Kosova para vendimmarrjes që tejkalon kapriciet e brendshme

12 mars 2020 | 17:30

Kosova nuk duhet të pres twitin e radhës, sepse ai mund të jetë i fundit, por duhet të mbledhë të gjitha fuqitë që të tejkalojë kapriciet e brendshme në favor të një zgjidhje që është e favorshme për të

Nga Mehmet PRISHTINA

Senatori amerikan David Perdue, siç raportojnë mediat, shkroi të martën se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë, nëse ajo nuk heq taksën 100 për qind ndaj Serbisë.
Në një postim në rrjetin ‘Twitter’, senatori Perdue, shkroi se “për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.
Tani, me përparimin e arritur historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqen, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë e atje”, shkroi ai.
Ky është vetëm një sinjal që vjen përtej Atlantikut dhe as në ëndërr nuk do ta shihnim që do të vijë një ditë të flasim për (pa)mundësinë e largimit të prezencës ushtarake amerikane nga Kosova, në rrethana të tilla kaq banale e teknike, në shikim të parë, por shumë problematike në rrafsh gjeostrategjik.
Sinjale të tilla nga Uashingtoni kanë ardhur edh prej zyrtarëve e emisarëve të tjerë amerikanë.
Amerika nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Kosovë, por shqiptarët nuk duhet të bëhen shkaktarë të keqkuptimeve për ndonjë rishqyrtim serioz të vendimeve amerikane.

Është evidente kriza nëpër të cilën po kalon aktualisht politika e Kosovës, qoftë ajo që udhëhiqet nga Qeveria, qoftë nga opozita, por është e pafalshme të prishemi me miqtë tanë më të mëdhenj -amerikanët, për shkak të mosmarrëveshjeve tona të brendshme. Dimensionet kësaj krize bëhen edhe më shqetësuese për faktin se edhe brenda koalicionit qeverisës ka plasaritje dhe mospajtime sa i përket masave dhe veprimeve që duhet të ndërmerren në raport me Serbinë, siç është taksa 100 për qind. LDK ka dërguar një emisar të vetin në Uashington dhe ky është një hap i mjaftueshëm për të hy në një krizë qeverisëse, si pasojë e mospajtimeve mbi domosdonë e heqjes së taksës, e kërkuar edhe nga ShBA, ku LDK dhe LV si partner të koalicionit, kanë qëndrime pak a shumë të ndryshme. Të gjithë vëzhguesit dhe analistët janë të një mendimi se taksa është vetëm një çështje teknike që nuk çon shumë peshë në finalizimin e raporteve me Serbinë në të ardhmen, sepse ajo çka pritet të debatohet në tryezën e negociatave është më substanciale dhe shumë fish më jetike se taksa 100 për qind.
Në anën tjetër, vetë Amerika ndodhet në një fazë mjaft interesante të zhvillimeve, si në planin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm. Aktualisht jemi në kohën kur Amerika po kalon nga demokracia liberale në neoliberalizëm dhe kjo vetvetiu nënkupton një ndryshim tipologjik në vet strukturën e politikës amerikane.

Vendimet e mëdha politike të një shteti gjigant, siç është Amerika, udhëhiqen edhe nga zhvillimet globale, që prekin drejtpërdrejt interesat amerikane, ku gjithsesi bën pjesë edhe kriza energjetike si pasojë e luftërave gjeostrategjike për rrugët e transmetimit të gazit apo naftës.
Kosova sigurisht që është një pikë e vogël në këtë det të madh të zhvillimeve globale, ku SHBA-të kanë gjithsesi rolin dhe angazhimin e vet të rëndësishëm, por ajo që kërkohet nga klasa politike kosovare është të vlerësojë drejt momentumin në të cilin ndodhen marrëdhëniet ShBA-Kosovë dhe mundësisht të detektoj drejt pengesat që mund t’i vështirësojnë këto marrëdhënie.
Tani për tani është taksa 100 për qind ajo që ka krijuar ndasi si brenda skenës politik kosovare, ashtu edhe në raport me ShBA-të. Përveç kryeministrit Kurti, i cili ka një qëndrim ndryshe rreth kësaj problematike, të gjithë të tjerët (me përjashtim të AAK-së), përfshi edhe LDK-në, janë në valë të njëjta me Uashingtonin për heqjen pa kushte të taksës.
Kritikuesit e kryeministrit Kurti pretendojnë se ai këtë qëndrim po e mban i nxitur nga motivet e një politikani i cili në vendimmarrjen e tij dëshiron të ketë konsistencë dhe mos ikje nga premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore.
Mbështetësit e kryeministrit Kurti, në anën tjetër, mendojnë se lideri i tyre nuk është kundër Amerikës, por ai ka qëndrim të prerë sa i përket raporteve me Serbinë, duke kërkuar nga kjo e fundit t’i përmbahet disa rregullave e parimeve që janë të domosdoshme në mes të dy partnerëve të barabartë në tavolinën e bisedimeve.

Edhe kritikuesit edhe mbështetësit e kryeministrit Kurti flasin në emër të interesave të Kosovës, por nëse në të ardhmen nuk do ta kemi mbështetjen e ShBA-ve, atëherë kot flasim për ato interesa. Agjendat politike të udhëheqësve të Kosovës mund të jenë shumë objektive dhe të dobishme për qytetarët e vendit, por jo gjithmonë shtetet me kapacitete të limituara ushtarake, ekonomike e zhvillimore, siç është Kosova, mund t’i realizojnë 100 për qind për qind ato agjenda.
Nëse Kosova shumë shpejt nuk e gjen një rrugë të vetme që do ta bënte më të akceptueshme për politikën e jashtme amerikane, atëherë mund të ndodhë që në zgjidhjen final të raporteve me Serbinë të ngelim me disa faktorë ndërkombëtarë, të cilët mund të mos e kenë ndjeshmërinë e momentit për të vendosur në favor të rrjedhës logjike të zhvillimeve që nga koha e bombardimeve të NATO-s e deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke lënë hapur problemin e pazgjidhur me Serbinë. Nëse dilet nga kjo rrjedhë, atëherë sërish do të kemi nevojë për një aleat të fuqishëm, por atëherë mund të jetë vonë.
Kosova nuk duhet të pres twitin e radhës, sepse ai mund të jetë i fundit, por duhet të mbledhë të gjitha fuqitë që të tejkalojë kapriciet e brendshme në favor të një zgjidhje që është e favorshme për të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Studentëve ka njoftuar se me qëllim të parandalimit…