Kosova mund t’i shpëtojë 195 milionë euro nga arbitrazhi ndërkombëtar

14 korrik 2021 | 12:32

Mbi tetë vjet shëtitje nëpër organet e akuzës e të drejtësisë, kallëzimi penal i “Rex Marble”  me në fund ka marrë përgjigjen e parë nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike – Divizioni për Investitorë të Huaj.

Trupi gjykuese i Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjegjësisht, Departamenti për Çështje Ekonomike – Divizioni për Investitorë të Huaj, ka nxjerrë një aktvendim në lidhje me këtë kompani.

Me aktvendim është miratuar propozimi i propozuesit të sigurimit Rexhep Shaqiri, me vendbanim në Mbretërinë e Bashkuar, i paraqitur kundër kundërshtarëve të sigurimit Christopher Gilbert, shtetas i Mbretërisë së Bashkuar, “Fox Marble Kosova sh.p.k” me seli në Prishtinë dhe “Fox Marble Limited”, me seli në Mbretërinë ë Bashkuar, mbi masën e sigurisë të aseteve në parcelat e guroreve në Bukovik – Suhogërll të Skenderajt dhe në Cervenicë-Zatriq të Rahovecit.

Kompania fiktive britanike “Fox Marble Holdings PLC”,  e dyshuar për falsifikim dokumentesh, tash e tetë vjet ka gërryer nëntokën e Kosovës, e tash se fundmi duke menduar që mund t’ia “gërryejë” buxhetit të shtetit edhe 195 milionë euro përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pa e lodhur mendjen se ka një kontest në Gjykatën Themelore të Prishtinës me pretendimet e pronarit të “Rex Marble” se i është falsifikuar nënshkrimi dhe i janë tjetërsuar tri licencat bazë të kompanisë së tij, po nga kjo kompani britanike “Fox Marble Holdings PLC”.

“Fox Marble Holdings PLC”, e përqendruar në guroret dhe përpunimin e mermerit në Kosovë, para një viti e gjysmë, ka filluar procedurat ndërkombëtare të arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës për dëmet e vlerësuara sipas sajë në vlerë prej 195 milionë eurosh, pa kthyer kokën të  institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës, që mund të vërtetojnë pretendimet për falsifikimin e nënshkrimit të pronarit Rexhep Shaqiri të “Rex Marble sh.p.k”.

Andaj me këtë aktvendim, Kosovës i shtohen gjasat që t’i shpëtojë 195 milionë euro të kërkuara në arbitrazhin ndërkombëtar.

Kompania britanike “Fox Marble” e dyshuar për falsifikim të licencave të kompanisë “Rex Marble sh.p.k”, ka afërsisht tetë vjet që i shfrytëzon pa asnjë pengesë asetet e kontestuar në parcelat e guroreve në Bukovik – Suhogërll të Skenderajt dhe në Cervenicë-Zatriq të Rahovecit.

Kurse nga ana tjetër z. Rexhep Shaqiri, karshi këtij rreziku ku gjendet shteti i Kosovës, ka shfaqur habinë e tij: “Si është e mundur qe një kallëzim penal me kaq shumë dëshmi e prova, te flijë kaq gjatë në sirtarët e policisë hetuese të krimeve ekonomike, e të shëtisë nga prokuroria në prokurori (Prishtinë-Prizren dhe anasjelltas si dhe ndërrimin e shpeshtë i prokurorëve), pa dhënë asnjë rezultat”.

Kompanisë “Rex Marble sh.p.k” e Rexhep Shaqirit, në këtë rast si palë e dëmtuar, pas shumë denoncimeve e kallëzimeve penale, se fundmi ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, konkretisht më 4 nëntor 2019 mbi masën e sigurisë së aseteve gjithnjë mbi pretendimet që i është falsifikuar nënshkrimin për t’ia përvetësuar licencat e tij të lëshuara nga ministritë  e linjave dhe agjencitë përkatëse të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve (KPMM) dhe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës nga kompania “Rex Marble sh.p.k” me pronar Rexhep Shaqiri nga Klina e Poshtme e Skenderajt, me vendbanim në Mbretërinë e Bashkuar, ka përfshirë pesë persona, nga ta edhe avokatë e zyrtarë tjerë të lartë te shtetit. Më poshtë gjeni edhe aktvendimin e plotë: Court injunction and seizure order

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Basketbollistet e Kosovës A po stërviten dy herë në ditë…