
Kosova përballë erozionit të demokracisë
Në Kosovë, sistemi demokratik është shkundur nga mungesa e respektit ndaj rregullave dhe interpretimi selektiv nga një pjesë e klasës politike.
Deri vonë, një pjesë e madhe e njerëzve në Kosovë besonin – dhe vepronin – sikur sistemi kushtetues në vend ishte një strukturë e pathyeshme, pavarësisht sjelljes së pamatur të politikanëve kosovarë. Megjithatë, kjo bindje është lëkundur nën peshën e zhvillimeve të fundit, duke kërcënuar që sistemi aktual të dalë jashtë binarëve.
Rrahman Paçarizi, profesor universitar, thekson se problemi kryesor qëndron tek perceptimi i gabuar i një pjese të klasës politike ndaj demokracisë. Ai nënvizon veçanërisht rolin e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili, sipas tij, pothuajse secilën çështje që prek aspektin insticional të vendit e interpreton sipas dëshirës.
“Lëvizja Vetëvendosje, që është në fakt një grup besimtarësh rreth zotit Kurti, besojnë se pushteti dhe demokracia janë çështje intepretimi. Trualli në Kosovë është i përshtatëshëm për këtë, ngase sistematikisht është sulmuar, degraduar, degjeneruar dhe deligjitimuar secili institucion juridik, moral dhe etik”, argumenton Paçarizi.
Mospërfillja e rregullave të pashkruara – që mbajnë në këmbë sistemin në vendet me demokraci të konsoliduar – krahas mosrespektimit të afateve kushtetuese, sipas Paçarazit, ka krijuar një boshllëk moral dhe juridik në Kosovë, ku askush nuk e ka autoritetin për të bërë thirrje për rikthim në normalitet institucional e demokratik.
“Ne tashmë kemi përjetuar një proces retrogard në tranzicionin e stërzgjatur që na ka deevoluuar në një joshoqëri. Ne tashmë nuk e dimë çka duam a çka synojmë. Jemi shndërruar në metaforën më domethënëse të ‘vrimës së zezë’ që rrezikon ta gllabërojë demokracinë”, shton Paçarazit teksa komenton ngërçin aktual politik në Kosovë.
Edhe analisti politik, Afrim Kasolli, konsideron se rrënjët e krizës aktuale institucionale në Kosovë janë rezultat i qëndrimeve të vazhdueshme politike të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila prej vitesh ka ndërtuar një diskurs kundër rendit kushtetues në Kosovë.
“Të kemi parasysh faktin se ndër vite partia fituese e zgjedhjeve ka mbrojtur retorikën se kushtetuta dhe normat juridike i janë imponuar Kosovës nga kancelaritë perëndimore dhe nuk kanë qenë shprehje e vullnetit të saj autentik popullor. Prandaj nuk mund të pritet një sjellje tjetër politike, pos asaj që është propaganduar ndër vite”.
Kasolli paralajmëron se demokracia mund të shkojë drejt rrënimit nëse nuk ekziston vullneti për ta mbrojtur. Ai vëren se Kosova nuk përbën përjashtim nga rreziku permanent që shoqëritë demokratike e bartin gjithmonë me vete — përmbysjen nga brenda.
“Kjo është një nga dobësitë e sistemit demokratik, ashtu sikurse ka pohuar edhe José Ortega y Gasset [filozof, eseist dhe publicist spanjoll]: demokracitë janë të detyruara të bashkëjetojnë me armiqtë e tyre, ndërsa këta të fundit, sapo marrin pushtetin, nuk hezitojnë ta eliminojnë të parën”, potencon mes tjerash ish-deputeti kosovar.
Nga sot ka hyrë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese që ndalon deputetët e zgjedhur të ndërmarrin lëvizje drejt formimit të legjislaturës së nëntë kosovarë deri më 8 gusht. Kjo masë vjen si pasojë e skadimit të afatit 30-ditor që ka përfunduar më 26 korrik, brenda të cilit duhej të formohej Kuvendi i Kosovës.