Kosova hyn në vitin e tretë të padrejtësisë ndaj strategëve të lirisë

02 janar 2023 | 11:52

Procesi gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë pritet të nisë në fillim të vitit 2023.  Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë që nga viti 2020. Edhe gjatë vitit 2022 avokatët kanë kërkuar nga Gjykata Specile që liderët e UÇK-së të mbrohen në liri, por këto kërkesa nuk janë marrë parasysh. Gjatë seancave parapërgatitore avokatët mbrojtës kanë hedhur akuza në drejtim të ZPS-së për fsheje të dokumenteve shfajseuese dhe bashkëpunim me Serbinë dhe shërbimet sekrete të këtij shteti. Gjatë vitit 2022 Speclaja ka dënuar Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Salih Mustafën

Lirim GECI

Gjykata Speciale në Hagë, në të cilën janë duke u mbajtur strategët e lirisë së Kosovës që nga nëntori i vitit 2020, është shndërruar në vend pelegrinazhi.

Gjatë vitit 2022, liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, janë vizituar nga personalitete të shquara të jetës publike shqiptare. Krahas vizitave, në vitin 2022 janë zhvilluar disa seanca parapërgatitore për fillimin e gjykimit të liderëve të UÇK-së, i cili pritet të nisë në fillim të vitit 2023 dhe janë shpallur dy aktgjykime, shkruan “Epoka e re”.

Drejtuesit e OVLUÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar nga shkalla e parë e Speciales me nga 4 vjet e gjysmë burgim, ndërsa ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, i njohur si “Cali”, është dënuar me 26 vjet burgim, po ashtu nga shkalla e parë e kësaj gjykate. Këto dënime janë vlerësuar të ndikuara politikisht dhe me argumente serbe. Më 24 dhjetor në Prishtinë është protestuar kundër dënimit të “Calit”.

Kjo protestë është organizuar nga PSD-ja e Dardan Molliqajt. Në këtë protestë është kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale. Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i njohur si komandant “Ujku”, nuk ka filluar ende. Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022 avokatët mbrojtës kanë kërkuar disa herë që liderët e UÇK-së të mbrohen në liri, duke ofruar edhe garanci, por nuk janë marrë parasysh nga Gjykata Speciale. Po ashtu, gjatë konferencave për ecurinë e çështjes, avokatët mbrojtës kanë akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se është duke u shërbyer me dokumente serbe dhe fshehur provat shfajësuese ndaj liderëve të UÇK-së.

ZPS-ja ka fshehur provat shfajësuese për liderët e UÇK-së

Në konferencën e dhjetë për ecurinë e çështjes të mbajtur më 4 shkurt, avokatët e liderëve të UÇK-së kanë akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se ka fshehur provat shfajësuese për klientët e tyre. Ata kanë thënë se në këtë mënyrë ZPS-ja ka shkelur të drejtat e Hashim Thaçit, të Kadri Veselit, të Jakup Krasniqit dhe të Rexhep Selimit. Para trupit gjykues, Gregory Keohe, avokat i Hashim Thaçit, ka përmendur një deklaratë të cilën e ka dhënë ish-ambasadori i OSB-së në Kosovë, Dan Everts, e cila është shfajësuese për Thaçin dhe të tjerët. Po ashtu, ai ka thënë se as deklaratën e ish-kryeministrit Bujar Bukoshit nuk e ka dorëzuar ZPS-ja. Ndërsa avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar të dijë nga prokuroria se edhe sa materiale shfajësuesi ka, mirëpo prokurorja Claire Lawson nuk ka treguar se edhe sa materiale të tilla ka.

ZPS-ja akuzohet se po dëshiron ta përjashtojë mbrojtjen për intervistimin e dëshmitarëve

Në seancën e 22 shkurtit është diskutuar në lidhje me intervistimin e dëshmitarëve në rastin e Thaçit dhe të tjerëve. Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se mbrojtjes duhet t’i lejohet qasje pa kufizime për intervistimin e dëshmitarëve. Ai ka thënë se në situatën aktuale dhe me masat mbrojtëse të propozuara nga prokuroria, nuk ka barazi në mes të palëve në procedurë.

