
KOSOVA KA NEVOJË PËR KUVEND
(Ky shkrim është botuar në vitin 1992 në Gazetën “VATRA” të cilën do e prezantojmë edhe pamjen e saj në formë Fotografie në PDF!)
Arsyeja e ribotimit, koinçidenca e amullisë institucionale dhe pandjeshmërisë së politikës në pushtetimin e të qenunit shtet funksional.
Shkruan: Shefik Sadiku
Populli shqiptar ka luftuar me shekuj. Por kësaj here do të ndalemi të shkruajmë për këtë gjysmë të shekullit njëzet…
Me përfundimin e luftës së dytë botërore popujt e robëruar menduan se do të zgjidhin drejt çështjen e tyre nacionale, atëherë, a u zgjidh çështja nacionale te të gjithë popujt? Natyrisht se jo. U krijuan (Federata) shtete artificiale si BRSS dhe RSFJ-ja…Sferat e interesit të fuqive të mëdha e bërën ndarjen e Evropës në dy pjesë: në Evropën Perëndimore dhe në Evropën Lindore. Sa u shkoi fjala popujve të vegjël për vetëvendosje? Mendojmë se çdo e keqe që u ka ndodhur këtyre popujve është nisur mu nga ky burim, pra mu te sferat e interesit të fuqive të mëdha. Shumë politikan të sotëm harrojnë se edhe populli shqiptar u copëtua pa dëshirën e tij. Pra sferat e interesit të të mëdhenjve Shqipërinë e sferuan (rreshtuan) në Evropën Lindore pa dëshirën e saj. (Megjithatë shkenca duhet ta jap fjalën e vet, sidomos historia, ku duhet pasur parasysh dy faktorë: kohë dhe hapësirë) Andaj nëse marrim në shqyrtim një temë qoftë nga historia, ekonomia apo politika, duhet pasur për bazë këta dy faktorë, për të mos bërë gabim. Në këtë kontekst duhet të shqyrtohet edhe mos-zgjidhja e çështjes nacionale e popullit shqiptarë. Kthehemi te krijesa artificiale në Ballkan – Federata Jugosllave. Trojet shqiptare u copëtuan dhe iu dhuruan shteteve fqinje, kurse Shqipëria mezi mbeti e pavarur në kufijtë e sotëm.
Sipas konferencës së Bujanit të mbajtur më 31 Dhjetorë 1943 dhe me 1 e 2 Janar 1944, pas çlirimit Kosova duhej ti bashkohej Shqipërisë. Kjo s’u bë… Në shkurt 1945 në Kosovë shpallet shtetrrethimi (administrimi ushtarak)dhe askush s’e ngriti zërin kundër masakrave të mëdha që i bënte ushtria Jugosllave në popullin e pafajshëm shqiptarë.
Në korrik 1945, mbahet Kuvendi i Prizrenit dhe Kosova iu aneksua Serbisë, dhe ata që e kundërshtuan këtë proces ose u likuiduan ose u dënuan rëndë.
Gjatë LNÇ-së, Kosova kishte Ushtrinë e vet, dhe komandantin e vet dhe Kosova ishte e barabartë me njësitë tjera të Jugosllavisë.
Në krijesën artificiale të quajtur Jugosllavi deri më 1988, krahas rritës dhe zhvillimit të tij, populli shqiptarë përjetoi tmerre të mëdha dhe vazhdon edhe sot t’i përjetojë. Në këtë kohë në Evropën Lindore bëhen ndryshime të mëdha në sistemin politik dhe shoqërorë. Kjo valë e ndryshimeve përfshiu edhe federatën jugosllave… Për tu bërë reforma shoqërore dhe politike në një shtet së pari duhet ndërruar kushtetutën e atij shteti, andaj edhe në Jugosllavi filluan ndryshimet në amendamentet kushtetuese. Gjatë debatit publik për këto ndryshime edhe servilët më të rryer kuptuan synimin e politikës hegjemoniste serbe…
Populli shqiptar gjatë historisë së tij i dha bijtë më të mirë vetëm e vetëm që të arrihet liria e pavarësia. Serbia e përgatiste terrenin për suprimimin e autonomisë së Kosovës, okupimin e haptë të saj. Qëllimin e Serbisë e përkrahën të gjitha Republikat jugosllave dhe Vojvodina, ndërsa populli shqiptarë politikën hegjemoniste serbe e kishte demaskuar në pranverën e vitit 1981. Edhe gjatë ndërrimeve kushtetuese populli shqiptarë kërkonte që autonomia e tij të rritej jo të hiçej (autonomia politike). Populli kërkonte të eci përpara e kurrsesi prapa. Kështu që arritëm te 23 Marsi 1989, kur ishte caktuar të mbahej mbledhja e Kuvendit, dhe populli nga të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës u ngritë në demonstratë kombëtare dhe kërkonte që delegatët shqiptarë të mos e jepnin pëlqimin në amendamentet kushtetuese që i preknin themelet e autonomisë së Kosovës. Ranë me dhjetëra viktima në këto demonstrata në përleshje me policinë, edhe pse demonstrimi ka qenë në shkallën më të lartë të civilizimit dhe organizimit…
