Kosova heq tarifën ndaj mallrave amerikane

01 gusht 2025 | 11:37

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.

“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë Kurti në nisje të mbledhjes së qeverisë.

Kurti ka thënë se përmes këtij hapi dëshmohen marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe tregohet se Kosova dëshiron të ketë marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i Kurtit ka ardhur një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i ka prezantuar tarifat e reja ndaj 69 vendeve me të cilat bën tregti ShBA-ja, me arsyetimin se ato kanë qenë të padrejta ndaj ekonomisë amerikane.

Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë është thënë se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.

Në atë urdhër, Kosova ishte goditur me tarifë reciproke prej 10 për qind, ashtu sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi.

Me vendimin e ri për tarifat, që do të zbatohet prej 7 gushtit, vendet tjera të Ballkanit janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15 për qind, Bosnje-Hercegovina 30 për qind dhe Serbia 35 për qind.

Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat janë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa që shkojnë deri në 41 për qind.

Trump, fillimisht, i pati bërë publike tarifat në prill, por më pas i ka pezulluar ato për 90 ditë, që të mundësojë zhvillimin e negociatave me palët e interesuara.

Kur tarifat ishin përmendur për herë të parë, ekspertët në Kosovë patën vlerësuar se ato do të kenë shumë ndikim për shkak të varësisë së madhe nga importet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pati kërkuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës pezullimin e taksës, por ajo kishte mbetur në fuqi.

Osmani pati thënë se zyra e saj e ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri – diçka që nuk ka ndodhur ende, as pas mbi 50 tentimesh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka vdekur një…