Kosova në burg, Serbia e lirë
Shkruan: Nazmi Jusufi
Historia nuk mund të manipulohet. Por Dhomat e Specializuara për Kosovën po përpiqen ta bëjnë këtë.
Kosova, vendi që u dogj, u masakrua dhe u spastrua etnikisht nga agresori serb, sot gjykohet si fajtor në Hagë, ndërkohë që ata që kryen krime gjenocidale ecin të lirë, pa dënim dhe pa përgjegjësi.
15 shqiptarë të akuzuar, ish-udhëheqës dhe luftëtarë të UÇK-së, mbahen me vite në paraburgim. Dhe tani, prokuroria kërkon 45 vjet burg për secilin prej tyre – një precedent pa precedent në historinë e gjykatave ndërkombëtare, që trondit ndërgjegjen juridike dhe historike të kombit shqiptar, dhe mbi të gjitha drejtësinë ndërkombëtare.
Ky nuk është thjesht një rast penal. Ky është revizion historik, ku viktima trajtohet si fajtor, ndërsa agresori mbetet i paprekur.
Pyetjet janë të thjeshta, por të pamëshirshme:
• A mund të trajtohen liderët e një lufte çlirimtare si organizatë kriminale?
• A mund të ketë drejtësi kur viktimat e dhunës ushtarake gjykohen, ndërsa arkitektët e shfarosjes ecin të lirë?
Historia e Kosovës nuk do të fshihet pas aktakuzave.
UÇK-ja nuk luftoi për pushtet, por për mbijetesë. Populli shqiptar nuk ka pse të kërkojë falje për të mbrojtur jetën dhe kombin e tij.
Drejtësia që gjykon vetëm viktimën dhe injoron agresorin nuk është drejtësi.
Është politikë e maskuar me ligj, është tallje me historinë dhe ndërgjegjen kombëtare.
Për Dhomat e Specializuara për Kosovën (KSC) në Hagë: Asnjë proces nuk mund ta shndërrojë lirinë në krim, as heroizmin në faj, as gjenocidin në heshtje. Historia nuk fal manipulimin. Historia nuk harron. Dhe populli shqiptar nuk do ta pranojë kurrë këtë padrejtësi.



