Kosova ka histori të shenjtëruar, asgjë nuk e zbeh atë (3)

10 korrik 2020 | 12:03

Shkruan: Kudusi Lama

Shqiptarët në gjithë jetën e tyre nën pushtimin serb e jugosllav janë ndeshur me pushtuesin pa ndërprerje për ta fituar lirinë. Nuk ishte lufta e fundit një fushatë. Ajo ishte lufta që u fitua. Ajo ishte lufta, krisma e së cilës u dëgjua në gjithë botën. Ishte ajo lufta ku u bë pjesëtare dhe mori lavdi e gjithë bota moderne.
Por ka edhe nga ata që nuk duan të dinë për sakrificat e shqiptarëve. Ka edhe nga ata që nuk dinë ose nuk duan të dinë nëse kanë luftuar ose jo shqiptarët për të drejtat e tyre. Ka edhe nga ata që për t’i shërbyer Serbisë përpiqen ta minimizojnë gjithë rrjedhën e zhvillimeve kombëtare shqiptare në Luftën Çlirimtare të Kosovës e më gjerë. Dick Marty ishte dhe është një prej atyre që, meqenëse pati mundësi, i dha një ndihmë Serbisë, duke shpifur për shqiptarët.
Ka nga ata që kam dëgjuar të thonë, se ka korrupsion në Kosovë, prandaj mirë t’u bëhet. Unë nuk dua të pastroj korrupsionin. Unë dua të mos bëhet me baltë lufta e shenjtë çlirimtare. Ajo ka qenë vlera jonë. Atë vlerë, kur ishte e gjallë në terren, e njohën të gjithë anembanë botës. Ndërsa sot, pasi menduan se e vranë në njëfarë mënyrë, po tentojnë edhe ta përbaltin. Ne shqiptarët jemi tolerantë. Por askush nuk duhet të mendojë se na e ka vrarë luftën çlirimtare të Kosovës. Askush nuk duhet të mendojë se na e ka vrarë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ato janë gjallë dhe do të mbeten vlera të mëdha kombëtare në gjithë historinë shqiptare. Ani pse ka edhe ndonjë ndër shqiptarët që shprehet për UÇK-në – “ajo guerilja që ka bërë krime para 20 vjetëve” – keq për të.
Ajo luftë nuk u diktua, siç tentojnë ta etiketojnë disa. Ajo luftë diktoi realisht luftën e botës moderne kundër Serbisë.
Idetë dhe konceptet lidhur me ardhmërinë e kombit tonë ne nuk i ndërtojmë sipas laramanisë së zhvillimeve të të tjerëve, por sipas koncepteve të qëndrueshme të ardhmërisë së shqiptarëve e trojeve të tyre. Sprovat nëpër të cilat kemi kaluar janë treguesi më i qartë i qëndresës sonë kombëtare. Vizioni ynë kombëtar dhe perspektiva e definuar bëjnë që shqiptarët të jenë në çdo kohë të atyndodhur për t’i mbajtur në dorë të gjitha linjat e rrugëtimit në shoqërinë e kombeve.
Historikisht kemi kërkuar paqen, qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, por gjithnjë duke ruajtur identitetin si një sfidë e cila ka qenë bashkudhëtare në përplasjet e mëdha me armiqtë që kanë tentuar të na zhbëjnë e të na grabisin trojet.
Në vazhdimësi, në momente kthesash të mëdha, ne jemi vlerësuar me nota të ulëta e në mjaft raste të dobëta. Na është thënë se nuk kemi krijuar dot institucione të qëndrueshme, se ato nuk arrijnë të prodhojnë stabilitet dhe siguri, se nuk po arrijmë të krijojmë demokracinë dhe mbisundimin e ligjit, se nuk po arrihen standardet e respektimit të të drejtave të njeriut, sepse nuk po arrihen standardet e respektimit të të drejtave të minoriteteve, nuk po krijohet tregu i lirë dhe aftësia për ta mbijetuar konkurrencën e tregut, pastaj marrja përsipër dhe zbatimi i obligimeve dhe detyrave të dala nga kolegjialiteti evropian etj. Dhe, për çudi, të gjitha këto lindin në Beograd e Athinë dhe bëhen edhe deklarime të përkrahësve të tyre, duke krijuar kështu klane antishqiptare deri në politikën e madhe të Evropës.
