Kosova në Konferencën Ministrore të Frankofonisë, në Kigali të Ruandës

24 nëntor 2025 | 13:51

Kosova morri pjesë në sesionin e 46-të të Konferencës Ministrore të Frankofonisë (CMF) që u mbajt në Kigali të Ruandës, më 19 dhe 20 nëntor.

Në krye të delegacionit kosovar ishte Bardhyl Dobra, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, kurse anëtarë të delegacionit ishin Shemsi Krasniqi, përfaqësues personal i presidentes së Kosovës në Frankofoni dhe Arbër Maliqi, sekretar i dytë i Ambasadës së Kosovës në Paris.

Tema e konferencës ishte “30 vjet pas Pekinit.

Kontributi i grave në hapësirën frankofone”. Në fjalën e tij me këtë rast, Dobra ndër të tjera theksoi se gratë kosovare kanë dhënë kontribut të çmuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa ato sot po e bëjnë të mundur forcimin e demokracisë dhe shtetit tonë të pavarur.

Zëvendësministri Dobra shprehu besimin se Kosova do të avancojë së shpejti statusin e saj në këtë organizatë, nga anëtar i asociuar në anëtar me të drejta të plota.

Ai po ashtu kërkoi që të gjitha ato shtete anëtare të Frankofonisë që nuk e kanë njohur akoma Republikën e Kosovës, ta bëjnë atë sa më parë, sepse vlerat e Frankofonisë dhe demokracisë janë ato që na bashkojnë, kurse njohja kontribuon në forcimin e mëtejmë të këtyre vlerave.

Delegacioni i Kosovës pati rastin të takohet dhe bisedojë me përfaqësuese shtetesh dhe qeverish anëtare të Frankofonisë, si dhe me sekretaren e përgjithshme të kësaj organizate, Louise Mushikiwabo.

Po ashtu në Kigali, një ditë para Konferencës Ministrore, u mbajt sesioni i 132-të i Këshillit të Përhershëm të Frankofonisë (CPF) ku morën pjesë Shemsi Krasniqi dhe Arbër Maliqi.

Kosova ka qenë pjesë e Grupit punues për hartimin e “Thirrjes së Kigalit”, dokument ky që bën thirrje për barazinë mes grave dhe burrave në hapësirën frankofone dhe që u aprovua nga ministrat e shteteve dhe qeverive frankofone në kuadër të kësaj Konference Ministrore.

Delegacioni Kosovar vizitën e vet në Ruandë e përmbylli me homazhet në Memorialin e Gjenocidit në Kigali, ku në emër të Republikës së Kosovës vendosi kurorë me lule, kurse zëvendësministri Dobra u nënshkrua në Librin përkujtimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, ka pritur në takim liderin…