Kosova fillon përgatitjet për ndeshjen ndaj Estonisë

15 shtator 2020 | 22:58

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave i ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Estonisë.

“Dardanet” janë grumbulluar dje në hotel “Venus”, derisa sot kanë kryer dy seanca stërvitore në stadiumin “Agron Rama” nën drejtimin e përzgjedhëses Afërdita Fazlija dhe asistentëve Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli.

Për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe për shkak të pandemisë, Përfaqësuesja në duel me estonet do të hyjë me futbolliste të klubeve të Superligës, me përjashtim të Erëleta Memetit dhe Edona Kastratit që iu kanë bashkëngjitur ekipit gjatë ditës së sotme. Ndonëse me një grup të ri të futbollisteve dhe me forca nga kampionati vendor optimizmi për sukses nuk mungon.

Entuziazmi, vullneti dhe dëshira për paraqitje sa më dinjitoze vërehet te secila prej lojtareve të grumbulluara, por brengë mbetet forma fizike, duke pasur parasysh se aktiviteti i futbollit të femrave në Kosovë është ndërprerë që një kohë të gjatë për shkak të pandemisë. Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Estonisë do të zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në festën e Vitit…