KOSOVA NDËRMJET KOMODITETIT TË BRENDSHËM DHE PRESIONIT TË JASHTËM

04 shkurt 2022 | 21:05

Instrumenti më efikas për ta kërkuar drejtësinë po edhe për ta frenuar pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës është të ngritet përfundimisht padia për gjenocid kundër Serbisë. Themeli juridik për një proces të tillë ekziston në vendimin e formës së prerë të Tribunalit Penal të Hagës, i cili ka dënuar kreun shtetëror të Serbisë për krime në Kosovë.

Milazim KRASNIQI

Muaji i mjaltit i qeverisë Kurti 2 me faktorët ndërkombëtar ka zgjatë më shumë se sa që mund të shpresohej, për dy arsye, e para për shkak të disfatës së pësoi në zgjedhje në SHBA Donalld Trampi dhe e dyta, për shkak se janë duke u pritur zgjedhjet presidenciale e parlamentare në Serbi dhe zgjedhjet presidenciale në Francë (prill 2022.) Nga ky aspekt, mund të thuhet se qeveria Kurti 2 në vitin e parë të mandatit të vet ishte me fat të mirë, veçmas po qe se krahasohet me fatin e keq që pati qeveria Kurti 1, e cila pratikisht u rrëzua me presion/ultimatum amerikan. Por, pas zgjedhjeve të prillit 2022 në Serbi e në Francë, pritet të fillojë hakërrimi i faktorëve ndërkombëtar në drejtim të Kurtit dhe qeverisë së tij.

Mosbesimi amerikan ndaj Kurtit mund të prodhojë presion enorm

Hakërrimi nuk ka të bëjë vetëm me kërkesat që mund të nxirren në tavolinë, por edhe me një paragjykim që tashmë është ntrashur ndaj tij. Mungesa e besimit ndaj tij dhe e mirëbesimit me të, veçmas nga administrata e SHBA, mund të prodhojë presion enorm edhe për çështje për të cilat në kushtet e besimit dhe mirëbësimit, presioni do të ishte më i butë. Mungesa e besimit ka të bëjë me disa politika ekonomike-gjeopolitike, siç janë: detyrimi i “Contour Global”, që të tërhiqet nga projekti për termocentralin “Kosova e re” dhe refuzimi i gazsjellësit nga Maqedonia e Veriut. Nuk jam i sigurt a hyn në këtë pako edhe refuzimi i Kurtit për lejimin e referendumit të Serbisë në Kosovë. Mundet, si element presioni mbi Kurtin, por nuk ka kuptim si interes strategjik i SHBA-së. Dobësimi i Kosovës si shtet klient i SHBA përballë Serbisë, e cila është shtet vasal i Rusisë, thjesht nuk ka si të jetë interes amerikan. Megjithatë, mbetet të shihen efektet e këtij refuzimi, pasi edhe politika amerikane ndaj Kosovës ka vite që ka disa lëvizje hutuese. Simbol i një politike të tillë hutuese ishte Xhon Bolltoni, por jo vetëm ai. Sidoqoftë, shkaku i këtyre çështjeve, që e kanë rritur mosbesimin e SHBA ndaj synimeve politike të Kurtit, ka rrezik që presioni mbi Kurtin të jetë enorm lidhur me çështjet si bashkësia e komunave me shumicë serbe, pronat e Manastirit të Deçanit, ndarja e Liqenit të Gazivodës dhe termat e një marrëveshjeje eventuale me Serbinë. Pra, pritet një furtunë diplomatike e politike në drejtim të qeverisë Kurti 2, më së largu nga maji e tutje. Në rast të tillë, për Kurtin mund të vlejë urtia sipas të cilës sulmi është mbrojtja më e mirë. Prandaj qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 duhet të ndërmarrë disa iniciativa dhe aksione politike të forta përballë Serbisë, që ta amortizojë disi presionin që pritet të ushtrohet mbi Kosovën. Refuzimi i referendumit të Serbisë ishte një qëndrim i duhur. Çka mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?
E para, qeveria e Kosovës duhet të zyrtarizojë iniciativën për arritjen e një Marrëveshjeje Themeltare (Temelji ugovor) separate me Kishën Ortodokse Serbe, pra jo në kuadër të dialogut me Serbinë, po me vetë Kishën Ortodoske Serbe.

