
Kosova me 9 garues në Kupën Evropiane për Junior në Shkup 2025
Kosova do të marrë pjesë me nëntë garues në Kupën Evropiane për Junior, e cila do të zhvillohet më 2 dhe 3 gusht 2025 në Shkup, Maqedonia e Veriut. Ky event i nivelit të lartë do të mbledhë 239 sportistë, 161 meshkuj dhe 78 femra nga 26 shtete dhe 2 kontinente, duke e kthyer Shkupin në një qendër të rëndësishme të xhudos evropiane për të rinj.
Sipas organizatorëve, djemtë do të garojnë të shtunën (2 gusht), ndërsa vajzat do të zbresin në tatami të dielën (3 gusht). Kjo pjesëmarrje vjen si dëshmi e vazhdimësisë së zhvillimit të xhudos në Kosovë dhe përkushtimit për të ngritur gjeneratën e re të kampionëve në skenën evropiane dhe botërore.
Nën udhëheqjen e Majlinda Kelmendit, kampione olimpike dhe një nga figurat më të respektuara në sportin ndërkombëtar të xhudos, Kosova do të përfaqësohet nga këta garues: Estea Arifaj (-48kg), Sidorela Dodaj (-52kg), Laurine Gashi (-52kg), Sara Osmani (-52kg), Erlule Musaj (-57kg), Enise Zijade (-57kg), Furkan Kelmendi (-60kg), Andi Reshitaj (-66kg), Dion Sharapolli (-73kg).