Kosova me dy xhudiste në Uzbekistan
26 shkurt 2026
| 14:03
Kosova do të prezantohet me dy xhudiste në Grand Slamin në Tashkent të Uzbekistanit.
Erza Muminoviq do të garojë në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë.
Të dy xhudistet garojnë të premten, në ditën e parë të këtij Grand Slami.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka vendosur të pushojë nga kjo garë adutët kryesorë, Distria Krasniqin, Laura Fazliun dhe Akil Gjakovën.
Ndërkohë për Loxhën e Muminoviqin, kjo do të jetë garë e rëndësishme, pasi asnjëra nuk është bartëse dhe kërkojnë medaljen e parë në Grand Slam.
Në Uzbekistan garojnë 370 xhudistë nga 39 vende të ndryshme.