Kjo më habit, për faktin se kur ishte në proces lufta për çlirimin e Kosovës, të gjithë ishin të mirë.
Flitej se shteti shqiptar ishte në nivel shumë të lartë, megjithëse në atë kohë realisht ai ishte shumë i dobët; Thuhej se Ushtria Çlirimtare ishte një forcë që po kryente një detyrë humane duke marrë në mbrojtje popullin shqiptar në Kosovë nga masakrat e shtetit fashist të Milosheviqit; Thuhej se populli shqiptar është një popull që meriton të vlerësohet me çmimin nobel për qëndresën, unitetin dhe humanizmin; Thuhej se bashkëpunimi me UÇK-në ishte shumë i frytshëm, prandaj sido që të ishte rezistenca serbe, nuk do të futeshin forca tokësore të NATO-s se ishte UÇK-ja në terren; Thuhej se delegacioni i shqiptarëve të Kosovës në Rambuje ishte në nivelin e bashkëpunimit të gjerë ndërkombëtar, kurse ai serb ishte në nivel tepër vulgar; Thuhej se Shqipëria ishte bërë një terren që prodhonte vetëm humanizëm për të shpërngulurit dhe që menaxhon në mënyrë tepër të lavdërueshme njerëzit në nevojë që regjimi fashist serb i kishte nxjerrë nga shtëpitë dhe pronat e tyre; Thuhej e çka nuk thuhej. Dhe nuk thuhej vetëm nga njerëz të nivelit të ultë, por thuhej nga presidenti Klinton, kryetari i OKB-se Kofi Anan, shefi politik i NATO-s, komandanti i NATO-s, kryetar të shteteve evropiane, gjeneralë, ministra, ambasadorë, delegacione, media etj.
Ndërsa sot thuhen monstruozitete. Kjo është shumë interesante. Nga një komb që i duhej dhënë çmimi nobel për humanizëm, tash një popull kanibal që paska ngrënë njerëz.
Këto ndryshime nuk më duken të rastit. Më shkurt, kur ne ishim të fortë, se kishim në mal një ushtri prej 60 mijë luftëtarësh të zgjedhur, ishim të mirë. Se kishim një popull me vete, se kishim një komb të gatshëm për t’i rrëmbyer armët të cilat kishin përballë një shtet serb të ngarkuar mbi çdo masë me krime kundër njerëzve e popujve.
Por ajo kohë kaloi dhe, siç duket, kaluan edhe ato politika të vlerësimit të shqiptarëve, të cilët vërtet i merituan ato vlerësime. Por që segmente të politikës evropiane po tregon se paskan qenë vlerësime tregu, jo vlerësime bindjesh. Kjo na plagos vërtet ne shqiptarëve kur shikojmë se bëhen lojëra edhe me gjëra të tilla kaq serioze dhe bëhen nga ata që pretendojnë ta mbajnë në dorë timonin e anijes botërore në këtë det të trazuar të kohëve.
Dihet që Evropa ka plane të mëdha. Dhe unë jam plotësisht dakord që këto plane të zbatohen. Konkretisht ajo po tenton të bëhet një fuqi botërore, që të ketë kapacitete për t’u vënë përballë fuqive aktuale siç janë ShBA-ja, Kina, Oqeania etj. të cilat kanë sot tendencën për ta sunduar botën në konkurrencë me njëra-tjetrën. T’i krijosh kushtet për t’u ngjitur në një rang të tillë është lavdi. Evropa në këtë rrugë duhet ta ketë mbështetjen e të gjithë evropianëve, ndër ta edhe të shqiptarëve.
