Kosova pa buxhet, shkak kriza institucionale si pasojë e bllokimit politik
Shkruan: Hisen Berisha
Kosova rrezikon të hyjë në vitin 2026 pa buxhet të miratuar. Kjo situatë është pasojë direkte e zvarritjes së procesit të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve dhe e mungesës së një qeverie funksionale me mandat të plotë politik.
Në mungesë të përgjegjësisë politike dhe juridike, po eksperimentohet me rendin kushtetues.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë dhe nuk lë hapësirë për interpretime politike: është Qeveria ajo që përgatit dhe i paraqet Kuvendit projektligjin e buxhetit për miratim.
Kuvendi e miraton atë, por vetëm pas propozimit zyrtar nga Qeveria.
Kjo renditje procedurale është thelbësore për ndarjen e pushteteve, funksionimin demokratik të shtetit dhe për respektimin e parimeve kushtetuese.
Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës po ashtu thekson qartë se Qeveria ushtron funksionet e saj vetëm pas zgjedhjes dhe dhënies së betimit të Kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Vetëm pas kësaj procedure ajo ka të drejtë të propozojë projektligjin e buxhetit të Republikës.
Një qeveri në detyrë, pra pa mandat të ri politik, nuk mund të miratojë apo të propozojë buxhet të ri vjetor.
Kompetencat e saj kufizohen vetëm në shpenzime të domosdoshme për funksionimin e administratës publike dhe për çështje urgjente me karakter teknik. Kjo është e përcaktuar qartë në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Në këtë kontekst, çdo thirrje e Kryesisë së Kuvendit për diskutim apo miratim të buxhetit në mungesë të një Qeverie të formuar përbën tejkalim kompetencash dhe shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.
Rregullorja e Punës së Kuvendit përcakton se Kryesia përgatit rendin e ditës dhe seancat plenare bazuar në propozime që vijnë nga Qeveria, komisionet apo deputetët.
Por buxheti, si akt politik dhe juridik i shtetit, nuk mund të jetë nismë e deputetëve apo e Kryesisë, pasi buron ekskluzivisht nga kompetenca ekzekutive.
Pra, pa ekzistuar një akt formal të Qeverisë që e dërgon projektbuxhetin në Kuvend, nuk ka bazë kushtetuese as procedurale për shqyrtim apo miratim të tij. Çdo veprim i tillë do të ishte jokushtetues, i pavlefshëm dhe politikisht i rrezikshëm për stabilitetin institucional të vendit.
Në rast se vonesat vazhdojnë, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike parasheh vetëm një zgjidhje të përkohshme: financimin mujor me shpenzime që nuk tejkalojnë 1/12 e buxhetit të vitit paraprak, deri në miratimin e buxhetit të ri. Ky është një mekanizëm emergjent për të shmangur paralizimin financiar të shtetit, por nuk mund të zëvendësojë funksionin e një buxheti të plotë.
Kushtetuta e Kosovës nuk i jep askujt monopolin e përhershëm të formimit të qeverisë. Nëse subjekti fitues dështon ta formojë atë, e drejta kalon tek subjektet e tjera që mund të sigurojnë shumicën parlamentare.
Çdo nismë për formimin e një qeverie që respekton procedurat dhe numrat në Kuvend është plotësisht legjitime dhe në përputhje me rendin kushtetues.
Kjo do të ishte mënyra më e drejtë dhe institucionale për t’u dalë zot qytetarëve dhe për të shmangur krizën buxhetore.
Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, jo për manipulime e kriza të fabrikuara për qëllime të ngushta pushteti.
Në këtë fazë, zgjidhja më e arsyeshme dhe realisht e zbatueshme është formimi i një qeverie të ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, me mbështetje të të gjitha subjekteve parlamentare.
Një qeveri e tillë ekspertesh, me mandat të kufizuar, do të kishte për detyrë: të sigurojë miratimin e buxhetit, stabilitetin institucional dhe përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja të rregullta.
Çdo qeveri tjetër që do të lindte si produkt i shantazheve politike, pa shumicë reale e pa besim publik, nuk do të kishte as legjitimitet moral, as politik.
Përpjekjet e Kurtit për ta përdorur krizën e mosmiratimit të buxhetit si mjet presioni për të konsumuar të drejtën kushtetuese të kandidatit të dytë sipas nenit 90, pika 2, janë të rrezikshme për rendin kushtetues.
Sepse është dëshmuar tashmë se nuk e ka ma as përkrahjen qytetare dhe as të spektrit politik, por edhe është i stiruar nga DASH dhe BE, si i pa pranueshëm dhe pakredibilitet për të udhëhequr me institucionet e Kosovës dhe proceset politike përpara.
Në fakt, qëllimi i tij është i qartë, që ta mbajë veten në pozitën e kryeministrit kujdestar, duke e përdorur krizën buxhetore si justifikim për propagandë politike dhe për akuzimin e opozitës për gjoja bashkërendim politik me Listën Serbe për “bllokim të shtetit”.
Ky është një skenar i vjetër: krizën ta paraqesë si viktimizim personal dhe politik, ndërsa fajin ta hedhë mbi të tjerët.
Por, faktet janë të pakontestueshme: kabineti i propozuar nga Kurti është më i dobëti, më kontradiktori dhe më i lidhuri me interesa të dyshimta politike e personale që janë parë ndonjëherë në një qeveri të Kosovës.
Një analizë e thjeshtë tregon se pothuajse secili person që rreshtohet pas Kurtit ka lidhje personale, ekonomike ose familjare me Serbinë, me ndonjë përjashtim në përqindje simbolike. Kjo është një goditje e rëndë për besimin e qytetarëve dhe për integritetin e institucioneve të Republikës.
Kështu që, Kosova sot ka nevojë për përgjegjësi, jo për eksperimente me rendin kushtetues dhe integritetin e institucioneve shtetërore..
Në vend të krizës së qëllimshme, duhet të krijohet një qeveri e përkohshme e ekspertëve, e cila e nxjerr vendin nga bllokada, miraton buxhetin e vitit 2026 dhe përgatit terrenin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Çdo veprim tjetër është lojë politike mbi kurrizin e qytetarëve dhe shkelje e qartë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.



