Kosova, anëtare me të drejta të plota në ECSA. Merr pjesë në takimin vjetor

28 tetor 2023 | 15:57

Në Bratislavë të Sllovakisë, po zhvillohet takimi i Mbledhjes se Përgjithshme të Asociacionit të Sporteve të Doganave Evropiane (ECSA) dhe ku nikoqir ishte Dogana e Republikës së Sllovakisë.

E veçanta e këtij takimi ishte se Kosova merr pjesë për herë të parë në këtë mbledhje të përgjithshme vjetore, si anëtare me të drejta dhe obligime të plota si administratat tjera doganore të vendeve evropiane.

Aplikimi i Republikës së Kosovës në ECSA, u bë në muajin shtator 2022, në përvjetorin e 23-të të themelimit të Doganës së Kosovës, gjersa e veçanta e këtij anëtarësimi është se Dogana e Kosovës është e para administratë doganore nga Ballkani Perëndimor që bëhet anëtare në ECSA, si anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta në mesin e administratave doganore evropiane.

ECSA, e cila kryesohet nga Republika Çeke, është organizatë ndërkombëtare që përfaqëson administratat doganore evropiane, dhe këtë vit feston 31-vjetorin e themelimit të saj.

Me Republikën e Kosovës si anëtaren e saj, ECSA numëron 24 anëtarë: Austri, Belgjikë, Republika Çeke, Qipro, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Hungari, Irlandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegjia, Polonia, Sllovakia, Suedia, DG Taxud, Turqi dhe Mbretëri e Bashkuar.

Qëllimi i ECSA është të forcojë lidhjet midis administratave doganore evropiane duke inkurajuar dhe organizuar aktivitete të përbashkëta sportive, duke promovuar bashkëpunimin sportiv dhe kulturor, si dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet zyrtarëve doganorë.

Anëtarësimi në këtë organizatë është i rëndësishëm për Doganën e Kosovës, pasi zyrtarët e saj doganorë marrin pjesë në aktivitetet, bashkë me kolegët e administratave doganore të vendeve evropiane.

Këtë vit ishte hera e parë që Kosova mori pjesë zyrtarisht në aktivitetet e ECSA-së me zyrtarët e saj.

Atasheu Doganor, Bekim Mehmetaj, në emër të Agron Llugaliu, drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e përzemërt ndaj presidentit të ECSA-së, Jan Hlinka dhe të gjithë delegatëve të shteteve anëtare për mbështetjen unanime dhe përkrahjen e dhënë Kosovës për t’u anëtarësuar në ECSA në mbledhjen e vitit të kaluar.

Po ashtu, ai shprehu falënderimin dhe vlerësimin e lartë për Doganat e Republikës së Sllovakisë për mikpritjen dhe organizimin e këtij takimi ne Bratislavë.

Dogana e Kosovës është e përkushtuar për të bashkëpunuar me shtetet tjera anëtare te ECSA ku presim të shkëmbejmë përvojat me shtetet tjera anëtare për të kontribuar në aktivitetet e ECSA dhe të punojmë kolektivisht drejt vizionit të saj fisnik për forcimin e lidhjeve midis Administratave Doganore Evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, shpreson se me këtë javë…