Kosova mbështet ShBA-në dhe Trumpin në veprimet kundër rrjeteve të drogës të lidhura me regjimin e Maduros
Republika e Kosovës ka shprehur mbështetje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Donald Trump lidhur me veprimet e ndërmarra kundër rrjeteve të drogës që, sipas vlerësimeve amerikane, janë të lidhura me regjimin e Nicolás Maduros në Venezuelë.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme theksoi se këto masa janë të nevojshme për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe për të vendosur para përgjegjësisë ata që e mbështesin atë në mënyrë shtetërore.
“Republika e Kosovës shpreh mbështetje të plotë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Trump në ndërmarrjen e veprimeve të vendosura dhe të shënjestruara kundër rrjeteve të drogës të lidhura me regjimin e Maduros, si dhe në mbajtjen përgjegjës të atyre që, me mbështetje shtetërore, i ndihmojnë këto rrjete”, tha ajo.
Sipas saj, veprimet e SHBA-së nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve të Venezuelës, por kundër grupeve kriminale që minojnë demokracinë dhe stabilitetin. Ministrja në detyrë shtoi se Kosova, si aleate e SHBA-së dhe NATO-s, mbetet e përkushtuar në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe krimit të organizuar.
“Këto masa kanë në shënjestër grupet kriminale, jo popullin e Venezuelës, i cili meriton liri, demokraci dhe institucione legjitime. Si aleate e palëkundur e ShBA-së dhe e NATO-s, Kosova mbetet vigjilente ndaj kërcënimeve hibride të ushqyera nga para të pista dhe është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar krimin e organizuar të lidhur me drogën dhe për të forcuar stabilitetin”, tha ajo.