Por kur vjen puna tek uniteti, ai nuk mund të arrihet pa krijuar Evropa disa kushte, prej të cilave vlerësoi:
Së pari, pajtimin fetar, që më duket se nuk po e vlerëson si duhet. Nuk mund të ketë Evropë të bashkuar e të fuqishme pa vlerësim të ideve fetare të individëve. Ndërsa Evropa akoma vazhdon ta mbajë lart flamurin e Krishtit. Kjo nuk është politikë serioze dhe nuk ka perspektivë. Kurrë nuk mund të jetë Evropa unike dhe e fuqishme duke bërë diskriminim fetar. Ishte një nismë e shkëlqyer e Papa Gjon Palit të II-te (Vojtilës), për të afruar e pajtuar plotësisht besimet fetare, por që siç duket mbeti atje ku e la ai. Sot në Evropë ka jo vetëm myslimanë që duhen vlerësuar, por edhe budistë e të fesë izraelite që duhen respektuar. Pa këtë vlerësim, nuk mund të ketë unitet. Standardet me të cilat po vlerësohen Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, më lënë shije të hidhur, sepse më kanë krijuar mendimin se nuk janë vlerësime për popuj evropianë, por vlerësime sikur të ishin popuj të ardhur dhe kjo më duket vetëm pre në këto vende dominojnë qytetarë të fesë islame.
Kam lexuar të thuhet se: “Bashkëjetesa si dhe e ardhmja e shoqërive nuk mund të kultivohet dhe zhvillohet duke thirrur në racizëm në emër të cilësdo fe”. Ashtu sikurse: “Feja është institucion shpirtëror derisa nuk keqpërdoret, e kur keqpërdoret ajo më nuk është fe, por është anarki!”
Prej këtej unë vlerësoj se realisht po bëhet një punë e pa dobishme duke shfrytëzuar fenë për interesa politike e nacionale. Ne shqiptarët asnjëherë nuk jemi thirrur në emër të fesë, gjithnjë jemi thirrur në emër të atdheut e kombit, me synim lirinë dhe demokracinë. Por realisht sot po duket se feja në momente të ndryshme, nga segmente politike në shumë raste me ndikim po shfrytëzohet politikisht në Evropë dhe nacionalisht me theks të veçantë në Serbi e në Greqi.
Së dyti, vlerësimet kombëtare dhe etnike, kanë shumë rëndësi për një rritje të respektit të ndërsjellë. Unë jam shqiptar, deri dje Serbia më ka vrarë e zhdukur miliona njerëz, ndërsa sot në Evropë akuzohem unë se paskam vrarë disa serb në luftë, që edhe ata nuk dihet nëse janë të vërtetë, apo janë thjesht një pretendim serb. Ky është vërtet absurditet.
Së treti, vlerësimet publike për problemet kriminale, bëhen në mënyrë të tillë sikur shqiptarët paskan qenë shumë të fuqishëm. Kur dëgjoi që në krye të organizatave kriminale evropiane janë shqiptarët, në krye të organizatave të drogës janë shqiptarët, në krye të mafies janë shqiptarët, në krye të prostitucionit janë shqiptarët, në krye të trafiqeve të paligjshme janë shqiptarët etj., ju them sinqerisht me vjen për të qeshur, sepse më duken vlerësime donkishoteske. Edhe po të duan shqiptarët, nuk mund të sundojnë për 20 vjet krimin që sundon Evropën prej 200 vjetësh. Këto janë shaka pa kripë.
Së katërti, vlerësimi i të drejtave të minoriteteve, bëhet me një diferencim të pa kuptueshëm. Për rreth 60 deri 80 mijë serbë në Kosovë apo për 30 mijë grekë në Shqipëri bëhet aq fjalë, sa duket sikur atyre nuk u është garantuar asgjë. Ndërsa për mbi 200 mijë shqiptarë në Serbi e mbi një milion shqiptarë në Greqi as që ngrihet zëri në Evropë, megjithëse serbët e grekët në Kosovë e Shqipëri janë kolonë, kurse shqiptarët në Serbi e Greqi janë autoktonë. Pse duhet të jetë ky tregues në Evropën demokratike? A ka perspektivë me mendësi të tilla?