Pastaj, politika shoviniste serbe e themeloi një kuvend të ri në Kosovë me anëtarë më të besuar nga radhët e shqiptarëve. Këta besimtarë të kësaj politike hegjemoniste vazhdojnë të punojnë dhe zgjedhin qeverinë e re. Populli shqiptarë i lodhur e i rraskapitur nga padrejtësitë që i shkaktoi okupatori serb, i tradhtuar nga politikanët në pushtet, i zhgënjyer nga Republikat jugosllave dhe nga faktori ndërkombëtarë, por kurrë i gjunjëzuar gjithnjë bënte presion te qeveria e posa zgjedhur që Kosovën ta shpallte Republikë. Serbia vazhdonte të burgoste, izolonte bijtë më të mirë të shqiptarëve. Montoi procese të gjykimit. Opinioni ndërkombëtarë është gjithnjë më i pranishëm në Kosovë, duke paraqitur gjendjen reale dhe duke përkrahur kërkesat popullore…
U bë një zbulim epokal në shtetet e lindjes – Pluralizmi. Kjo erë përfshiu edhe Kosovën. Shqiptarët ndër popujt e parë në federatën jugosllave i hodhën librezat e LKJ-së, të bindur se vetëm fatkeqësi e robëri u kishte sjellë vetadministrimi titist jugosllav, Kështu që po fillonte një jetë e re politike. Filluan të formohen partitë politike nga radhët e shqiptarëve, ndër më të mëdhatë ishte Lidhja Demokratike. Nga presioni i vazhdueshëm i popullit që i bënte qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik 1990 delegatët shqiptarë para dyerve të Kuvendit e shpallën Deklaratën Kushtetuese të Kosovës, e cila e obligonte kuvendin që të nxjerr Kushtetutën e Republikës. Dhe Serbia me 5 korrik e suprimon Kuvendin e Kosovës dhe shpall akt armiqësorë Deklaratën Kushtetuese. Me forca policore – ushtarake okupon mjetet e informimit në gjuhën shqipe – Radio Televizionin e Prishtinës, ndërsa me 8 gusht ndalohet dalja e gazetës së vetme ditore në gjuhën shqipe “RILINDJA”. Serbia vazhdimisht kërcënon delegatët shqiptarë dhe këta me 7 Shtator 1990 shpallin Kosovën Republikë.
Kosova në mes të dy kuvendeve!
Nga pasiguria dhe gjendja kaotike e krijuar, delegatët shqiptarë të Kosovës askush nuk i mori në mbrojtje dhe ata u detyruan të shpërndahen nëpër Evropë. Politika hegjemoniste serbe mënjanoi nga skena politike gjithë shqiptarët. U themeluan shumë parti politike në Kosovë duke besuar se me emrat që do ti merrnin do të gëzonin përkrahje në Evropë. Populli e shihte rrezikun që i kanosej nga okupatori serb dhe kërkonte nga partitë politike që të themelohet Qeveria e Shpëtimit Kombëtar. Mirëpo, ndikuan shumë faktorë, që kjo kërkesë e popullit të mos plotësohet ngaqë kishte edhe bajraktarizëm, karrierizëm dhe shumë kundërthënia në mes partive të formuara. Pas shumë përpjekjeve u formua nga partitë politike Këshilli koordinues Ndërpartiak i partive politike në ish Jugosllavi, në krye me kryetarin e LDK-së Ibrahim Rugovën. Merita të mëdha kanë këto parti politike, sepse në njëfarë mënyre ndryshuan mendimin politik te shqiptarët dhe u krijua bindja se vetëm me një kulturë të lartë veprimi dhe të organizuar mund ti shpëtojnë Serbisë nga kthetrat… Edhe pse ekzistonte bindja se me politikën paqësore nuk mund të çlirohemi nga ky okupator, në mungesë të forcave ushtarake nga radhët e shqiptarëve liderët e partive politike shqiptare reklamuan politikën paqësore. Kosova shpallet Republikë e Pavarur me referendum gjithë popullor (Shtator ‘91) dhe pos Shqipërisë faktori ndërkombëtar hesht dhe s’e pranon sovranitetin e Republikës së Kosovës. Serbia vazhdonte të pushonte nga puna punëtorët shqiptarë, mbyll shkollat shqipe dhe Universitetin e Prishtinës.
