Kosova në krizë politike, marrëdhëniet me BE-në e ShBA-në të prishura

23 shtator 2025 | 08:33

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka deklaruar se Kosova ndodhet në një situatë të rëndë politike dhe institucionale, duke theksuar se marrëdhëniet me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe ShBA-në, janë të tensionuara.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai e cilësoi këtë si cenim të shtetësisë dhe sigurisë së vendit.

“Marrëdhëniet tona me partnerët ndërkombëtarë janë në nivelet më të larta që ka pasur ndonjëherë Kosova. Jemi nën sanksione nga BE-ja, po ashtu jemi nën sanksione edhe nga partneri kryesor ShBA dhe kjo e cenon gjithë shtetësinë e Kosovës lërë me sigurinë e të tjerat. Jemi në një situatë ku Kuvendi është pa institucione dhe është e rëndë kjo situatë në shumë rrafshe, edhe sociologjik, politik por edhe të sigurisë,” potencoi Zogaj.

Ai shtoi se distancimi nga aleatët e vendit është i papranueshëm dhe rrezikon të keqësohet gjendja në Kosovë.

“Por prishja e marrëdhënieve me partnerët tanë kryesorë të cilët janë garantues kryesorë të shtetësisë sonë, prishja e marrëdhënieve na dërgon në nivelet më të këqija deri tash,” theksoi ai.

Sipas Zogajt, qeveria aktuale po mohon autoritetin e institucioneve shtetërore.

“Kemi pasur një mohim të institucioneve shtetërore, prej Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Supreme e deri tek Prokuroria Speciale. Kjo qeveri aktuale nuk po i përgjigjet institucioneve të veta. Marrëdhëniet vetëm sa janë të prishura. Deklarata e fundit e ShBA ka qenë një prej deklaratave më të rënda të shtetit tonë. Ajo ditë ka qenë më fatkeqja për vendin,” deklaroi deputeti i betuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Danimarka dhe Norvegjia kaluan një mbrëmje kaosi pasi disa dronë nisën…