‘Kosova në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të rrymës’

09 shtator 2025 | 12:35

Kosova është në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të rrymës. Kështu ka vlerësuar drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi, një tryezën e diskutimit në kuadër të projektit “Varfëria energjetike në Kosovë II’, të organizuar nga INDEP-i.

“Është hera e tretë apo e katërt që është shtrenjtuar energjia elektrike. Para 5-6 viteve i kemi bërë disa punime ku në një farë mënyre thoshim investoni në efiçencë që të energjisë apo e kemi pasur burime të ripërtëritshme, por kostoja e rrymës ka qenë e përballueshme dhe nuk ka qenë prioritet. Në vitin 2007 ka mbërri çmimi i energjisë elektrike në kulmin me të lartë, ku rroga mesatare në Kosovë ka qenë 200-300 euro, ndërsa fatura e energjisë ka mbërri për një familje deri në 30 për qind të të hyrave për një familjeve. Tani me këto rritjet e reja të energjisë elektrike dhe rrogën mesatare për familje i bie që veçse kemi arritur faturat për energji edhe ajo termike, ka arritur deri në 15-20 për qind. Jemi në varfëri ose në kufirin e varfërisë energjetike. Nëse kemi edhe një rritje të energjisë elektrike dhe pagat nuk rriten, ne vijmë në pozitën që kemi qenë në vitin 2007”,  ka thënë Ejupi.

Ndërsa përfaqësuesi i Heinrich-Böll-Stiftung, Granit Gashi, ka thënë se qëllimi i tyre është të shtyhen përpara kornizat të cilat do të mundësonin tranzicionin energjetik për Kosovën.

Kurse Besiana Qorraj – Berisha nga Ministria e Ekonomisë, ka thënë se roli i tyre është hartimi i politikave dhe baza e bashkësive të energjisë.

Në anën tjetër, ekspertja për zhvillim të kapaciteteve, Lindita Daija, ka thënë se në aspektin e legjislacionit, Kosova tashmë është në një stad të avancuar.

Më tutje, ekspertja e burimeve të energjisë, Zanfina Kabashi, ka thënë se Kosova ka potencial për shumë lloje të burimeve të energjisë së ripërtëritshme.

Në raportin e publikuar nga INDEP-i me temën “Komunitetet e energjisë dhe varfëria energjetike në Kosovë” është vlerësuar se Kosova ndodhet në një moment kritik, pa rregullore të qarta dhe mekanizma financiarë, ku komunitetet e energjisë rrezikojnë të mbeten në letër.

Në këtë raport janë paraqitur  edhe disa rekomandime, ndër to që Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të themelojnë brenda gjashtë muajve një grup të përbashkët pune, i cili do të ketë për detyrë plotësimin e bazës ligjore për komunitetet e energjisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë u ka bërë thirrje të…