Kosova në kufijtë e delegjitimimit dhe rrënimit të rendit kushtetues

31 korrik 2025 | 12:32

Shkruan: Hisen Berisha

Kosova ka hyrë në një krizë të thellë institucionale dhe përfaqësuese.
Bllokada e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit dhe pamundësia për të formuar institucionet e reja legjitime na ka sjellë në një paralizë të vendimmarrjes shtetërore, cenon funksionimin demokratik dhe u jep argumente qarqeve të jashtme dhe të brendshme që mohojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
Rreziku më i madh është cenimi dhe degradimi i sovranitetit dhe rritja e presionit ndërkombëtar për zgjidhje të shpejta, të cilat mund të jenë në dëm të rendit kushtetues.
Ngërçi vijoi për shkak të një qëllimi të qartë politik – për të zgjatur përkohësinë dhe për të bllokuar një rotacion të mundshëm institucional.
Në thelb, kemi të bëjmë me një strategji të qëllimshme të mazhorancës që po ikën, e cila po përpiqet të mbajë pushtetin përtej mandatit – përmes interpretimeve të njëanshme kushtetuese dhe manovrave procedurale.
Ky ngërç nuk është më juridik – është politik dhe i motivuar nga frika e humbjes së kontrollit mbi institucionet dhe, më gjerë, mbi drejtësinë.
Situata aktuale u intereson një rrethi të ngushtë politik që e ka lidhur fatin e tij me pushtetin e përkohshëm dhe që ka frikë nga përgjegjësia e pas-pushtetit.
U intereson gjithashtu grupeve që duan ta mbajnë Kosovën të paralizuar për interesa më të mëdha rajonale – përfshirë edhe strukturat që synojnë të minojnë pavarësinë dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës në prag të negociatave të reja me Serbinë.
Një Kosovë pa institucione të legjitimuara është një shtet më i dobët në tavolinat ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj, ndriçoi një moment kritik duke definuar se afatet për krijimin e institucioneve nuk mund të shtyhen pafundësisht.
Ky vendim është, në fakt, një thirrje për respektim të rregullave të lojës demokratike dhe për rivendosje të rendit kushtetues. Politikisht, vendimi ngushtoi hapësirën për manovra dhe e ktheu vëmendjen te përgjegjësia e secilit deputet dhe të secilit subjekt politik për të vepruar brenda kornizës së ligjit.
Refuzimi për të përmbushur obligimin kushtetues pas këtij vendimi përbën akt të hapur të grushtshtetit institucional. Pra, deputetët e zgjedhur dhe të certifikuar janë në shkelje të kushtetutës dhe vetë rendit kushtetues – akti më i rëndë armiqësor pas tradhtisë ndaj shtetit.
Pas mesnatës së 26 korrikut, dhe dështimit të seancës së fundit konstituive, dështoi përfundimisht procesi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, dhe vendi ka hyrë në një fazë të re të “ndalesës” si masë kushtetuese, prej kur institucioni i Presidentit ka për obligim të ndërmarrë hapat për shpërndarjen e deputetëve dhe caktimin e zgjedhjeve të reja brenda 45 ditëve.
Çdo tentativë për të shtyrë këtë afat do të jetë shkelje e kushtetutës dhe do të thellojë krizën, duke krijuar rrethana për delegjitimim të mëtejmë të institucioneve dhe degradim kushtetues të vendit.
Ka shenja taktizimi politik se Presidentja aktuale po përpiqet të krijojë një shkëputje nga “Agjenda antishtet” me të cilën kanë ardhur dhe kanë udhëhequr këto vite bashkë-keq-qeverisje.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë kriza legjitime shndërrohet në krizë të qëllimshme politike, dhe barra bie mbi ata që u takon sovraniteti – qytetarët/votuesit, mbi Presidenten si autoritet kushtetues, dhe mbi partnerët ndërkombëtarë për të ndërhyrë me presion serioz.
Përndryshe, në skenën politike – sipas paralajmërimeve nga kategoritë më sublime të kombit, ato të luftës – pritet të shpërthejnë tensione të reja, përfshirë protesta dhe presione të shtuara nga faktori ndërkombëtar për zgjidhje të menjëhershme.
Vetëvendosje nuk ka më mision qytetar – ajo ka mision pushteti.
Dhe për këtë pushtet, është e gatshme të rrejë, të mashtrojë, të shkatërrojë dhe të përdorë gjithçka – vetëm që të mbetet në pushtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe e Industrisë, Rozeta Hajdari,…