Kosova Euro-Atlantike meriton unitet ndërmjetësimi BE-ShBA

11 qershor 2020 | 11:56

Prof. Lisen Bashkurti

Në fazën aktuale procesi i zgjidhjes së krizës Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë kritike. Pas një bllokimi disavjeçarë për arsye lokale, rajonale dhe konjukture ndërkombëtare, duket se po vjen momenti që aktorët dhe faktorët relevantë t’i rikthehen bisedimeve. Qëllimi i bisedimeve në këtë fazë është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, e ratifikuar nga parlamentet e dy shteteve si dhe me vlefshmëri juridike dhe garanci ndërkombëtare.

Në këtë fazë, krahas procedurës për hapjen e negociatave dhe të përgatitjes së thelbit përmbajtësor të draft-marrëveshjes janë edhe dy aspekte që mbeten objekt debati dhe polemike politike në Kosovë dhe më gjerë: së pari, formati i ndërmjetësuesit ndërkombëtar dhe, së dyti, shpejtësia e negociatave për arritjen e marrëveshjes. Në këtë shkrim do analizojmë aspektin e parë, atë të ndërmjetësuesit ndërkombëtar. Aspektin e dytë do e vijojmë së afërmi me një shkrim tjetër.

Bisedimet, dialogu dhe negociatat Kosovë-Serbi vuajnë nga mungesa e thellë e besimit midis palëve si dhe nga garancia e zbatimit të vendimeve të dala prej tyre. Për këto arsye, pra besueshmërie dhe garancie për zbatimin e vendimeve, negociatat Kosovë-Serbi kanë nevojë për ndërmjetësim diplomatik ndërkombëtarë, me kredibilitet dhe fuqi imponuese e garantuese mbi palët.

Lidhur me ndërmjetësimin ndërkombëtar, brenda Kosovës po ndodh kohët e fundit një përplasje serioze. Po duken qartë se polemika politike dhe polarizimi në Kosovë edhe lidhur me formatin e ndërmjetësuesit ndërkombëtar po thellohet. Debati po bëhet rreth tre pyetjeve: Do vijojë të mbetet ndërmjetësuese e vetme BE? Do të hyjë si ndërmjetësues i vetëm ShBA? Apo do kemi një rikthim te ndërmjetësimi dypalësh Euro-Atlantik, BE-ShBA? Ky debat vë në dyshim serioz vetë natyrën e projektit Euro-Atlantik të Kosovës.

Le të kujtojmë se prej Konferencës së Rambujesë, 1999, faktori politik në Kosovës ka qenë i unifikuar në qëndrimin pro Euro-Atlantik. Ishte ky unifikim i brendshëm Kosovar që ia lehtësoi punët faktorit Euro-Atlantik gjatë në dizajnimin, mbështetjes dhe realizimit të projektit të Kosovës. Euro-Atlantizmi ka qenë përcaktues për çlirimin e Kosovës nga diktatura Serbe, për shpalljen e pavarësisë së saj, për shtetformimin, për njohjen ndërkombëtare dhe më tej për integrimin në nisma dhe organizata rajonale dhe universale.

Për herë të parë projekti i Kosovës u devijua njëanshmërisht nga bashkëveprimi Euro-Atlantik BE-ShBA në vitin 2012. Ishte koha kur Shtëpia e Bardhë nën Presidentin Obama deklaroi një strategji tërheqje nga Ballkani dhe Lindja e Mesme drejt Lindjes së Largët. Për të mos lënë boshllëk politiko-diplomatik BE rriti interesimin, praninë dhe veprimin e tij në Ballkan. Problemi themelor ngelej, sikundër edhe sot, zgjidhja e nyjës Kosovë-Serbi. Për këtë BE shprehu gatishmërinë për të ndërmjetësuar bisedimet Kosovë-Serbi, pa praninë e ShBA.

