KOSOVA, NJË SHTET I HALLAKATUR

15 shkurt 2020 | 07:53

Me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në këtë intervistë dhënë ekskluzivisht gazetës “Epoka e re”, ka folur akademik Rexhep Qosja.

Ai ka thënë se me rëndësi të madhe, jetësore dhe historike për shqiptarët është se Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. “Dhe, me rëndësi jetësore dhe historike për shqiptarët është se kjo liri dhe pavarësi e saj është e mbrojtur, e mbrojtur dje e sot e të shpresojmë edhe nesër prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Them kështu sepse po mos të ishte kjo mbrojtje, me praninë edhe të njësive ushtarake të ShBA-së në Bonstill, kush e di se çka krejt do të mund të ndodhte me Kosovën dhe me popullin e saj shqiptar! Kush e di se çka krejt do t’i sillnin Kosovës Serbia dhe sponsorja historike dhe e përtashme e saj, Rusia. Në saje të kujdesit dhe mbrojtjes që gëzon prej ShBA-së, Kosova sot është e njohur prej 117 vendeve si shtet”, ka thënë akademik Qosja.

Ai ka theksuar se Kosovën sot, shtet a parashtet, nuk e shohin dhe nuk e trajtojnë njësoj të gjithë qytetarët e saj. Sipas Qosjes, për një numër të këtyre qytetarëve të saj, sidomos të atyre që e bëjnë politikën e saj, ajo është parajsë, që u ka sjellë shumë e shumë të mira, shumë e shumë pasuri të quajtura të paluajtshme, shumë e shumë miliona, shumë e shumë udhëtime politike turistike anekënd botës e qejfe të tjera të ndryshme e të shumta! “Për një numër tjetër të qytetarëve të saj Kosova është shtet që i ka lënë në varfëri të skajshme, që i ka lënë të shpërfillur e të përbuzur, që i ka lënë të jetojnë me nga dy dollarë në ditë! Që i ka lënë të bëjnë çmos për të ikur në botën e huaj dhe ta kërkojnë fatin në strehimoret e saj!”, ka deklaruar Qosja.

Ai ka dhënë kritika për institucionet në fushën e drejtësisë, duke theksuar se institucionet e pavarura të shtetit tonë janë të kapura prej institucioneve të quajtura shtetërore ligjvënëse dhe zbatimore (ekzekutive).

Akademik Qosja ka folur edhe për veten e për familjen e vet, në këtë dymbëdhjetëvjetor të Kosovës shtet.

Ai ka thënë se ndaj tij Kosova qe dymbëdhjetë vjet është parashtet i vrazhdë. “Mund të them se ndaj meje Kosova qe dymbëdhjetë vjet është parashtet i vrazhdë. Gjatë dymbëdhjetë vjetëve të Kosovës së lirë e të pavarur unë kam hyrë vetëm dy herë në dy zyra të quajtura shtetërore: një herë në zyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që atëherë ishte Jakup Krasniqi e herën tjetër në zyrën e kryeministrit të Kosovës, që atëherë ishte Agim Çeku. Dhe, kurrë më”, ka thënë ai.

Qosja flet edhe për dëbimin prej punës të vetmit fëmijë të tij në administratën shtetërore, e cila në moshën 57-vjeçare me dy nipa të tij u detyruan të bëhen edhe një herë azilantë! “E tani qe sa kohë, dy mbesave të mia, me fakultete të kryera, nepotistët e shumëzuar ua mohojnë çdo mundësi për punësim për çka ato dhe kërkojnë mundësinë të bëhen azilante! Dhe, në qoftë se nepotistët e shumtë, që Kosovën e kanë bërë shtet fisnor parahistorik, në të vërtetë shtet familjar, ia caktojnë fatin e azilantit edhe nipit të tretë të Rexhep Qosjes që ende jeton në Prishtinë, çka i mbetet Rexhep Qosjes: të bëhet azilant edhe ai në moshën 84-vjeçare! Po mirë, do të bëhet azilant!”, ka deklaruar Qosja.

