
Kosova në miqësore mposht Komoret
Kosova ka vazhduar serinë pozitive me një tjetër fitore në ndeshje miqësore. Të hënën mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri”, përfaqësuesja kosovare triumfoi me rezultat 4:2 ndaj Komoreve, me Albion Rrahmanin që shkëlqeu duke realizuar “hat-trick”.
Edhe pse ndeshja nuk zgjoi interesim të madh nga publiku dhe niveli i lojës nuk ishte veçanërisht i lartë, Kosova regjistroi fitoren e pestë radhazi. Skuadra kishte triumfuar ndaj Lituanisë në nëntor, dy herë ndaj Islandës në mars në kuadër të plejofit të Ligës së Kombeve, si dhe ndaj Armenisë javën e kaluar me rezultat 5:2.
Komoret renditen pak më poshtë se Kosova në listën e FIFA-s – përkatësisht në pozitën e 105-të, ndërsa Kosova është në vendin e 97-të. Pavarësisht kësaj, trajneri Franco Foda ka shprehur kënaqësi me ecurinë e skuadrës dhe përqendrimin e lojtarëve në ndeshjet e fundit.