Kosova pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, drejt zgjedhjeve të domosdoshme dhe rivendosjes së partneritetit me SHBA
Shkruan: Hisen Berisha, ish deputet i Kuvendit të Kosovës
Periudha e bllokadës institucionale pothuaj se një vjeçare, nëse i referohemi ditëve dhe muajve efektiv të punës, zhvillimet në Kuvend dhe në arenën ndërkombëtare janë sinjale të qarta se epoka e improvizimit politik në Kosovë po mbyllet.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës rikthyen sakrificën e kombit shqiptar për Kosovën – shtet sovran dhe në miqësi të përhershme me SHBA.
Konsideroj se vendi duhet të hyjë në fazën e pjekurisë politike, ku sovraniteti nuk mund të mbrohet duke sfiduar aleatët, dhe partneriteti strategjik nuk mund të ndërtohet mbi mashtrime populiste.
Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës shënuan një kthesë të madhe politike. Mosvotimi i Qeverisë Kurti 3, nuk ishte thjesht një përplasje brendapartiake apo aritmetikë parlamentare, por ishte një akt institucional që duhet të rivendos përgjegjësinë politike dhe të ndaloj rrëshqitjen me tej, dhe të nxjerrë vendin nga izolimi ndërkombëtar.
Deputetët, me votën kundër, i dhanë fund një periudhe pesëvjeçare ku pushteti u shndërrua në instrument përçarjeje dhe përfitimi personal, duke e vendosur përballë miqve strategjikë të Kosovës, mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ky është momenti kur Kuvendi riktheu ekuilibrin midis sovranitetit dhe partneritetit strategjik; dy shtylla mbi të cilat është ndërtuar shtetësia e Kosovës.
Dy administrata amerikane, njëra pas tjetrës, kanë paralajmëruar për dëmet që sjell qasja konfrontuese e Kurtit, duke e cilësuar si faktor përkeqësimi të raporteve me Uashingtonin dhe i pabesueshëm e i papranueshëm për procesin përpara për interesin kombëtar dhe gjeostrategjinë amerikane në rajon.
Deputetët, besoj ta kenë kuptuar dhe e dëshmuan se interesi shtetëror nuk mund të sakrifikohet për ego politike.
Në rrafshin e brendshëm, kjo qeveri e ka çuar vendin në një krizë të shumëfishtë: asnjë njohje të re ndërkombëtare, vendime e veprime politike të pa harmonizuara me PUN dhe aleatët duke i krijuar hapësirë interferimi Beogradit në proceset pulitke, përjashtim nga ushtrimet ushtarake “Defender”, rritje inflacioni, aferat e vjedhjes së rezervës shtetërore dhe shkelje të përsëritura të Kushtetutës. Për pesë vite, Kosova përjetoi një stagnim të dukshëm ekonomik, institucional dhe diplomatik.
Rrëzimi i Qeverisë Kurti hap një kapitull të ri: mundësinë për zgjedhje të parakohshme, të cilat tashmë duken të pashmangshme.
Zgjedhjet që priten nuk do të jenë vetëm politike, por ato do të jenë referendum moral midis përgjegjësisë dhe arrogancës, mes shtetformimit dhe autokracisë.
Subjektet politike shqiptare, që treguan maturi shtetërore, janë përpara detyrës për ta shndërruar këtë momentum në projekt politik kombëtar, për rivendosjen e besimit me aleatët dhe për ndërtimin e një qeverie që i kthen Kosovës dinjitetin institucional dhe besueshmërinë ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, qytetarët janë tashmë faktor vendimtar. Radha është e tyre, për ta çliruar plotësisht shtetin nga mekanizmat neokomunistë të uzurpimit të institucioneve dhe për të rikthyer sovranitetin qytetar nëpërmjet votës.



