
Kosova, në krizë politike dhe financiare
Bllokada në Kuvendin e Kosovës ka filluar të reflektojë edhe në nivel lokal. Një numër komunash kanë mbetur pa projekte që pritej të financoheshin nga Bashkimi Evropian, ndërsa tri komuna, përfshirë edhe Prishtinën, aktualisht kanë mbetur pa buxhet.
“Ne aspektin financiar tri komuna Prishtinë Gjilani dhe Zubin Potoku ende se kane te miratuar buxhetin për vitin 2025 sepse kuvendi i Kosovë s duhet ta beje një veprim te tille komunat janë duke pësuar ne asketin financuar për shkak te mos marrjes se mbështetjes nga mjeteve fondet e be si nga plani i rritjes por edhe të tjera që po bllokohen për shkak të masave…”
Bashkimi Evropian ka paraparë një fond prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili do të shpërndahet përmes granteve dhe kredive me kushte të favorshme. Megjithatë, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ende nuk ka marrë mjetet e para-financimit nga Plani i Rritjes së BE-së.
Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit dhe mosratifikimit të marrëveshjes për këto fonde, Kosova deri më tani ka humbur 60 milionë euro nga gjithsej rreth 900 milionë që pritet t’i takojnë në total. Në këtë situatë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gazmend Qorraj, paralajmëron se Kosova rrezikon t’i humbasë përfundimisht këto mjete nëse situata politike nuk zhbllokohet.
“Përkundër faktit që janë të kuotizuara këto mjete, Kosova edhe mund t’i humbasë sepse janë me afat të caktuar dhe t’i marr dikush tjetër”, thotë Qorraj për rtv21
Në anën tjetër, Kosova prej muajsh po përballet me një valë të theksuar të inflacionit, situatë që po ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe buxhetin e qytetarëve. Në këtë kontekst, mungesa e institucioneve dhe ngërçi në Kuvend vetëm sa e kanë shtuar irritimin e tyre.
“ Kjo kurrfarë kuptimi ska, po i lutin me marr pare këta nuk po dojnë”, thotë një qytetar
“ Nuk e di çka t’thom ma katastrofë nuk ka..”, thotë një tjetër qytetar.
“ Ma keq ska ku shkon. Katuni që shihet kallauz nuk don”, thotë tjetri qytetar.
Se nga ngërçi i krijuar më së shumti pësojnë qytetarët e thotë edhe analisti politik Bekim Selishta.
“Kushtetuesja si gardian i shtetit e thotë fjalën e saj e cila duhet të rrespektohet nga të gjithë edhe pse mund të mos i pëlqej njërës palë. Pasi që në fund të ditës qytetarët po përballen me inflacionin e lartë…”, thotë Selishta për rtv21.
Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë ngritur alarmin se Kosova po e humb hapin në procesin e integrimeve evropiane. Sipas tyre, dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit ndikojnë negativisht edhe në imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.