Akademik Qosja ka folur edhe për koalicionin qeverisës LV-LDK. Ai ka thënë se Qeveria e re me Albin Kurtin kryeministër do të bëjë krejt ç’mund të bëjë për ta shëruar Kosovën prej sëmundjeve të ndryshme e të shumta politike, ekonomike, arsimore, gjyqësore korruptive dhe nepotiste.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për përplasjen Rama Haradinaj.

“Epoka e re”: Z. Qosja, Republika e Kosovës shënon 12-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Cila është përshtypja juaj për këto dymbëdhjetë vjet shtet?

Rexhep Qosja: Me rëndësi të madhe, jetësore dhe historike për shqiptarët është se Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. Dhe, me rëndësi jetësore dhe historike për shqiptarët është se kjo liri dhe pavarësi e saj është e mbrojtur, e mbrojtur dje e sot e të shpresojmë edhe nesër prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Them kështu sepse mos të ishte kjo mbrojtje, me praninë edhe të njësive ushtarake të ShBA-së në Bonstill, kush e di se çka krejt do të mund të ndodhte me Kosovën dhe me popullin e saj shqiptar! Kush e di se çka krejt do t’i sillnin Kosovës Serbia dhe sponsorja historike dhe e përtashme e saj, Rusia. Në saje të kujdesit dhe mbrojtjes që gëzon prej ShBA-së, Kosova sot është e njohur prej 117 vendeve si shtet.

Por, Kosovën sot, shtet a parashtet, nuk e shohin dhe nuk e trajtojnë njësoj të gjithë qytetarët e saj. Për një numër të këtyre qytetarëve të saj, sidomos të atyre që e bëjnë politikën e saj, ajo është parajsë, që u ka sjellë shumë e shumë të mira, shumë e shumë pasuri të quajtura të paluajtshme, shumë e shumë miliona, shumë e shumë udhëtime politike turistike anekënd botës e qejfe të tjera të ndryshme e të shumta!

Për një numër tjetër të qytetarëve të saj Kosova është shtet që i ka lënë në varfëri të skajshme, që i ka lënë të shpërfillur e të përbuzur, që i ka lënë të jetojnë me nga dy dollarë në ditë! Që i ka lënë të bëjnë çmos për të ikur në botën e huaj dhe ta kërkojnë fatin në strehimoret e saj!

Për disa të tjerë, që e quajnë vetën intelektualë, disa prej të cilëve nuk jetojnë edhe aq keq e disa prej të cilëve jetojnë kurrqysh, Kosova është një shtet i hallakatur. E quajmë të tillë, sepse ajo, Kosova, ende është pa themele të përcaktuara shtetërore, ende nuk dihet është shtet i të ashtuquajturës gjedhe liberale apo shtet i të ashtuquajturës gjedhe sociale. Kosova ende nuk ka sistem të vlerave. Kosova në shoqërinë e saj në vend të parë vë jo qytetarin, po partiakun.

Në Kosovën e sotme as në ëndërr nuk shihet shteti i së drejtës. Institucionet e saj të pavarura janë të kapura prej institucioneve të quajtura shtetërore ligjvënëse dhe zbatimore (ekzekutive).

Duke mos qenë shtet funksional po i hallakatur, në Kosovën e sotme sundojnë individët e nuk qeverisin institucionet.

Në vend të qëndrueshmërisë (stabilitetit) në Kosovë, prandaj, përsëriten krizat kur më të shkurtra e më shpesh më të gjata. Nuk u shpreha saktë: Kosova në të vërtetë është në krizë institucionale të përhershme, që demagogët në Kosovë e në Shqipëri e quajnë tranzicion!

E çka mund të them unë vetë, për veten e për familjen time, në këtë dymbëdhjetë vjetor të Kosovës shtet?

