Kosova kërkon fitore edhe ndaj Maltës

04 qershor 2021 | 07:10

Kosova është përgatitur për fitore në ndeshjen miqësore që sot (e premte) e zhvillon kundër Maltës në Austri nga ora 18:00.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të enjten pasdite në Austri ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së dytë miqësore të këtij muaji kundër Maltës. “Dardanët” e kanë zhvilluar këtë stërvitje pa kapitenin Samir Ujkani, sulmuesin kryesor Vedat Muriqi dhe mesfushorin Lorik Emini, i cili u lëndua në miqësoren ndaj San Marinos, të cilën Kosova e fitoi me rezultat 4-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Përzgjedhësi Bernard Challandes ka vlerësuar se miqësorja kundër Maltës do të jetë test i mirë për t’i parë disa lojtarë të ri.

Strategu zviceran ka bërë të ditur se “dardanët” edhe në këtë ndeshje do të luajnë për fitore. “Është një ndeshje e mirë për disa lojtarë të ri por kjo nuk nënkupton se do ta marrim si të lehtë. Lojtarët që janë në fushë duhet të japin maksimumin dhe të tregojnë seriozitet shumë të madh në fushë. Pra edhe pse është vetëm ndeshje miqësore ne kërkojmë maksimumin dhe sigurisht se hyjmë për fitore”, ka thënë Challandes.

Mesfushori Herolind Shala ka thënë se mungesa e tifozëve për shkak të pandemisë është mjaftë e madhe për ekipin përfaqësues, por që edhe në këtë ndeshje do të luajnë për fitore. “Jemi shumë të fokusuar në këtë miqësore, edhe pse është shumë vështirë të luajmë pa shikuesit tonë, të cilët gjithmonë na mbështesin dhe janë mbrapa neve. Mirëpo, ne do të japim gjithçka për të arritur rezultate pozitive dhe ta dërgojmë Kosovën përpara”, ka thënë Shala.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara, Ministrja e Drejtësisë,…