Së pesti, në përgjithësi duken diferencime, si në procesin e zhvillimit e të fuqizimit ekonomik, politik, social, ushtarak e kulturor, ashtu edhe në vlerësimin e ideve për të ardhmen. Unë pranoj diferencime kur është fjala për projektet e mëdha, të cilat duhet t’i përballojnë të fuqishmit. Por jo diferencime deri tek mënyra e të ngrënit të bukës, që nëse nuk e hamë bukën siç e hanë anglezët, gjermanët, francezët apo zviceranët, ne nuk qenkemi të zhvilluar. Këto për kohën tonë sipas mendimit tim janë vlerësime banale, që janë thjesht pretendime, për t’u gjendur një pretendim, jo për të balancuar vlerat.
Së gjashti, vlerësimi i drejtë i historisë, ka rëndësi të madhe sepse i zgjuar nuk është vetëm ai që ka fuqi e pasuri. Të zgjuar janë edhe ata që janë të varfër. Prandaj, kërkohet që sido të jetë, duhet të marrë secili vlerat historike që i takojnë. Jo të konsiderohen të drejta vetëm ato vlerësime që bëjnë të fuqishmit, qoftë edhe për të vendosur fate popujsh.
Së shtati, veshja e terrorizmit me uniformë islame më duket se nuk është një analizë serioze. Nuk është normale që të vishet me këtë uniformë çdo dështim në reformat perëndimore. Më duket se kjo çështje tashmë po bie erë të keqe, ani pse nuk ka askush fuqi të vihet përballë këtyre analizave. Por veprime të tilla nuk do t’i bëjnë nder as Evropës që tenton të jetë fuqia më e madhe botërore, dhe që nëse do të korrigjojë politikën e saj, ta bëjë me gjithëpërfshirëse dhe me konkretë, për ta parë situatën më afër të vërtetës, me siguri që do të bëhet ajo që aspiron.
Së teti, diplomacia duhet të zhvishet prej rrobës së mashtrimit. Është e ditur që diplomacia është gjithnjë lojë interesash, por ajo do të jetë një lojë shumë e suksesshme, në qoftë se do të arrijë të vesh uniformën e fisnikërisë dhe në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, bashkëpunëtori të mundet prej fisnikërisë, jo prej trysnisë e prej mashtrimit, siç po duket se ndodhë në përgjithësi.
Së nënti, çdo vlerësim duke u mbështetur te vepra e Hangtingtonit, “Përplasja e Qytetërimeve”, është një mashtrim i madh, pasi vetë kjo vepër është një mashtrim, sepse merr përgjegjësi që duket se nuk janë analizuar si dukuri shkencore, por janë analizuar me porosi, sepse dikujt kështu i ka interesuar.
Së dhjeti, nëse nuk i shërbehet me kujdes rritjes së miqësisë, dashurisë dhe respektit të ndërsjellë midis njerëzve në Evropë, asnjëherë nuk kemi për të pasur një Evropë të bashkuar për së vërteti, dhe një Evropë që të sigurojë të ardhme fuqie botërore.
Se njëmbëdhjeti, edukimi i rinisë është në nivelet më të ulëta të mundshme. Duket se tentohet që me rininë të luhet, duke kërkuar të krijohen disa kulte individësh dhe një turmë e cila të jetë injorante dhe e bindur për të kryer ato detyra që i jepen. Një politikë e tillë nuk ka të ardhme. Injorantët janë të destinuar të bëhen ose skllevër ose kriminelë.
Unë vlerësoj se ka edhe mjaft probleme të tjera të cilat vërtet janë ndikuese për një Evropë të fortë, por nuk po marr përgjegjësinë t’i jap direktiva Evropës. Mua më shqetëson vlerësimi për kombin të cilit i përkas, që nuk dua të jetë banal, dhe te të gjitha këto drejtime që përmenda më lart, kombi ynë ndien goditjen e segmenteve të politikës evropiane. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur samiti i Parisit, i cili është duke u…