Ndërsa avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Prokurorisë së Speciales në lidhje me protokollin e propozuar nga ajo për kontaktet me dëshmitarët. Emmersoni ka thënë se pretendimet e Prokurorisë për ndërhyrje të mundshme të mbrojtjes te dëshmitarët janë qesharake dhe fyese. Avokati i Veselit ka thënë se Prokuroria ka orkestruar takim me ambasadorët evropianë për çështjen e të akuzuarve dhe, sipas tij, kjo është diçka shokuese. Sipas tij, këto janë zhvillime të tmerrshme. Ndërsa në seancën e 20 marsit avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka thënë se gjatë punës së tij 30-vjeçare nuk ka parë kaq shumë redaktime në dokumente. Ai ka rrëfyer vështirësitë me të cilat po ballafaqohet mbrojtja për shkak të redaktimeve në dokumentet e aktakuzës. Sipas tij, kjo e ka vështirësuar punën e mbrojtjes që të kuptojë se çfarë prokuroria po tenton të vërtetojë.

Mbrojtja e liderëve të UÇK-së: Prokuroria po shërbehet me materiale të UDB-së

Mbrojtja e liderëve të UÇK-së në seancën e 24 marsit ka fajësuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë për fshehje të dokumenteve shfajësuese. Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, e ka akuzuar ZPS-në se ka marrë shumë informacione dhe dokumente nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (UDB-a). Sipas avokatit Keohe, me mijëra materiale shfajësuese janë duke u fshehur nga ZPS-ja edhe 16 muaj pas burgosjes së liderëve të UÇK-së. Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se deri më tani mbrojtja ka kërkuar mbi 1 000 dokumente të ndryshme. Sipas tij, ndonëse ishte premtuar se ato do t’i dorëzohen mbrojtjes, deri më sot kjo nuk ka ndodhur.

Kurse mbrojtja e Kadri Veselit gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes ndaj krerëve të UÇK-së ka fajësuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se nuk i ka nxjerrë provat shfajësuese. Avokati i Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se të gjitha provat që gjenden në domenin publik konfirmojnë manipulimet e provave nga autoritetet serbe. Ai ka shtuar se këto prova janë të rrejshme, të cilat përfshijnë torturën dhe shantazhin, dhe të njëjtat nuk janë dhënë nga ZPS-ja, apo nuk i ka përfshirë në materialet shfajësuese

Drejtuesit e UÇK-së deklarohen të pafajshëm, kërkojnë fillimin e gjykimit

Më 11 maj liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për disa aktakuza të reja që janë paraqitur më 29 prill pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Thaçi ka thënë se nuk e ka kuptuar aktakuzën pasi, sipas tij, materialet kanë qenë shumë të redaktuara. Ai është deklaruar i pafajshëm. Edhe Veseli është deklaruar i pafajshëm, duke kërkuar që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt për ta shprehur pafajësinë para qytetarëve të Kosovës. Të pafajshëm janë deklaruar edhe Krasniqi e Selimi, të cilët, gjithashtu, kanë kërkuar të përshpejtohet procesi gjyqësor

ZPS-ja fshehu dokumentet shfajësuese të CIA-s dhe DASh-it

Avokati amerikan Gregory Kehoe, i cili mbron ish-presidentin Hashim Thaçi, në një seancë gjatë shkurtit të këtij viti, më 1 qershor ishte parë në kulmin e frustrimit, pasi kishte zbuluar se Prokuroria e Gjykatës Speciale kishte mbajtur të fshehta disa prova shfajësuese për të akuzuarit, mes të cilave edhe ajo e dhënë nga ish-diplomatit i lartë i OSBE-së, Dan Everts. Evertsi, që ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës, mes të tjerash, i kishte thënë prokurorisë se veprimtaritë kriminale, pas qershorit të vitit 1999, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për përfitime personale, e nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare. Prokuroria është akuzuar se ka mbajtur të fshehtë një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), të datës 4 maj 1999, në të cilën është thënë se nuk kishte strukturë politike ose komandë dhe kontroll efikas të UÇK-së. I fshehur ishte mbajtur edhe një raport i CIA-s, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile. Në një dokumentar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, i titulluar “Devijimi special”, është zbuluar saktë se çfarë shkruhej në këto letra/dokumente. Fshehja e provave shfajësuese është konsideruar me pasoja të rënda dhe shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa mbrojtja ka kërkuar në procesin e shpalosjes së materialeve dhe dëshmive të instalohet një mbikëqyrje e pavarur.