Duke parë partitë politike se nuk e kanë mandatin ta përfaqësojnë popullin kërkojnë nga Kuvendi në egzil që ti shpallë zgjedhjet e lira dhe ato shpallen me 24 maj 1992, ku populli masovikisht del në votime. Për herë të parë në histori populli voton për bijtë dhe bijat më të mira. Këto zgjedhje i përcjellin edhe mediumet ndërkombëtare dhe i japin publicitet të madh. Lidhja Demokratike e Kosovës fiton më se shumti vende në parlament. Pra kësaj partie i binte një përgjegjësi e madhe historike.
Dhe çfarë të bëjmë tash kur Kosova gjendet në mes të dy Kuvendeve – në mes Kuvendit që gjendet në egzil dhe Kuvendit, i cili s’është themeluar ende nga deputetët të cilët i ka zgjedhur populli në zgjedhjet e lira?
Si të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës?
Po sikur ta kishim Kuvendin, sa do të mund të funksiononte nën okupim? Për të dhënë përgjigje në këtë pyetje duhet të përdorim logjikën dhe arsyen. Nëse do të kishim kuvend me siguri do të bënim politikë më të mirëfilltë, sepse nga gabimet e mos punës së partisë në pushtet opozita do të nxirrte mësime dhe kështu do të zhvillohej si në fushën politike, ashtu edhe në rrafshin ekonomik. Kuvendi me siguri do të kishte qeverinë, e cila do të lëshonte dekrete, të cilët patjetër do të duhej të respektoheshin. (Ta zëmë p.sh. ligjet që bihen do të merreshin edhe masa ndaj mosrespektimit).
Sa dhe si e zhvillojmë diplomacinë?
Qeveria në egzil doli ta kryej misionin e vet. Edhe pse kryetari i qeverisë në njëfarë forme i kryente edhe punët e ministrit të punëve të jashtme është dashur ta thotë botërisht këtë. Dhe me siguri në cilësinë e ministrit të punëve të jashtme do ta kryente misionin diplomatik të qeverisë tij me sukses. Kjo është kohë e kaluar, por shtrohet pyetja çka të bëjmë tash, pas zgjedhjeve të lira?
LDK e ka përfaqësuar politikën e jashtme të Kosovës në qarqet diplomatike ndërkombëtare para zgjedhjeve të lira, por pas zgjedhjeve? Si çdo herë tjetër ne këtë gabim ia falëm vetes, por sa do të na kushtojnë këto gabime? Në rregull themi se, LDK-ja është partia më e madhe në Kosovë, dhe tri opsionet e saj të shtruara në Konferencën e Londrës, e më vonë edhe në Konferencën e Gjenevës sa janë të drejta? Këto pyetje i shtrojnë edhe shumë anëtarë të LDK-së dhe një numër i anëtarëve të partive tjera. Për tu përgjigjur në këto pyetje është vështirë, sepse e drejta e gjithë kujt është të mendojë ndryshe. Mirëpo, kur kemi të bëjmë me këtë çështje të rëndësishme kombëtare historia do të na gjykojë njëjtë – si ata që punojnë e gabojnë si ata që kundrojnë nga periferia. Për mbarë shtrimin e drejtë të çfarë do opsioni mandatin do ta kishte Kuvendi i Republikës së Kosovës, pra ai opsion që do të merrte vulën në Kuvend do të ishte më i drejti dhe Kuvendi do ta obligonte qeverinë e tij, përkatësisht ministrin e punëve të jashtme të republikës, i cili do ti jep llogari asaj qeveri që e ka zgjedhur. Andaj, mendojmë se ministri do ti paraqiste opsionet më drejtë e më shtruar në konferencat e lartpërmendura me autorizim qeverie.
Edhe një fakt duhet të kihet parasysh se nëse kërkon shumë do të marrësh pak dhe nëse kërkon pak mund të mos marrësh gjë fare.
Prandaj, pas shformimit të Jugosllavisë mendojmë se opsioni më i drejtë bashkimi kombëtar. Për këtë opsion ka qenë dashur të deklarohet edhe Shqipëria edhe trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi. Minimumi i minimumit të këtij opsioni është opsioni që e ka paraqitur kryetari i Republikës së Kosovës – KOSOVA SHTET SOVRAN DHE NEUTRAL.
Çka më tej? A duhet të themelohet Kuvendi i Republikës së Kosovës?
Gjeneratave të ardhshme ua kemi borxh ardhmërinë, nëse nuk ua sigurojmë të shtrenjtën liri ata dhe historia do të na gjykojnë. Të mos i ngatërrojmë rolet e punës, të punojmë të gjithë, se vetëm kështu arrihet fitorja.