Kosova mund t’i humbë 200 milionë euro nga marrëveshjet ndërkombëtare
Dështimi për formimin e Qeverisë edhe për herë të dytë dhe shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme pa ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me Bashkimin Evropian (BE) dhe të asaj me Bankën Botërore (BB) rrezikon që t’ia humbë Kosovës rreth 200 milionë euro.
Blendi Hasaj, drejtor në Institutit GAP, ka thënë se shkaku i vonesave që janë bërë në nisjen e zbatimit të këtyre kredive rrezikohet seriozisht humbja e tyre, e veçanërisht nëse do të ketë zvarritje të themelimit të institucioneve edhe pas zgjedhjeve të parakohshme, të cilat është paralajmëruar se mund të mbahen në dhjetor.
“Mosratifikimi i marrëveshjeve me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes po e pamundëson arkëtimin e parapagesës dhe disbursimin e këstit të parë për masat e zbatuara, sipas kësaj marrëveshjeje, dhe humbjen e një mundësie të rëndësishme për të rikthyer besimin e Bashkimit Evropian dhe qytetarëve në përkushtimin e institucioneve të vendit ndaj procesit të integrimit evropian”, ka theksuar Hasaj.
Kosova pritet të hyjë në vitin 2026 pa miratim të buxhetit. Por, në rast se zgjedhjet mbahen në muajin dhjetor, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike mund të bëhet zgjatja buxhetore për dy muajt e parë të vitit fiskal bazuar në atë të vitit paraprak.
Zgjatja edhe për muajin mars do të mund të bëhet vetëm me aprovim të Kuvendit. Por, në shoqërinë civile u kanë bërë thirrje partive politike që të bashkëpunojnë mes vete dhe që vendi të mos rrezikojë të mbetet pa buxhet.
Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, ka theksuar se Kuvend mund ta shmangë kolapsin financiar ekonomik.
“Për zgjatje buxhetore ka ingerenca Kuvendi i Kosovës, në qoftë se nuk ka qeveri që të propozojë një zgjatje buxhetore për tre muaj, gjë që unë mendoj se do të ishte qasja më racionale tani për tani. Që atë zgjatje mund ta bëjnë edhe me propozimin e deputetëve. Do të duhet financim i përkohshëm, pasi ajo njihet si financim i përkohshëm dhe këtë autoritet e ka Kuvendi. Mund të thirret për një pikë të rendit të ditës sepse nuk është në kundërshtim as me Kushtetutën e as me Ligjin për menaxhimin e financave publike”, është shprehur ai.
Tash mbetet në dorë të presidentes, Vjosa Osmani, nëse do të kërkojë nga deputetët e Kuvendit që ta miratojnë zgjatjen e buxhetit për tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, para shpërndarjes së Kuvendit.
KOHA ka pyetur nga Zyrën e Presidentes nëse Osmani do të kërkojë një gjë të tillë, porse gjatë së mërkurës nuk ka marrë përgjigje.
Nëse deri në mars nuk themelohen institucionet e reja, arka e shtetit do të bllokohet, duke i rrezikuar pagat për shërbyesit publikë, pensionet për pensionstët, shtesat për fëmijë, asistencën sociale, furnizimin me barna dhe funksionimin e organeve të rendit dhe të sigurisë.



