
Kosova përballë sfidave të kohës: Elita dhe përgjegjësia politike
Shkruan: Ethem Çeku
Sfida më e madhe e Kosovës nuk qëndron vetëm jashtë kufijve të saj. Ajo që e rëndon më së shumti është paaftësia e elitës sonë politike për t’u ngritur në lartësinë që kërkon koha. Në vend që të ndërtohen institucione të forta dhe qeverisje e qëndrueshme, elita politike është zhytur në përçarje, stagnim dhe rivalitet personal.
Në një kohë kur bota përjeton përplasje të mëdha gjeopolitike, Kosova ngec në ndërtimin e një qeverisjeje gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme. Ky hendek mes nevojës historike dhe realitetit politik është rreziku më serioz për të ardhmen e Republikës.
Elita politike: nga çlirimi te përgjegjësia e munguar
Shumë prej figurave politike të Kosovës ishin dikur zëra të fuqishëm të çlirimit dhe të pavarësisë. Por sot, kur Kosova ka nevojë për një vizion të ri, ata shpesh janë të përqendruar në interesat e ngushta dhe jo në përgjegjësinë kombëtare.
Kjo elitë, me bagazh të pasur kombëtar dhe me përvojë historike të çmuar, duhet të arrijë të ndërtojë një koalicion të madh politik, i cili shkon përtej logjikës së partive dhe bëhet themel i forcimit të institucioneve. Vetëm një bashkim i tillë mund të përballojë sfidat e kohës dhe të mbrojë interesin e përgjithshëm.
I takon partisë më të madhe në Kosovë të tregojë lidership vizionar dhe guxim politik, duke marrë përgjegjësinë për të nisur ndërtimin e një koalicioni të madh, në shërbim të së mirës së Kosovës. Në këtë situatë të vështirë që po kalon Republika jonë, ne duhet të ftojmë të gjitha figurat e çmuara të kombit që të ndihmojnë në tejkalimin e këtij ngërçi politik. Sepse e ardhmja e shtetit nuk mund të mbështetet vetëm mbi supet e pak njerëzve, por mbi një bashkim të gjerë mendjesh dhe ndërgjegjesh.
Ne duhet të kapërcejmë inatet politike dhe figurat e çmuara kombëtare duhet të afrohen përreth Republikës.
Shembuj ndërkombëtarë të koalicioneve të mëdha
Historia politike pas Luftës së Dytë Botërore dëshmon se kur elitat ngrihen mbi interesat partiake, krijohen koalicione të mëdha për të mirën e vendit:
• Gjermania (1949 e tutje): Pas luftës, gjermanët ndërtuan një sistem politik që shpesh kërkonte koalicione të gjera për stabilitet. “Koalicioni i Madh” mes CDU/CSU dhe SPD, veçanërisht në vitet 1966–1969 dhe më pas 2005–2009, tregoi se dy parti rivale mund të qeverisin së bashku për unitet dhe zhvillim.
• Italia pasluftës: Në vitet 1945–1947 u formua një qeveri uniteti kombëtar ku bashkëpunuan komunistët, demokristianët dhe socialistët për të rimëkëmbur vendin dhe për të ndërtuar themelet e republikës italiane.
• Franca (1944–1947): Pas çlirimit nga nazizmi, Charles de Gaulle krijoi një qeveri uniteti kombëtar ku morën pjesë gaullistët, socialistët dhe komunistët, me qëllim rindërtimin e vendit dhe forcimin e institucioneve demokratike.
• Mbretëria e Bashkuar (1945): Edhe pse lufta kishte përfunduar, tradita e koalicionit të madh gjatë viteve të luftës mbeti si dëshmi se qeveritë e gjera janë të mundshme kur ekziston një kërcënim i madh ose një sfidë historike që kërkon bashkim.
Këta shembuj tregojnë se koalicionet e mëdha janë instrument i përgjegjësisë historike – një akt i maturisë politike që vendos mbi gjithçka interesin e shtetit.
Nevoja për një rilindje të brendshme
Kosova është më e madhe se çdo individ dhe çdo parti. Ajo është simbol i sakrificës, i qëndresës dhe i një projekti historik që shkon përtej nesh. Për këtë arsye, koha kërkon një rilindje të brendshme të elitës politike: një kapërcim të kufijve të egoizmit dhe një kthim drejt përgjegjësisë.
Në thelb, politika është arti i shërbimit ndaj së mirës së përbashkët. Ajo nuk është arenë për interesa të vogla, por një hapësirë ku ndërtohet kuptimi i përbashkët i së ardhmes. Elitat tona duhet të kuptojnë se Kosova është një amanet i shenjtë, i lindur nga gjaku dhe sakrifica, dhe se mbi ta rëndon përgjegjësia për ta mbrojtur dhe për ta ngritur në lartësinë që meriton.
Duhet të ngrihen zëra të pjekur, me përvojë dhe vizion, që të artikulojnë të ardhmen e Kosovës dhe të frymëzojnë besim. Sepse pa institucione të forta dhe pa njerëz të përgjegjshëm në krye të tyre, liria dhe shteti mbeten të brishtë. Dhe aty ku mungon përgjegjësia, historia vetë kthehet në gjykatësin më të ashpër.
Nuk fiton askush kur na humbet Republika.