Kosova kundërshton reagimin e Rusisë: Raportet me Serbinë mund të ndërtohen vetëm mbi parimin reciprocitetit

07 prill 2020 | 14:51

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka kundërshtuar reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse mbi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e vendosjes së masave graduale të reciprocitetit në raportet ndërshtetërore me Serbinë.

“Republika e Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e vendosur për raporte të mira me të gjithë fqinjët e vet. Në këtë kontekst, edhe marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi parimin reciprocitetit, si e vetmja formë legjitime e ndërtimit të raporteve të barabarta ndërshtetërore. Masat reciproke të Kosovës janë vetëm pasqyrim i pengesave dhe barrierave të shumta që Serbia ka vendosur ndaj shtetit të Kosovës”, është thënë në reagimin e MPJD-së, e cila drejtohet nga Glauk Konjufca.

Kjo mistri ka theksuar se Kosova ende nuk ka filluar të zbatojë gamën e gjerë të pengesave që Serbia aplikon ndaj Kosovës, duke i ofruar mundësi Serbisë të reflektojë dhe t’i heqë barrierat dhe pengesat ndaj Kosovës.

“Marrëdhëniet mes shteteve tona nuk mund të normalizohen në mënyrë të njëanshme, por duhet të pasqyrojnë vullnetin reciprok të të dyja palëve. Kosova ka dëshmuar vullnetin e saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq tani i mbetet Serbisë t’i heqë barrierat dhe ta ndalë agresionin diplomatik ndaj Kosovës”, është thënë në këtë reagim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa të gjithë njerëzit qëndrojnë të vetizoluar, disa prej tyre…