Kosova përballë sfidës së energjisë

20 qershor 2025 | 19:43

Shkruan: Ethem Çeku
Sektori energjetik në Kosovë po përballet me sfida serioze dhe të vazhdueshme, të cilat janë rezultat i një sërë faktorësh të ndërlidhur: mungesë investimesh strategjike, vendimmarrje të vonuara dhe abuzim politik me një sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin shoqëror.

Një prej gabimeve më të rënda strategjike është moszhvillimi i projektit “Kosova C”, i cili do të kishte ofruar siguri afatgjate të furnizimit me energji elektrike dhe pavarësi nga importet. Në vend të një qasjeje profesionale, ky projekt u përball me një fushatë të ashpër kundërshtuese, ku zëri i analizës objektive u zëvendësua nga narrativa të politizuara dhe perceptime të manipuluara mbi ndikimin mjedisor të lignitit.

Madje, vetë termocentrali “Kosova A” u paraqit në diskursin publik si një ‘dinosaur industrial’ që duhej shkatërruar me një ekskavator të madh, duke u përjashtuar nga çdo skenar për modernizim apo përkrahje teknologjike. Në vend të një strategjie për përmirësimin dhe shfrytëzimin racional të këtij kapaciteti ekzistues, ai u stigmatizua dhe u la jashtë politikave zhvillimore afatgjata.

U hartuan dokumente, analiza dhe qëndrime të njëanshme kundër zhvillimit të “Kosova C” dhe “Kosova A”, pa u ofruar alternativa reale dhe të zbatueshme për sigurimin e energjisë. Si rezultat, vendi u shndërrua në një blerës të madh të energjisë nga jashtë, duke humbur kontrollin mbi prodhimin dhe çmimin. Vetëm gjatë dy dekadave të fundit, Kosova ka shpenzuar miliarda euro për importin e energjisë elektrike, duke shteruar ndjeshëm buxhetin kombëtar dhe duke e dobësuar kapacitetin zhvillimor të shtetit.

Në përpjekje për të shmangur emrin “Kosova C”, u ndërrua vetë emërtimi i projektit në “Kosova e Re”, një veprim që solli pasiguri institucionale dhe konfuzion në mesin e investitorëve strategjikë. Kjo zvarritje e pafund dhe mungesa e një vendimmarrjeje të guximshme bënë që investitorët të tërhiqen, ndërkohë që projekti i hidrocentralit të Zhurit – një potencial madhor për energji të pastër – u la në harresë.

Nuk ishte vetëm ndërrimi i emrit nga “Kosova C” në “Kosova e Re” që ndikoi negativisht në klimën investuese, por edhe ndryshimet substanciale në përmbajtjen e projektit – nga aspektet teknike, juridike e deri te struktura financiare – krijuan pasiguri të thellë te partnerët ndërkombëtarë. Këto ndryshime jo vetëm që e zgjatën procesin, por i zmbrapsën disa nga kompanitë më të mëdha energjetike në botë, të cilat kishin shprehur interes të qartë për të investuar në kapacitete të reja të prodhimit në Kosovë. Moskoherenca institucionale, mungesa e vendimmarrjes së qëndrueshme dhe mungesa e garancive afatgjata krijuan një ambient të pasigurt për investime strategjike. Si pasojë, Kosova humbi një mundësi të artë për të tërhequr kapital dhe teknologji moderne në sektorin energjetik, duke e lënë vendin të varur nga importet dhe krizat sezonale të furnizimit.

Në vend që resurset energjetike të Kosovës të përdoreshin si themel për zhvillim ekonomik dhe industrial, ato u trajtuan si barrë dhe u anashkaluan, duke lënë vendin të ekspozuar ndaj krizave dhe mungesës së qëndrueshmërisë. Në vend që të shfrytëzoheshin, ato u “mallkuan”, ndërkohë që vendet e rajonit ndërtonin kapacitete dhe rrisnin sigurinë e tyre energjetike. Për shembull, Serbia ka rehabilituar termocentralet e saj, Rumania ka modernizuar njësi ekzistuese, ndërsa Polonia ka vazhduar investimet në teknologji të pastër për kapacitetet e saj me linjit. Madje edhe Gjermania, një nga vendet më të avancuara në tranzicionin energjetik, ka mbajtur në funksion disa nga njësitë e linjitit në rajonet industriale për të garantuar sigurinë gjatë krizave të furnizimit.

Projekti “Kosova C” nuk do të siguronte vetëm stabilitet energjetik, por edhe burime të rëndësishme financiare për shtetin. Nëse do të ishte realizuar në kohën e duhur, Kosova sot do të kishte një kapacitet prodhues të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e brendshme dhe për të eksportuar energji elektrike në tregjet rajonale dhe evropiane. Çmimet aktuale të energjisë në bursat evropiane, që shpesh arrijnë nivele të larta për shkak të krizave gjeopolitike dhe kërkesës në rritje, tregojnë qartë se Kosova do të mund të siguronte të ardhura të konsiderueshme nga shitja e energjisë – duke kthyer burimet e saj të linjitit në një përparësi strategjike dhe jo në një pengesë të zhvillimit.

Kosova A, megjithë kufizimet teknologjike, ka mbetur një nga burimet e vetme të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike. Por përkundër rolit të saj kritik, nuk është përfshirë asnjëherë në një program serioz modernizimi, që do ta kthente në një njësi të qëndrueshme, më pak ndotëse dhe me efikasitet të lartë. Mungesa e investimeve në këtë kapacitet ekzistues ka thelluar varësinë nga importet dhe ka cenuar rëndë sigurinë energjetike të vendit.

Ndërkohë që energjia e ripërtëritshme po zhvillohet në ritme të ulëta dhe të fragmentuara, mungon një vizion gjithëpërfshirës për zhvillimin e saj në përmasa të mëdha. Kosova duhet të krijojë kushte ligjore dhe infrastrukturore për tërheqjen e investimeve të mëdha të kapitalit privat në energji të ripërtëritshme, në mënyrë që ky sektor të bëhet kontribues i vërtetë në sigurinë energjetike të vendit. Asnjë projekt i qëndrueshëm në këtë fushë nuk është shndërruar ende në bosht të politikës energjetike të vendit.

Në këtë kontekst, ndërtimi i një blloku të ri energjetik me kapacitet prej 500 megavatësh nga burimet vendore të linjitit duhet të shihet si domosdoshmëri. Një projekt i tillë do të forconte sigurinë energjetike të Kosovës dhe do të krijonte mundësi për përfshirjen e qytetarëve nëpërmjet formave të investimit të drejtpërdrejtë publik.

KEK-u nuk mund të mbahet me investime të vogla e ndërhyrje kozmetike. Ky institucion ka nevojë për hapje të plotë ndaj investimeve kapitale, që do të mundësonin modernizimin teknologjik, rritjen e efikasitetit dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së furnizimit afatgjatë. Investimi në modernizimin e “Kosova A” dhe në ndërtimin e kapaciteteve të reja përbën një nevojë urgjente, e cila nuk duhet të vonohet më tej.

Bashkëpunimi me Qeverinë Shqiptare mbetet një mundësi e rëndësishme strategjike. Shfrytëzimi i potencialit hidroenergjetik të Shqipërisë, në kombinim me zhvillimin e projekteve të përbashkëta me gaz natyror dhe ndërlidhjen me rrjetin TAP, do të krijonin kushte për një treg të integruar dhe të sigurt energjetik ndërmjet dy shteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Granit Xhaka është shumë pranë një transferimi të bujshëm nga…