
Kosova ka nevojë për politikanë të pjekur, që dinë të ndërtojnë institucione, jo t’i mbajnë peng ato
Shkruan: Valon Bibaj
Që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit, qytetarët e Republikës së Kosovës kanë pritur me durim formimin e institucioneve, në veçanti konstituimin e Kuvendit të ri – një hap thelbësor për funksionimin demokratik të vendit. Megjithatë, edhe pas shumë përpjekjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në largim Albin Kurti, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të konstituuar Kuvendin, duke e lënë vendin në një situatë të zgjatur bllokade politike dhe institucionale.
Ky ngërç institucional nuk është thjesht një vonesë teknike. Ai është pasojë direkte e një mungese serioze të aftësisë politike, komunikimit ndërpartiak dhe përgjegjësisë shtetërore. Për një subjekt që ka premtuar ndryshim rrënjësor dhe qeverisje të drejtë, paaftësia për të koordinuar procesin bazik të ndërtimit të institucioneve flet shumë.
Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të votave, mban një barrë të natyrshme për t’i dhënë drejtim procesit të konstituimit. Por ajo që kemi parë është një qasje arrogante ndaj opozitës, refuzim i kompromisit dhe, në disa raste, edhe retorikë përçarëse që vetëm thellon ndasitë politike. Ky qasje jo vetëm që e saboton procesin parlamentar, por e minon besimin qytetar në mekanizmat demokratikë.
Ndërkohë që qytetarët përballen me probleme të mëdha ekonomike, papunësi dhe mungesë të investimeve, elita politike dështojnë të kryejnë detyrat më të thjeshta kushtetuese. Ky është një dështim i drejtpërdrejtë politik dhe moral, që duhet të pranohet me përgjegjësi.
Koha e fjalimeve të mëdha dhe premtimeve pa përmbajtje ka përfunduar. Kosova ka nevojë për politikanë të pjekur, që dinë të ndërtojnë institucione, jo t’i mbajnë peng ato.