Pikërisht në vitin 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në bazë të së cilës mandatonte Qeverinë e Kosovës për të hapur bisedimet teknike me Serbinë, që për herë të parë do bëheshin përmes ndërmjetësimit të BE. Ishte kjo iniciativa e parë e ndërmarrë nga Kosova për tu dakordësuar për të ndryshuar formatin Euro-Atlantik të ndërmjetësuesit ndërkombëtar të bisedimeve Kosovë-Serbi, nga formati i ndërmjetësuesit dypalësh Euro-Atlantik BE-ShBA, në ndërmjetësues të njëanshëm vetëm BE pa ShBA. Pra, ishte Qeveria e Kosovës, e kryesuar asokohe nga Thaçi që e mbështeti pa e vrarë mendjen në mënyrë afatgjate këtë ndryshim të formatit të ndërmjetësuesit ndërkombëtar, nga format Euro-Atlantik BE-ShBA, në format të njëanshëm BE, pa ShBA.

Palës Serbe i konvenonte shumë mënjanimi i ShBA nga ndërmjetësimi i bisedimeve Kosovë-Serbi, prandaj u dakordua menjëherë me ndryshimin e formatit të ndërmjetësimit. Kjo, sepse pala Serbe, nga njëra anë ishte e interesuar për të përçarë dyshen BE-ShBA në qasjen ndaj Kosovës. Nga ana tjetër, duke mos pasur praninë e faktorit të ShBA, pala Serbe, do të shfrytëzonte më lehtë përçarjen ekzistuese brenda BE lidhur me statusin e Kosovës, për realizimin e strategjisë së saj politike në marrëveshjen e ndërmjetësuar vetëm nga BE. Në këtë lëvizje, Serbia gëzonte mbështetjen e plotë të Rusisë sepse i shërbente njëkohësisht kësaj të fundit edhe si ‘Kalë Troje’ për interesat gjeopolitike të saj për të dobësuar aleancën Euro-Atlantike në tërësi dhe BE në veçanti.

Bisedimet Serbi-Kosovë me ndërmjetësimin e BE, pa praninë e ShBA vijuan plotë tetë vjet. Ato prodhuan rreth njëzet e pesë marrëveshje teknike dhe politike, shumica e të cilave nuk janë zbatuar. Mbas tetë vitesh bisedimet u bllokuan. Diplomacia e BE, asokohe me Federika Mogerinin në krye nuk i udhëhoqi dot bisedimet drejt zgjidhjes përfundimtare. Kryediplomatja e BE-së me apo pa dashje hapi çështjen më të rrezikshme për Kosovën, Ballkanin dhe mbarë Evropën – atë të ndryshimeve territoriale. Mogerini ra në grackën e opsionit serb, të mbështetur nga Presidenti i Kosovës, H. Thaci e më pas edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, E. Rama. Trojka Vuçiq-Thaçi-Rama, rreth vitit 2016 filluan të vepronin në mbështetje të projektit serb dhe nën ndikimin e faktorëve të tjerë gjeopolitik dhe lobues në mbështetje të tij. I gjendur përballë sfidave të tjera të brendshme asokohe, BE-ja dhe shtetet kryesore të tij, nuk i kushtuan vëmendjen e duhur bisedimeve Kosovë- Serbi, derisa kriza e tyre shpërtheu hapur politikisht e publikisht në Kosovë, Shqipëri, Ballkan dhe në botë.

Kur situata u fut në një tunel të mbyllur dhe të rrezikshëm, të dy partnerët Euro-Atlantik, BE dhe ShBA iu rikthyen agjendës së Ballkanit, me fokus të veçantë bisedimet Kosovë-Serbi. Për, këtë herë, dy partnerët Euro-Atlantik, BE dhe ShBA nuk duken të jenë të unifikuar politikisht dhe të dakorduar diplomatikisht për të ndërmjetësuar së bashku, si më parë, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Klima e marrëdhënieve BE-ShBA në përgjithësi nuk është si më parë, sikundër qasja e tyre ndaj zgjidhjes së krizës Kosovë-Serbi nuk është e qartë. Edhe në Kosovë është reflektuar dilema ShBA-BE.

