Kosova, nikoqire e Kupës së Botës për universitete

22 qershor 2022 | 15:03

Prej 11 deri më 17 korrik Kosova do të jetë mikpritëse e Kupës së Botës në Hendboll për Universitete. 20 universitete do të marrin pjesë në këtë ngjarje madhështore.

Ky kampionat do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe është duke u cilësuar si një organizim i jashtëzakonshëm, pasi në Kosovë do të zbarkojnë vende nga katër kontinente të botës.

Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së kryetari të Federatës së Sporteve Universitare e Kosovës, Gani Ibrahimi, që është nikoqir i këtij kampionati, ka thënë se organizimi i kësaj ngjarje kaq të madhe është privilegj dhe përgjegjësi.

“Me të drejtë thuhet se ngjarjet e mëdha sportive janë martesa e sportit me kulturën. Këto janë agjenda shtetërore jo vetëm sportive, ngritje flamujsh universitetesh, krahas universiteteve e kulturave botërore. Pas shtatë vitesh anëtarësim në Komitetin Olimpik të Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës në FISU dhe EUSA, Kosova ndihet krenare me sukseset e arritura brenda një kohe të cilat kanë krijuar një bonus të mjaftueshëm. Edhe më shumë se njëherë sot duhet të ndihemi të privilegjuar dhe të përgjegjshëm për besimin e dhënë nga FISU për organizimin e Kampionatit Botëror për universitete botërore. Të ecim së bashku në këtë rrugëtim të ri, të prezantojmë vlerat dhe kulturat sportive, të prezantojmë kulturë universitare në regjion dhe rajone ndërkombëtare”, ka thënë Ibrahimi.

Ndërsa ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se organizimi i kësaj ngjarje është një mundësi e artë për të treguar vlerat tona. Ai ka bërë me dije se ministri janë shumë afër arritjes së një marrëveshje për organizimin e një tjetër ngjarjeje të madhe sportive vitin e ardhshëm.

“Nga momenti i parë ne kemi qenë shumë jo vetëm të gatshëm, por edhe të motivuar nga ideja që shteti ynë të jetë mikpritës i një ngjarje kaq të rëndësishme ndërkombëtare të sportit dhe këtë të gjithë së bashku duhet ta shohim si mundësi të artë për shtetin tinë, jo vetëm si një moment që ndodh sivjet gjatë korrikut por edhe si argument i fuqishëm që Kosova është e gatshme me të gjitha kapacitetet për të pritur ngjarje të mëdha ndërkombëtare duke nisur me kampionatit botëror universitar ne hendboll. Jemi doke negociuar dhe jemi shumë afër për ta siguruar edhe një ngjarje shumë të rëndësishme ndërkombëtare të sportit për vitin e ardhshëm . Jam shpresëplotë që shumë shpejtë do ta publikojmë edhe atë dhe në përgjithësi të vazhdojmë t’i tregojmë të gjithë botës që shtetit ynë konkurron me shumë vlera”, ka thënë Çeku.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kjo ngjarje tregon se “jemi të gatshëm për organizime të mëdha ndërkombëtare”. “Nëpërmjet sportit po e zhvillojmë edhe turizmin sportiv, ku po e reprezantojmë edhe kulturën dhe traditën tonë, ku po bëjmë ndërlidhje të shumta në mes të Kosovës dhe vendeve të tjera të botës”, ka thënë Rama. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 100 mijë të punësuar në organet e administratës shtetërore…