Kosova nis hetime pasi zyrtari i MASHT-it bëhet ministër i Pëllumb Pilinçit, politikanit të vetëshpallur në Shqipëri

14 gusht 2025 | 13:03

Kanë nisur procedurat hetimore ndaj zyrtarit të lartë të qeverisë së Kurtit që u bë ministër në qeverinë e Pilinçit mashtrues.

Zyrtari i lartë i Ministrisë së Arsimit, Agim Krasniqi të hënën u bë ministër i Arsimit në qeverinë teknike që e formoi politikani i vetëshpallur në Shqipëri, Pëllumb Pilinçi. Mirëpo MAShTI e ka pranuar se nuk ishte në dijeni për aktivitetet që po zhvillonte Krasniqi teksa ka paralajmëruar se rastin e tij është duke e bërë gati për Komision Disiplinor.

Shkoi në Vlorë dhe me një ceremoni pompoze të rrethuar me pjesëtarë të sigurisë, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Arsimit në qeverinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, u bë ministër në “qeverinë teknike” të politikanit të vetëshpallur e fenomenit të rrjeteve sociale, Pëllumb Pilinçi.

Agim Krasniqi të hënën mbrëma pranoi zyrtarisht postin, por për emërimin e tij në një qeveri teknike në Shqipëri, nuk ishte në dijeni Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

MAShTI e ka pranuar se për emërimin e Krasniqit si ministër ka mësuar vetëm pas storjes që Paparaci e publikoi të martën.

Kjo ministri ka paralajmëruar se rasti i Krasniqit do të shkojë në Komisionin Disiplinor, si organ kompetent për trajtimin e shkeljeve të zyrtarëve publikë.

Të mërkurën, Paparaci ka kontaktuar me Agim Krasniqin, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë koment publik mbi çështjen.

“Deri në momentin e raportimit tuaj, MASHTI nuk ka pasur asnjë informatë zyrtare nga z.Krasniqi për pjesëmarrje në këtë aktivitet apo në ndonjë aktivitet tjetër”,thuhej në përgjigjen e MAShTI-t për Paparacin.

Paparaci e kishte pyetur ministrinë nëse ishte në dijeni që një zyrtar i saj ishte bërë ministër në qeverinë e Pilinçit që ka vendosur ta sfidojë Edi Ramën me qeverinë teknike me plot 13 ministra.

MAShTI në një përgjigje për Paparacin ka thënë se Krasniqi është i punësuar në këtë ministri që prej 2 korrikut të vitit 2015.

“Agim Krasniqi, është zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. z. Agim Krasniqi, është i punësuar në pozitën ”Zyrtar i lartë për arsim profesional” në Departamentin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Divizioni për cilësi, standarde dhe kurrikula të AAP-së”, thuhej në përgjigjen e MAShTI-t për Paparacin.

Në ceremoninë e prezantimit të qeverisë së tij teknike, Pilinçi ka pretenduar se tokat shqiptare janë deri në Beograd, teksa e ka fyer flamurin e Kosovës. Ndërkaq, Agim Krasniqi kishte thënë se si ministër do të bënte përpjekje që me programin qeveritarë “të prodhonte” patriotë. MAShTI ka thënë se këto deklarime nuk janë qëndrim apo politikë e saj.

“MASHTI nuk ka informacione lidhur me aktivitetin e z.Krasniqi dhe të ”Qeverisë Teknike”. Deklarimet dhe opinionet e z.Krasniqit, nuk paraqesin në asnjë mënyrë qëndrimin apo politikat e MASHTI-t”, thuhej në përgjigjen e MAShTI-t.

Pilinçi është figurë e njëjtë si Nikolla Xhufka, kleriku i vetëshpallur që para disa javësh mashtroi tre kryetar komunash në Kosovë që e pritën në takime.

Pilinçi ka shpallur qeverinë teknike, por nuk ka parti të regjistruar në Shqipëri dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë palë zgjedhje atje.

Shpallja e kësaj qeverie është bërë pa bazë ligjore. Kjo qeveri, natyrisht se nuk ka asnjë fuqi ekzekutive në realitet.

Para tre javësh, Pilinçi kishte vizituar Thethin dhe Kosovën. Me një kolonë xhipash e “Kadillackun” amerikan. Në Prishtinë e priti, Krasniqi ishte shprehur i gatshëm të merrte postin në qeverinë teknike që po e bënte gati Pilinçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Intervistë me Hajdin Abazi, veprimtar i arrestuar si njëzetvjeçar në…