Një qasje politike Kosovare është për ndërmjetësim vetëm nga ShBA, dhe jo më BE. Paradoksalisht, këtë opsion e mbështet presidenti Thaçi dhe përkrahësit e tij. Themi paradoksalisht sepse Thaçi ka ndërruar tri herë qasjen e tij ndaj ndërmjetësuesit ndërkombëtar. Në fillimet e çështjes së Kosovës o nga Rambujeja e vitit 1999 deri nga vitet 2011, Thaçi ka mbështetur dyshen Euro-Atlantike BE-ShBA si ndërmjetësues ndërkombëtar për Kosovën. Nga viti 2012 deri në 2018 ishte sërish Thaçi që u pajtua me ndërmjetësimin e njëanshëm të BE, pa ShBA, format ky anti-ShBA i preferuar i Serbisë. Mbas vitit 2018, kur opsioni sekret serbo-rus për copëtimin territorial të Kosovës u ekspozua dhe u kundërshtua masivisht në Kosovë, Ballkan dhe në Evropë por ngeli ambig në Shtëpinë e Bardhë, është sërish Thaçi që radikalizmi qëndrimin e tij, duke bërë një kthesë në mbështetje të ndërmjetësimit vetëm të ShBA dhe duke u deklaruar si anti-BE.

Lëvizje të tilla të paprincipta dhe të pajustifikueshme të presidentit Thaçi ndaj qasjes së faktorëve Euro-Atlantik, BE-ShBA, duket se kanë një prapavijë të fshehtë. Së pari, ato janë lëvizje të nxitura nga projekti i bisedimeve sekrete Kosovë-Serbi, i cili qartësisht synon copëtimin e Kosovës dhe të ekonomisë së saj në dobi të Serbisë. Së dyti, lëvizjet e Thaçit ndaj qasjes Euro-Atlantike BE-ShBA lidhen edhe me interesa personale politike të tij në Kosovë. Së treti, lëvizjet e Thaçit padyshim diktohen edhe nga problematikat që ai ka me drejtësinë ndërkombëtare për periudhën përpara, gjatë dhe mbas luftës për çlirimin e Kosovës. Në analizë të fundit çdo qasje nga kushdo që të vijë që synon përçarjen Euro-Atlantike në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti është drejtpërdrejtë dhe pa pikë dyshimi në dobi të faktorëve serbo-rus.

Opsioni i dytë, që duket i mbështetur më gjerësisht në Kosovë është ndërmjetësimi unik Euro-Atlantik, ShBA-BE. Në Kosovë nuk ka qasje me ndikim të madh anti-ShBA. Shfaqjet aty-këtu të simptomave kundër ShBA janë sporadike dhe të paqëndrueshme dhe lidhen më shumë me konjukturën politike afatshkurtër dhe me pakënaqësitë ndaj individëve të veçantë përfaqësues të ShBA dhe assesi nuk lidhen me Shtetin dhe popullin Amerikan.

Në Kosovë, gjithashtu, nuk ka frymë anti-BE. Simptomat që shfaqen janë gjithashtu sporadike dhe të paqëndrueshme dhe lidhen me konjuktura afatshkurtra dhe ndonjë shtet të veçantë jo miqësor me Kosovën. Faktorët lokalë në Kosovë janë gjerësisht Euro-Atlantik. Ato e konsiderojnë dhe mbështesin BE dhe ShBA si shpëtimtarët dhe mbështetësitë e tyre më të mëdhenj. Mbi këtë bazë të gjerë popullore pro Euro-Atlantike politika në Kosovë lypet t’i qëndrojnë kërkesës për bashkëpunim unik Euro-Atlantik BE-ShBA deri në fund të projektit të Kosovës dhe kurrsesi të mbajnë qasje të dyzuar midis tyre.

Historia 21-vjeçare e Kosovës dëshmon se sa herë faktori Euro-Atlantik ka vepruar i unifikuar në Kosovë, sukseset e kësaj të fundit kanë qenë të dukshme dhe të garantuara. Kur faktorët Euro-Atlantik, për shkaqe të ndryshme, kanë vepruar veç e veç, projekti i Kosovës ka njohur status quo ose kthim prapa. Në qasjen ndaj ndërmjetësuesit gjithë faktori politik dhe institucional në Kosovë nevojitet të mbështesin formatin e unifikuar Euro-Atlantik BE-ShBA. Kjo qasje buron nga vetë karakteri Euro-Atlantik i projektit të Kosovës. Është Serbia dhe mbështetësja e saj e fortë, Rusia që tentojnë prej vitesh të fusin pyka përçarëse midis faktorit unik ShBA-BE dhe projektit Euro-Atlantik Kosovë me qëllimin e vetëm për t’i hapur rrugë ndikimit, pranisë, interesave dhe veprimeve gjeopolitike ruse në Ballkan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…