Rishikimi i raporteve me Kishën dhe padia për gjenocid

Parimet dhe zgjidhjet konkrete, përfshirë edhe obligimet e K.O.S., duhet të jenë strandarde si në raste të tilla në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Pra, për Kishën Ortodokse Serbe, nuk ka pse negocohet me qeverinë serbe, po me vetë Kishën Ortodokse Serbe. Në Planin e Përgjithshëm të Ahtisarit qasja ka qenë e gabueshme në këtë aspekt dhe ka prodhuar pasoja të mëdha, sepse e ka shndërruar K.O.S. si shtet në shtet. Por, ai ka qenë dokument i OKB-së dhe si i tillë është pranuar nga Kosova, si bazë për shtetësi. Mirëpo, në procesin e ndërtimit dhe të zhvillimit të shtetit, rregullimi shtetëror duhet të pasurohet me qasje të reja edhe në këtë aspekt. As Kroacia dhe BeH nuk e kanë pasur atë marrëveshje që nga dita e proklamimit të shtetit të pavarur, por e kanë arritur më vonë. Problemet e reja që dalin, duhet të adresohen në dokumente-marrëveshje të reja, e jo të ngurtësohen, sepse ngurtësimi në termat e fillimit (në rastin tonë në termat e Planit të Ahtisarit) e fut shtetin në shtrat Prokrusti. Fjala vjen, pronat e manastirit të Deçanit kanë dalë më vonë si problem pronësor-juridik. Prandaj zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e manastirit të Deçanit, duhet të akomodohet brenda një marrëveshjeje të re ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe. Pra, Marrëveshja Themeltare është e domosdoshme ndonëse del përtej kornizës së Planit të Ahtisarit. Moszbatimi i deritashëm nga institucionet qeveritare i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e manastirit të Deçanit është produkt i frikës nga ndërhyrja e shtetit serb, e jo produkt i frikës nga manastiri i Deçanit, i cili aty është me shekuj dhe shqiptarët në periudha të ndryshme edhe e kanë ruajtur vetë. Pra edhe dhënia e pronave, do të duhej të përfshihej pikërisht në Marrëveshjen Themeltare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe, e jo me shtetin serb, sepse Kisha dhe shteti serb, juridikisht janë të ndara. Ndonëse me vonesë e me komplikimet që tashmë janë shtresëzuar, këtë qasje duhet ta adoptpjë e ta mbrojë tash e tutje qeveria e Kosovës.
E dyta, ngritja e padisë për gjenocid. Instrumenti më efikas për ta kërkuar drejtësinë po edhe për ta frenuar pretendimin e Serbisë ndaj Kosovës është të ngritet përfundimisht padia për gjenocid kundër Serbisë. Themeli juridik për një proces të tillë ekziston në vendimin e formës së prerë të Tribunalit Penal të Hagës, i cili ka dënuar kreun shtetëror të Serbisë për krime në Kosovë. Dënimi i Nikolla Shainoviqit, gjeneralëve të armatës, Dragolub Ojdaniqit, Nebojsha Pavkoviqit, Vlladimir Llazareviqit si dhe gjeneralit të policisë, Sreten Llukiqit, është dëshmi që krimet janë kryer nga udhëheqja shtetërore e Srebisë, nga kreu civil ( Shainoviqi), ushtarak (Ojdaniqi, Pavkoviqi, Llazareviqi) dhe policor (Llukiqi.) Millosheviqi ka vdekur para se të shpallej aktgjykimi, por ai ka mund të gjykohet edhe në mungesë, në rastin e padisë për gjenocid. Vështirësitë legale e procedurale të Kosovës janë evidente, për faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe as nënshkruese e Konventës për Pengimin dhe Dënimin e Gjenocidit. Por, nëse krijohet një ekip i mirë i ekspertëve, mund të gjurmohen hapësira që lënë mundësinë e ngritjes së padisë, qoftë dhe një padie që “mbetet në pritje” të statusit, siç është rasti me padinë e Palestinës. Edhe një padi që mbetet pezull, mund të ketë efektet e veta, e pakta politike dhe diplomatike. Ka një rast indikativ në vitin 2021në Bosnje: ligji i Valentin Inckos për dënimin e mohimit të gjenocidit në Srebrenicë. Reagimi në Republika Serpska dhe në Serbi ndaj atij ligji, ka qenë dhe mbetet histerik. Veprimet që po ndërmirren nga entiteti serb dhe nga Serbia, ua kanë hequr maskat Dodikut e Vuçiqit. Ata po kërcënojnë me zhbërje Bosnjen, nga frika që ka ngjallë ligji i Inckos. Prandaj, në këtë linjë mendoj se një padi e Kosovës për gjenocid ndaj Serbisë, do t’ia hiqte Serbisë maskën para botës, do ta konfrontonte me BE-në e me NATO-n e kjo rrjedhimitht do të ishte në dobi të Kosovës. Në këtë kontekst, pozita e Kosovës është dobësuar shumë me afrimin e pakuptueshëm të Shqipërisë me Serbinë. Serbisë i është dashtë ky afrim më shumë se sa iniciativa “Ballkani i Hapur” si projekt bashkëpunimi ekonomik, për t’u siguruar që nga Shqipëria, në asnjë rast, nuk do të procesohej padia eventuale për gjenocid. Ftohja e raporteve ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për këtë iniciativë është një fitore e madhe diplomatike e Serbisë. Prandaj, Kosova duhet të gjejë mënyra të tjera që ta shtyejë përpara idenë e padisë, duke mos llogaritur në ndihmën e Shqipërisë. Keq, por ky është realiteti.