Mund të them se ndaj meje Kosova qe dymbëdhjetë vjet është parashtet i vrazhdë. Gjatë dymbëdhjetë vjetëve të Kosovës së lirë e të pavarur unë kam hyrë vetëm dy herë në dy zyra të quajtura shtetërore: një herë në zyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që atëherë ishte Jakup Krasniqi e herën tjetër në zyrën e kryeministrit të Kosovës, që atëherë ishte Agim Çeku. Dhe, kurrë më.

Në qoftë se lëmë anash financimin e botimit të kompletit të veprave të mia, më në fund si edhe të kompleteve të akademikëve të tjerë dhe të autorëve të tjerë, për të cilët është kërkuar ai financim, unë mund të them se Kosova e këtillë siç ishte e sunduar deri sot është sjellë jo vetëm me shpërfillje, por edhe me mosdurim ndaj meje. Është bërë e çka s’është bërë për t’u shpërblyer me shpërfillje, me ndëshkim puna ime me shkrime dhe me politikë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në vitet kur të tjerët i këndonin bashkim-vëllazërimit, autonomisë së Kosovës dhe socializmit vetëqeverisës të Jugosllavisë, kurse shkrimet e mia të tilla mund të botoheshin kryesisht në Kroaci e në Slloveni. Shkrimet e mia, pas demonstratave të rinisë sonë studentore dhe shkollore në vitin 1981, me të cilat mbrohej Kosova, me të cilat mbroheshin historia, tradita, kultura, letërsia popullore, vlerat etike të shqiptarëve prej shovinizmit serb, një kohë edhe maqedonas e malazez, shkrimet e mia në të cilat shqiptarët quheshin popull i tretë për nga numri në Jugosllavi e jo pakicë kombëtare, në të cilat shqiptarët quheshin popull që i takon e drejta e vetëvendosjes, e drejta për ta caktuar vetëm fatin e vet dhe quheshin ashtu kur në Prishtinë, pas rënies së komunizmit, krijoheshin partitë tona të para, që regjistroheshin në Ministrinë Republikane të Serbisë në Beograd dhe në programet e tyre kërkonin autonominë për Kosovën – gjithë ato shkrime u shpërblyen me ndëshkime të familjarëve të mi.

Ashtu me ndëshkime të familjarëve u shpërblyen edhe veprat e mia të tjera publicistike siç janë: “Populli i ndaluar” (1990),“Strategjia e bashkimit shqiptar” (1992), “Çështja shqiptare – historia e politika” (1994), “Fjalor demokratik” (1997), “Ligjërime paravajtëse” (1996), në të cilat i shpjegohej opinionit jugosllav e botëror e gjithë dhuna e i gjithë terrori që ushtronte Serbia e Millosheviqit e kishin ushtruar edhe Serbia e para Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

Jeta ime kushtuar gjithë këtyre veprave me të cilat mbrohej liria dhe pavarësia e Kosovës, mbrohej historia, e kultura, dinjiteti shqiptar; mandej qindra e qindra takime të miat me politikanë, diplomatë e delegacione amerikane e evropiane që vinin në Kosovë për t’u njohur me gjendjen në Kosovë nën dhunën e terrorin e Serbisë, pjesëmarrja ime në Konferencën e Rambujesë, shumë e shumë faqe të shkruara e shumë e shumë paraqitje të mia në mbrojtje të UÇK-së prej atyre që e sulmonin, zhvlerësonin dhe mohonin luftën e saj të gjykuar thoshin të dështojë, u shpërblyen e si u shpërblyen: me dëbimin prej punës të vetmit fëmijë timin në administratën shtetërore, e cila në moshën 57-vjeçare me dy nipa të mi u detyruan të bëhen edhe njëherë azilantë! E tani qe sa kohë, dy mbesave të mia, me fakultete të kryera, nepotistët e shumëzuar ua mohojnë çdo mundësi për punësim për çka ato dhe kërkojnë mundësinë të bëhen azilante! Dhe, në qoftë se nepotistët e shumtë, që Kosovën e kanë bërë shtet fisnor parahistorik, në të vërtetë shtet familjar, ia caktojnë fatin e azilantit edhe nipit të tretë të Rexhep Qosjes që ende jeton në Prishtinë, çka i mbetet Rexhep Qosjes: të bëhet azilant edhe ai në moshën 84-vjeçare! Po mirë, do të bëhet azilant!

