Kosova lanson Rrjetin e parë të Grave në Siguri, nënshkruhen memorandumet

26 janar 2026 | 14:20

Fondacioni Jahjaga ka lansuar të hënën Rrjetin e Grave në Siguri, i cili synon të jetë mekanizëm mbështetës që plotëson strukturat ekzistuese institucionale të sigurisë.

“Sot, Fondacioni Jahjaga shënoi një hap të rëndësishëm në fushën e sigurisë duke lansuar Rrjetin e Grave në Sektorin e Sigurisë në Kosovë. Ky projekt i mbështetur nga Mbretëria e Holandës u formalizua nëpërmjet nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit mes Fondacionit Jahjaga të përfaqësuar nga drejtoresha ekzekutive znj. Bexheti me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”, ka njoftuar në “Facebook” ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ajo ka theksuar se kjo nismë është pjesë e angazhimit për Agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, në përputhje me Rezolutën 1325 të OKB-së, dhe me mbështetjen e çmuar të Mbretërisë së Holandës, përmes Fondit MATRA dhe Human Rights Fund, si dhe bashkëpunimit me institucionet  vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Ky rrjet synon të fuqizojë bashkëpunimin profesional, ndarjen e përvojave dhe rolin e grave në institucionet e sigurisë. Shpreh mirënjohje të veçantë për Mbretërinë e Holandës për mbështetjen e vazhdueshme dhe për të gjithë partnerët institucionalë për gatishmërinë dhe bashkëpunimin për realizmin e kësaj iniciative. Ndryshimi i vërtetë fillon kur vendosim të mos punojmë më vetëm, por së bashku. Pasi kur punojmë së bashku, forcojmë gratë, institucionet dhe vetë sigurinë e Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja për deputete, Besa Ismaili, ka komentuar paralajmërimet për zgjedhjet…