Mbrojtja e liderëve të UÇK-së kërkon nga prokuroria dorëzimin e materialeve shfajësuese

Në konferencën e 13-të për ecurinë e çështjes në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të mbajtur më 13 korrik, mbrojtja dhe prokuroria kanë vazhduar të mërkurën diskutimin rreth nxjerrjes së materialeve. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi këtë konferencë e kanë përcjellë përmes videolidhjes. Mbrojtja ka kërkuar që prokuroria t’ia vë në dispozicion menjëherë dokumentet të cilat lidhen me materialet shfajësuese dhe, sipas saj, ZPS-ja ka materiale të tilla, por nuk i dorëzon ato. Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, ka thënë se prokuroria duhet t’i dorëzojë materialet shfajësuese menjëherë dhe jo t’i kërkohet të bëjë një gjë të tillë duke shtuar se ky është detyrim për ZPS-në. Për këtë ka folur edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aydan Elis, i cili ka thënë se nxjerrja e materialeve shfajësuese nuk duhet të shtyhet më. ZPS-ja e ka kundërshtuar caktimin e një afati për nxjerrje të tilla, duke thënë se kufizimi i prokurorisë në këtë aspekt nuk është në interes të askujt. Ben Emmerson, avokat i Veselit, ka deklaruar se kanë përpara afatin e dorëzimit të dosjeve paraprake dhe kanë ndër mend të mbetet afat i pandryshuar.

Mbrojtja: ZPS-ja në Hagë po bashkëpunon me Beogradin sikur Kosova të jetë pjesë e Serbisë

Katër avokatët e drejtuesve të UÇK-së më 21 gusht kanë shfaqur dilema serioze në bashkëpunimin që e ka Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me Beogradin zyrtar. Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është bërë bashkë, duke kërkuar nga ZPS-ja t’i tregojë cilat materiale i ka marrë nga Serbia. Madje avokatët e liderëve të UÇK-së kanë pretenduar se ZPS-ja në Hagë është duke bashkëpunuar me Beogradin zyrtar, nën parimin se Kosova është pjesë e Serbisë. Në një përgjigje ndaj ZPS-së që e kanë dërguar te gjyqtari, avokatët e katër udhëheqësve të UÇK-së kanë vlerësuar se kjo e cenon rëndë procesin ndaj klientëve të tyre. Ata kanë bërë me dije se janë mbi 1 300 materiale të cilave nuk u dihet vendi i origjinës.

Ndërsa më 9 shtator, avokati i Thaçit ka kërkuar  nga Gjykata Speciale t’i refuzojë dokumentet që Zyra e Prokurorit të Specializuar i merr nga Serbia, ndërsa ka theksuar se e kjo e fundit ka qenë historikisht e përfshirë në fabrikimin e dëshmive dhe dëshmitarëve. Në një intervistë për “Kosovapress”, avokati Kehoe ka thënë se aktakuza është kundër UÇK-së dhe prokuroria po përpiqet ta dokumentojë atë si një organizatë sekrete.

Gjykimi i liderëve të UÇK-së pritet të nisë në fillim të vitit 2023

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, më 21 shtator ka mbajtur në Hagë një konferencë online për medie, në të cilën ka folur në mënyrë kronologjike për ecurinë e proceseve gjyqësore kundër përfaqësuesve të UÇK-së të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim nga viti 2020. Kjo konferencë ishte paraparë të mbahej në Gjilan, mirëpo është anuluar pasi ishte paralajmëruar një protestë kundër vizitës së saj nga ana e Partisë Socialdemokrate (PSD), e cila ishte e mbështetur edhe nga disa degë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Duke folur për rastin e liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kryetarja Trendafilova ka bërë me dije se më së largu deri në fillimin e vitit 2023 pritet të fillojë shqyrtimi kryesor në rastin e katër drejtuesve të UÇK-së.

Mbrojtja e Thaçit zbulon identitetin e tetë dëshmitarëve ndërkombëtarë

Më 4 nëntor ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një mocioni të dërguar gjykatësit të procedurës paraprake, ka treguar se janë tetë dëshmitarë ndërkombëtarë që planifikon të ftojë në gjykimin pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Mbrojtja ka kërkuar që dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të mund të “ruhen” para se të nisë gjykimi. Në listën e paraqitur të dëshmitarëve përfshihen: Wesly Clark, William Walker, Bernard Kouchner, Daan, W. Everts, Michael Durkee, Jock Covey dhe Steve Bennett. Të tetë dëshmitarët janë në moshë të shtyrë, nga 77 deri në 88 vjeç dhe kanë sëmundje të ndryshme dhe për mbrojtjen është ideale që t’i thërrasë këta dëshmitarë. Mbrojtja e Thaçit ka thënë se ka humbur dy dëshmitarë potencialë: ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që vdiq në moshën 84-vjeçare, dhe ish-diplomatin amerikan, që vdiq më 2010 në moshën 69-vjeçare, Richard Holbrooke.

 /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, shprehet se…