Kosova këtë vit kryeson me tri nisma rajonale

20 qershor 2019 | 17:30

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takim ambasadorët e disa prej vendeve anëtare të nismës rajonale të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Republika e Kosovës nga 8 korriku i këtij viti do ta marrë kryesimin e nismës rajonale të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Kjo po ndodh në të njëjtin vit kur Kosova tashmë ka kryesimin me Fondin e Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe me Iniciativën Rajonale të Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve (MARRI).

Ministri Pacolli ka vlerësuar se SEECP-i gjatë kryesimit të Kosovës do të forcojë lidhjet dhe bashkëpunimin midis shteteve pjesëmarrëse.

“Ne jemi të vetëdijshëm se do të ketë vëmendje shtesë ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi gjatë kryesisë tonë në SEECP. Unë jam shumë i vetëdijshëm për sfidat që do të kemi për shkak të marrëdhënieve të Kosovës me disa nga anëtarët”, është shprehur Pacolli, duke shtuar se ideja dhe synimi i Kosovës është që të përballojë këtë vëmendje në një mënyrë pozitive.

Pacolli ka theksuar se Kosova është e vendosur të prodhojë lajme pozitive jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin gjatë kryesimit me SEECP.

Ai ka bërë me dije se prioritetet e Republikës së Kosovës do të jenë promovimi i kulturës dhe artistëve të rinj si dhe të trashëgimia kulturore dhe harmonia fetare.

Vendet anëtarë të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia dhe Rumania.

Kryesimi i SEECP-it është njëvjeçar dhe kryesinë e radhës e ushtron Kosova duke filluar nga muaji korrik i këtij viti.

/Epoka e re/  

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpikjet që vërtetojnë se Japonia me teknologji është në vitin…