Kosova inkurajohet që klimën e investimeve ta përafrojë me praktikat më të mira të BE-së

13 qershor 2022 | 13:15

Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë mbajtur takim në Bruksel, ku kanë diskutuar për zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e tregtisë, industrisë, doganave dhe tatimeve.

Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016. Gjatë takimit, zyrtarët shkëmbyen mendime për fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë, industrinë dhe politikën e NVM-ve, doganat, tatimet dhe lëvizjen e lirë të mallrave.

Në të gjitha fushat, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të programit të reformës ekonomike, agjendës evropiane së reformave dhe rekomandimeve nga raporti i komisionit për Kosovën në 2021.

Bashkimi Evropian ka përshëndetur progresin në kryerjen e reformave në disa fusha dhe i ka kërkuar Kosovës që të rrisë ritmin e zbatimit në të tjerat, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me agjendën evropiane të reformave.

Në fushën e tregtisë, palët diskutuan për deficitin tregtar dhe zhvillimin e politikës tregtare.
Pas pikës së ulët të vitit 2020 në mes të pandemisë, tregtia ndërmjet Kosovës dhe BE-së u rikuperua mirë në vitin 2021 dhe BE-ja mbetet partneri i parë tregtar i Kosovës.

Komisioni ka inkurajuar batimin dhe forcimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe ka kërkuar që protokollet shtesë për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve të ratifikohen me shpejtësi.

Sa i përket klimës së investimeve, u inkurajua përafrimi i mëtejshëm me rregulloret dhe praktikat më të mira të BE-së. Në këtë drejtim, progresi në përafrimin me acquis për sa i përket homologimit të automjeteve u mirëprit gjithashtu. Miratimi i ligjit për tregtinë e jashtme u mirëprit dhe Kosova u inkurajua që të zhvillojë një politikë për adresimin e deficitit tregtar.

Sa i përket doganave dhe tatimeve, Kosova ka bërë progres në ndryshimin e kodit doganor dhe të akcizave për ta harmonizuar atë me legjislacionin e BE-së.

Komisioni Evropian gjithashtu ka përshëndetur hapjen e terminalit të parë doganor në pronësi publike dhe ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë fazën e heqjes së tarifave të përdorimit për objektet doganore. Për më tepër, Komisioni Evropian ka theksuar rëndësinë e luftimit të mëtejshëm të ekonomisë informale dhe ka rekomanduar marrjen e hapave për të hapur rrugën për një reformë gjithëpërfshirëse dhe të plotë të politikës tatimore, duke përfshirë vazhdimin e një digjitalizimi gradual të plotë të të gjitha shërbimeve tatimore.

Sa i përket politikës së industrisë dhe NVM-ve, Komisioni Evropian ka mirëpritur themelimin e gjykatës komerciale e cila ka potencial për të përmirësuar shumë mjedisin e biznesit në Kosovë.

Kosova u zotua të vazhdojë të përmirësojë mjedisin e biznesit duke përfshirë rritjen e digjitalizimit dhe thjeshtimit të licencave dhe lejeve. Komisioni Evropian ka rikujtuar gjithashtu nevojën që Agjencia Kosovare e Investimeve dhe Përkrahjes së Ndërmarrjeve (KIESA) të mbështesë më mirë investimet dhe sektorin privat.

Në lidhje me lëvizjen e lirë të mallrave, diskutimi u fokusua në rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit me acquis të BE-së me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës cilësore në fushat e standardizimit, akreditimit, vlerësimit të konformitetit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar rregullisht çështjet teknike dhe politike në lidhje me reformat që kanë të bëjnë me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe Nënkomitetet e MSA-së, të cilët mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së.

Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Çdo takim i nënkomisionit monitoron dhe shoqëron zbatimin e reformave të Kosovës dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Keni dëgjuar kritika pafund që ju drejtohen atyre që flenë…