Kosova më 2021: Vit zgjedhjesh, Ballkani i hapur, Covid-i dhe energjia elektrike

02 janar 2022 | 11:08

Viti 2021 u përcoll me shumë ngjarje të ndryshme, por ato që lanë më shumë gjurmë ishin zgjedhjet parlamentare dhe lokale, iniciativa Ballkani i hapur, situata me Covid-19 dhe energjia elektrike.

Në fillim të janarit të vitit 2021 Kuvendi i Kosovës u shpërnda dhe më 14 shkurt Kosova mbajti zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në të cilat Lëvizja Vetëvendosje, e përkrahur nga Lista Guxo që drejtohet nga Vjosa Osmani, doli fituese me mbi 50 për qind të votave, shkruan “Epoka e re”.

Pas këtij rezultati lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, dolën së bashku para qytetarëve dhe zgjedhjet e 14 shkurtit i cilësuan referendum.
Albin Kurti për herë të dytë u zgjodh kryeministër i Kosovës më 22 mars.

Më 4 prill Kuvendi i Kosovës zgjodhi me 71 vota Vjosa Osmanin presidente të vendit, në një seancë të jashtëzakonshme, duke shmangur krizën politike, çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Pas zgjedhjeve parlamentare, tetë muaj më vonë Kosova mbajti zgjedhjet komunale. Por në këto zgjedhje nuk u konfirmua mbështetja e 14 shkurtit për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në këto zgjedhje fitoi në katër komuna dhe humbi në dy qytetet më të mëdha – Prishtinë dhe Prizren.

PDK-ja në zgjedhjet lokale fitoi tetë, po ashtu edhe LDK-ja tetë komuna. Ndërkaq AAK-ja doli e treta nga partitë shqiptare duke fituar në pesë komuna gjithsej.

Kosova dhe ‘Ballkani i hapur’

Vendi ynë gjatë këtij viti që po lëmë pas refuzoi të bëhet pjesë e iniciativës Ballkani i hapur”, që u hodh si ide nga kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe tashmë ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, fillimisht me emrin mini-shëngeni Ballkanik që, sipas tyre, synon vendosjen e lëvizjes së lirë për njerëzit, mallrat e shërbimet ndërmjet vendeve të rajonit.

Pavarësisht se kësaj iniciative iu vë emri tjetër Ballkani i hapur, nuk e ndryshoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për tiu bashkuar kësaj iniciative, e cila mori edhe përkrahjen e zëvendësndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar.
Ballkani i hapur nuk po pranohet edhe nga Mali i Zi dhe Bosnja.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në dhjetor të këtij viti kanë avancuar agjendën e iniciativës rajonale Ballkani i hapur. Në samitin e radhës të kësaj iniciative të mbajtur në Tiranë këto vende kanë nënshkruar disa marrëveshje që rritin bashkëpunimin mes tyre. Udhëheqësit e këtyre vendeve kanë ftuar edhe tri vendet e tjera të rajonit, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën, që ti bashkohen kësaj iniciative.

Çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vet, ka rrugën e vet. Ama një gjë duhet ta dini, nëse të gjashtë vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën edhe për Bosnjën do të jetë shumë më e mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështje të tjera, ka thënë kryeministri Edi Rama.

Në takimin e Tiranës themeluesit e iniciativës Ballkani i hapur kanë nënshkruar pesë marrëveshje të reja të cilat pritet ta shtojnë bashkëpunimin në mes të këtyre vendeve.

Pandemia Covid-19

Në vitin e dytë të përballjes me pandeminë Covid-19, Kosova shënoi dy periudha të vështira. Në muajin mars u regjistruan 21 mijë infektime dhe 273 vdekje. Vala e infektimeve kulmoi në muajin gusht, kur si asnjëherë më parë u raportuan 36 mijë e 461 raste të reja të të prekurve duke e bërë atë periudhën me më së shumti infektime që nga shfaqja e pandemisë në mesin e muajit mars të vitit 2020. Gjatë atij muaji 238 veta humbën jetën nga pasojat e sëmundjes.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 1 gushti deri më 1 dhjetor të 2021-s, 1 435 qytetarë humbën jetën nga Covid-19. Prej këtyre, 1 280 (apo 89 për qind) ishin të pavaksinuar.

Për ta mbrojtur veten dhe të tjerët, vaksinimi është shumë i nevojshëm, sidomos tani pas shfaqjes së variantit të ri Omicron. Së fundmi, MSh ka aprovuar edhe dhënien e dozës së tretë të vaksinës anti-Covid, me të cilën synohet të forcohet imuniteti i personave me sëmundje shoqëruese dhe atyre që janë vaksinuar më herët. Kosova mori 24 mijë dozat e para të vaksinës “AstraZeneca” përmes programit COVAX, në fund të muajit mars, duke u bërë vendi i fundit në Evropën Juglindore që nisi këtë proces.