Shtërpca dhe Brezovica si model i integrimit të suksesshëm

E treta, duhet të hartohet një pako- ofertë për serbët e Kosovës që të fillojnë të integrohen realisht në institucionet dhe në shoqërinë e Kosovës. Duhet të gjenden modele më të përshtatshme e të braktisen këto metoda që tash njëzet vjet e kanë nxitur vetëm iredentizmin dhe separatizmin e serbëve lokalë. Modeli më i mirë është ai nga komuna e Shtërpcës, ku serbët kanë shkallën më të lartë të integrimit dhe të bashkëpunimit me shqiptarët. Mua me bie shpesh të qëndrojë në Shtërpcë e Brezovicë, meqë kam një shtëpi atje. Komunikimi atje është shumë miqësor, sepse edhe interesat e tyre janë direkt të lidhura me ne shqiptarët. Ka restorante shqiptarësh në të cilat punëtorët janë serbë dhe që flasin shqip e kanë sjellje shumë korrekte. Nëse do të futeshin nën kontroll institucioent paraelel që janë të korruptuara e do të hiqeshin paratë që u jipen ilegalisht, me metoda korruptive nga Serbia, krijohen mundësi të integrimit edhe më të madh. Në këtë kontekst, arrestimi i ish kryetarit të komunës së Shtrërpcës, i cili ka qenë tolerant e bashkëpunues, sado që është një çështje juridike të cilën nuk po e komentoj, në aspektin e integrimit të serbëve dhe të interesit tonë strategjik, ai arrestim nuk ka sjellë ndonjë dobi. Njësoj ka ndodhë edhe me partitë serbe që e pranonin Kosovën si shtet. Ato u braktisën, për t’ia bërë qejfin Vuçiqit, për ç’gjë pasojat janë shkatërrimtare. Pra, duhet të shihen edhe mundësitë e rikthimit të atyre partive e projekteve të moderuara, që e njohin realitetin dhe që bashkëpunojnë me shqiptarët. Edhe bashkësia e komunave me shumicë serbe do të mund të akomodohej më lehtë me parti të atilla, prandaj në këtë drejtim duhet të punohet shumë. Qeveria Kurti e ka hapësirën manovruese shumë të madhe në këtë drejtim.
E katërta, institucionet tona gjatë vitit 2022 duhet të kalojnë në ofensivë propagandistike, diplomatike e mediatike për ta prezentuar Kosovën si shtet të suksesshëm dhe partner të besueshëm të NATO-s, SHBA dhe Bashkimit Evropian. Duke pasur para sysh zhvillimet problematike në Bosnjë e Hercegovinë dhe rreziqet e luftës në Ukrainë, Kosova duhet të ndërtojë një narrativë se është shtet i sukseshëm dhe partner kredibil, e jo shtet i dështuar. Në këtë kontekst, LVV-qeveria e ka problem atë narrativë, sepse ajo e ka ndërtuar narrativën për Kosovën si shtet i dështuar dhe me të ka ardhë në pushtet. Por, tash që është qeveri, duhet ta ndryshojë. Partitë opozitate PDK, LDK e AAK e kanë përvojën e paraqitjes së Kosovës si storie suksesi, prandaj në këtë pikë LVV-qeveria e ka një model që mund të ndiqet.
Si përfundim mund të thuhet se viti 2022 do të jetë i vështirë për Kosovën. Sado që brenda ka njëfarë komoditeti, presioni nga jashtë pritet të jetë i madh. Por, siç do të thoshte Skot Peku, viti mund të bëhet më i lehtë, nëse e kuptojmë që do të jetë i vëshirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zjarr shpërtheu në një burg në Stamboll të premten…