Ky do të jetë shpërblimi i fundit e më i madhi që do të ma dhurojë Kosova e atyre që e bënë shtet të tyre privat për të ato që kam bërë unë për të për Kosovën e dinjiteteve, të të drejtave e të gjasave ligjore të barabarta!

Po, të them, gjithë kjo sjellje mospërfillëse, ndëshkuese e zezë ndaj meje për gjithë ato që bëra për Kosovën e lirë e të pavarur e të bashkuar një ditë me Shqipërinë, nuk më çudit: ata që më ndëshkuan kështu mua, ashtu me të zeza i shpërblyen edhe 28 vjet burgje serbe të Adem Demaçit! Nuk i lejuan të bëhet kryetar i Kosovës, as kryeministër i Kosovës, as ministër i Kosovës, as, madje, i kandiduar për deputet të Kosovës!

Ata, që as Adem Demaçin që gjatë 28 vjetëve burgje serbe i kishte mësuar shumë për politikën e Serbisë ndaj popullit shqiptar e as mua që kisha shkruar gjithë ato faqe e vepra për politikën mbi njëqindvjeçare shoviniste serbe ndaj popullit shqiptar, nuk u quajtën të arsyeshme që sundimtarët e Kosovës të na takojnë e të pyesin se çka e si i mendojmë bisedimet e sotme me Serbinë. Por, këta shpërfillës, mohues e ofendues të Adem Demaçit, sot i shkojnë Adem Demaçit te varri dhe me nëntë hipokrizi të ndryshme i bëjnë gjoja nderime!

Po mirë, mirë, të gjitha këto një ditë do të bëhen libra, shpjegime historike, filma që do t’i duhen popullit shqiptar për t’u mbrojtur prej dhunëtarëve partiakë e politikë në kohën që do vijë.

“Epoka e re”: Në këtë 12-vjetor, Republika e Kosovës, si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit, ka një koalicion qeverisës me kryeministër Albin Kurtin. Ju edhe keni bërë një thirrje publike që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të bashkohen për një qeveri të përbashkët. Kjo do të thotë se ju prisni një qeverisje më të mirë nga këto parti se qeveria e kaluar?

Rexhep Qosja: Jo vetëm unë, dhe jo vetëm ata që votuan për ndryshimet, me kryeministër Albin Kurtin, po sigurt numri më i madh i qytetarëve të Kosovës shpreson se Qeveria tani e krijuardo të bëjë krejt ç’mund të bëjë për ta shëruar Kosovën prejsëmundjeve të ndryshme e të shumta politike, ekonomike, arsimore, gjyqësore, korruptive, nepotiste e të tjera e të tjera që ia shkaktoi pushteti i derisotëm. Mbetet të shihet.

“Epoka e re”: Bashkëpunimi Kosovë Shqipëri duket se është thyer pas përplasjeve që patën z. Rama dhe z. Haradinaj. A ka rrezik që të ftohen raportet Kosovë Shqipëri apo si mund të ndreqen ato?

Rexhep Qosja: Ajo mund të jetë ftohje fare e shkurtër e marrëdhënieve mes individëve politikë e jo e marrëdhënieve shtetërore në përgjithësi. Forcat shqiptare që ruajnë lidhjet, kohezionin social, shpirtëror e kombëtar mes shqiptarëve janë shumë më të shumta se disa forca të skajshme që kanë dalë në skenën politike me ide që e rrezikojnë atë kohezion. Dy emrat e përmendur nuk i shoh ndër ata që e rrezikojnë atë kohezion.

(Mal Qorraj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron…