Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të veteranit të UÇK-së nga Serbia

06 shkurt 2026 | 15:51

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare, pasi Serbia arrestoi një veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një ditë më parë, nën pretendimet për krime kundër popullatës civile.

MPJD-ja ka bërë me dije se më 6 shkurt ka pranuar informacione për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Mitehat Llozhani me të hyrë në Serbi nga pika kufitare e Batrovcit në kufi me Kroacinë.

Kjo ministri ka theksuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës i ka dorëzuar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë duke i kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve të ndalimit dhe informacione të tjera të rëndësishme për rastin.

“Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, është thënë në reagimin e MPJD-së.

MPJD-ja ka theksuar po ashtu se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt me familjen e të arrestuarit dhe do të paraqesë kërkesë zyrtare për ta vizituar atë.

Autoritetet në Serbi mbrëmjen e 5 shkurtit kanë konfirmuar arrestimin e veteranit të UÇK-së dhe thanë se është dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, nga selia e NATO-s përmes një…