku dallimi në votë mes partisë së parë dhe partive të tjera është i madh. Në këtë drejtim ne e kemi marrë seriozisht mesazhin e qytetarëve dhe kemi bërë analizat e brendshme dhe kemi marrë vendime politike të qarta se ne shkojmë në opozitë, por nuk e bllokojmë askënd sikurse në të kaluarën që kanë bërë të tjerët.

 “Epoka e re”: Z. Hoxhaj, PDK-ja e ka zgjedhur liderin, por jo edhe kryesinë e re. Kur do të ndodhë kjo?
Hoxhaj: Këto ditë do ta kemi një takim të Këshillit Drejtues. Besoj se këto ditë kryetari i partisë mund të dalë me propozime se si mund të duket Kryesia e ardhshme e Partisë Demokratike të Kosovës. Ne do të kemi debat permanent në atë se çfarë do të duhej të ndryshojë brenda PDK-së edhe në nivel qendror, por edhe në nivel të degëve dhe nëndegëve.

Mal QORRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë që ishin në pushtet në mandatin e kaluar në…