Në fund të majit Ministria e Shëndetësisë arriti një marrëveshje me kompaninë “Pfizer” për blerjen e mbi 1 milion e 200 mijë dozave të vaksinës kundër Covid-19. Në fillim të shtatorit, Shtetet e Bashkuara i dhuruan Kosovës mbi 503 mijë doza të vaksinës “Pfizer”, që ishin pjesë e një blerjeje prej gjysmë miliardi të vaksinës “Pfizer” të siguruar nga presidenti Joe Biden në fillim të verës.

Kriza energjetike

Opozita në Kosovë ka kritikuar qeverinë Kurti për qëndrime që nuk përkojnë me orientimin pro amerikan të vendit, pas vendimit të qeverisë për të mos çuar përpara një projekt për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).
Opozita ka insistuar në vazhdimësi që të mos hiqet dorë nga projekti. I zëshëm në këtë ishte ish-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Nuk e di se si do të veproni në të ardhmen kryeministër edhe si do të kërkoni ju nga aleatët tanë mbështetje për energjinë, nëse pa asnjë argument pra keni hedhur poshtë gjithë këtë përpjekje edhe investim të kohës, kapaciteteve, resurseve humane, financiare për zgjidhjen ideale që na është ofruar, duke i njohur parashikimet për sigurinë energjetike për të ardhmen jo shumë të largët, pra për vështirësitë që do të ketë i gjithë rajoni, ka thënë Haradinaj.

E shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, i është drejtuar Kurtit me këto fjalë: Refuzimin e këtij projekti nuk kanë me ta falë qytetarët, pra sot po ua bëni dëmin më të madh të mundshëm qytetarëve, gjeneratave të ardhshme me pozicionin politik çfarë e ke marrë karshi këtij projekti tepër të rëndësishëm. Edhe një herë po them, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka pasur projekt më të rëndësishëm për sigurinë dhe ekonominë tonë.

Por Kurti për të dy, Haradinajn dhe Tahirin, pati një përgjigje: Nuk është as aleanca as partneriteti i ShBA-së, as ai i sigurisë kombëtare e i mbrojtjes së shtetit, në njërën anë dhe as ai ekonomik e zhvillimor në anën tjetër, i varur për një pe. Nuk qëndron aleanca dhe partneriteti ynë i varur në perin që tash mund të shkëputet shumë shpejt, prandaj unë ju lus të gjithëve që të keni më shumë besim në aleancën dhe partneritetin me ShBA-në, sepse ky besim i juaji u ndihmon të gjithëve, por nuk mund të lëkunden aleanca dhe partneriteti i tillë sepse tash veç sa është forcuar me qasjen tonë parimore dhe me planet tona afatmesme dhe afatgjata, pati deklaruar kryeministri Kurti.

E pas kësaj, në muajin dhjetor filloi kriza energjetike në vend. Nisën reduktimet e ndërprerjes së saj. Kjo gjendje ngjalli reagime të shumta të qytetarëve në rrjetet sociale.
Qeveria ndau 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, me qëllim të subvencionimit të konsumit, sigurimit të furnizimit stabil për qytetarët dhe të evitimit të rritjes së çmimit të energjisë. Së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë krizë të madhe të energjisë nëpër të cilën muajt e fundit po kalojnë të gjitha vendet e regjionit dhe të Evropës, tha kryeministri Kurti.

Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor ka miratuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për masa emergjente për furnizimin me energji elektrike. Me 57 vota për, 17 abstenime dhe asnjë kundër janë vendosur kufizimet për furnizim me energji për konsumatorët dhe për vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Një ditë më parë, më 28 dhjetor, në Kuvend është zhvilluar një debat i gjatë për këtë çështje dhe në fund nuk ka pasur kuorum për miratim. Deputetët e pozitës dhe të opozitës kanë shprehur qëndrime të kundërta për këtë çështje. Sipas deputetëve të opozitës, ndërmarrja e këtyre masave është e vonshme.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka njoftuar se sektori i energjisë në Kosovë është duke kaluar një nga sfidat më të mëdha që nga përfundimi i luftës.

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Kosova në vitin e ri 2022 po hyn me probleme në sektorin e energjisë elektrike, me shpresën se edhe për këtë problem do të gjendet zgjidhje.

(Mal Qorraj / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet në shtetin e Kolorados në Shtetet e Bashkuara thonë…