Kosova ka rënë në fund të pusit në indeksin e lirisë së medias

02 maj 2025 | 09:36

Gazetari dhe autori i emisionit Rubikon në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, sipas të cilit, Kosova ka shënuar rënien më të madhe në indeksin për lirinë e shtypit në 15 vitet e fundit, duke u renditur në vendin e 99-të.

Kelmendi ka shprehur shqetësimin e tij për këtë rezultat negativ, duke kujtuar synimin e kryeminsitrit në detyrë, Albin Kurti që synonte ta mbyllte Klan Kosovën.

“Kur Albin Kurti synonte ta mbyllte një media, më të madhen, arsyetohej se Kosova i ka edhe nja 444 media të tjera dhe një më shumë a më pak nuk luan rol”, ka shkruar ai.

Ai ka ironizuar për të komentuar gjendjen aktuale politike dhe raportin e fundit për lirinë e shtypit.

“Me rezultatet negative që po i korrë Kosova çdo ditë – e fundit – sot rangimi katastrofal i lirisë së medias në vendin e 99, nuk e di pse s’po thotë Albini po e mbylli Vetëvendosjen që ta shmangim vetëfundosjen.”

Kelmendi gjithashtu ka përmendur se Kosova aktualisht gjendet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe udhëhiqet nga një kryeministër që, sipas tij, është i “ekskomunikuar nga pjesa më e madhe e botës demokratike”.

“Miq, lajmi se Kosova ka rënë në fund të pusit në indeksin e lirisë së medias, edhe pas Serbisë së Vuçiqit, është tepër tepër i keq. Pa media të lira nuk ka shoqëri të lirë”, përfundon reagimin e tij Kelmendi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) njofton se sot do…